Lajm5 Nov 2018

Pasaktësitë nuk e lëkundën konfirmimin e prokurorit Arben Dollapaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin e arsyetuar arriti në përfundimin se prokurori i Apelit, Arben Dollapaj ka burime të ligjshme dhe nuk ka kryer fshehje të pasurisë, ndërkohë që disa pasaktësi në deklarim u cilësuan “mangësi të karakterit material”.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Seanca e KPK-ë për prokurorin Arben Dollapaj | Foto nga : Besar Likmeta

Rivlerësimi i prokurorit të Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj u fokusua kryesisht në marrëdhëniet financiare brenda familjes, me vëllanë, nënën dhe motrat në SHBA, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmonte atë në detyrë.

Në vendimin e zbardhur del se Dollapaj e ka kaluar pa asnjë vështirësi procesin e rivlerësimit për pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Dollapajt megjithatë iu kërkua të shpjegonte me detaje marrëdhëniet financiare me të vëllanë, bashkë me të cilin posedon një vilë tre katëshe, nënën me të cilën rezulton se po ndërton në Valbonë dhe motrat nga të cilat kishte marrë dhuratë rreth 10 mijë dollarë nga viti 2006 deri në vitin 2015.

Treshja që hetoi Dollapajn me Lulzim Hamitaj kryesues, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare, arriti në përfundimin se prokurori i cili kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë “ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

KPK megjithatë theksoi se gjeti pasaktësi në deklarimin e Dollapajt, të cilat ky i ka pranuar dhe shpjeguar edhe gjatë seancës dëgjimore. Po ashtu, KPK gjeti se në dy vjet ai rezultonte me rreth 100 mijë lekë të ardhura më pak se shpenzimet e deklaruara, që u konsideruan të papërfillshme nga Komisioni. Të tre institucionet ndihmëse, ILDKPKI, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithshme,  të përfshira në hetimin e Dollapajt e cilësuan atë të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Deklarimi për shtesën

Hetimi i thelluar i KPK-së sa i përket pasurive të Dollapajt u ndal kryesisht në dy mosdeklarime në “deklaratën veting”. KPK fillimisht konfirmoi se Dollapaj kishte pasur mundësi financiare për të blerë nga vëllai me shumën 9 milionë lekë një shtëpi banimi.

Nga të dhënat del se fillimisht prokurori ka marrë leje nga vëllai për të ndërtuar një shtesë 113 metra katrorë, si kat të tretë mbi shtëpinë e këtij të fundit. Shtesa është rregjistruar për legalizim dhe është deklaruar në vitin 2007, bashkë me shpenzimet që përfshinin një kredi 5 milionë lekë, një hua nga kunati në SHBA 25 mijë dollarë dhe pjesën tjetër të mbuluar nga kursimet.

KPK verifikoi kredinë dhe gjeti se huaja ishte trasferuar përmes sistemit bankar nga SHBA në Shqipëri. Komisioni vlerësoi se pasuria e huadhënësit ishte verifikuar dhe ai gëzonte gjendje të mirë financiare. Sa i përket ligjshmërisë, KPK e cilësoi atë të verifikuar nga autoritetet në SHBA, duke qenë se pasuria ishte e depozituar në bankë.

Por ndërsa kjo pjesë rezultoi pa probleme, KPK u ndal në faktin që përndryshe nga sa ishte deklaruar në deklarimin vjetor 2007, Dollapaj nuk kishte deklaruar shtesën në deklaratën “Vetting”. KPK u rezervua megjithatë ta cilësonte atë si fshehje. Dollapaj shpjegoi se kishte deklaruar vilën si të tërë, pasi ai dhe vëllai nuk kishin pasur mundësi teknike të realizonin përpjestimin, nisur nga fakti që pjesa e tij e pasurisë ishte vënë si garanci bankare dhe kredia ende nuk ishte shlyer.

Dollapaj shpjegoi se shtesa ishte deklaruar që prej vitit 2007 dhe KPK pranoi se “subjekti nuk e ka fshehur ekzistencën e shtesës së katit ndër vite, duke e deklaruar atë në deklaratat periodike të pasurisë”.

KPK po ashtu pranoi arsyetimin e prokurorit se ai dhe vëllai kishin bërë një marrëveshje sipas të cilës kjo shtesë i kalonte vëllait, ndërsa ai do të mbante së bashku me nënën dhe familjen e tij dy katet e tjera të ndërtesës. KPK gjeti justifikues edhe faktin që megjithëse mungonte shprehimisht në deklaratë, të gjitha të dhënat në lidhje me shtesën i ishin bashkangjitur deklaratës veting. Po ashtu ishin deklaruar kontratat e nënshkruara për të, kërkesat për legalizim e dokumente të tjera.

“Në përfundim, trupi gjykues vlerëson se subjekti ka dhënë deklarime të mjaftueshme, të cilat në ballafaqim edhe me provat e disponuara nga Komisioni,  çojnë në konkluzionin se në lidhje me mosdeklarimin e shtesës së katit në deklaratën “Vetting”, nuk kemi të bëjmë me fshehje pasurie, mungesë burimesh financiare të ligjshme apo deklarim të rremë, por me një pasaktësi në deklarim e për rrjedhojë, nuk mund të konkludohet se kemi të bëjmë me shkelje të ligjit që mund të çojë deri në shkarkimin e subjektit nga detyra,” shprehet KPK.

Shtëpia në Valbonë

I ngjashëm në këtë rast është cilësuar edhe problemi me një pronë në luginën e Valbonës, e cila ishte në emër të nënës së Dollapajt. Kjo e fundit, si person i lidhur, kishte deklaruar blerjen për 700 mijë lekë të një godine banimi, por në deklarimin e bërë ajo nuk ka përmendur blerjen e dy sipërfaqeve truall përkatësisht  324 mijë lekë dhe 145 mijë lekë.

KPK megjithatë gjeti se nuk kishin të bënin me fshehje pasurie. KPK thotë se ndërsa shuma e blerjes së këtyre pasurive nuk ishte deklaruar shprehimisht në vetëdeklarimin për qëllim të rivlerësimit, dy kontratat e blerjes “me të dhëna të sakta identifikuese (numër repertori, numër koleksioni dhe datë përkatëse), të cilat kanë të përcaktuar si elemente të tyre edhe çmimin përkatës ishin deklaruar”.

Dollapaj e theksoi këtë moment në shpjegimet e tij. Ai i tha KPK-së se kishte bërë deklarimin për këtë investim në vitin 2013, kur është bërë pjesë e tij, ndërsa theksoi se në deklaratën veting “janë cituar dy kontratat e blerjes së truallit dhe kontratat i janë bashkëlidhur deklaratës”.

KPK e cilësoi mosdeklarimin shprehimisht të shumave si “magësi të karakterit material” për sa kohë dokumentet që ishin përfshirë me deklarimin tregonin shumat e paguara. “Nuk mund të konkludohet se jemi përballë me një shkelje të ligjit që mund të çojë deri në shkarkimin e subjektit nga detyra,” thuhet në vendimin e KPK-së, ku shtohet se Dollapaj kishte gjithashtu mundësi financiare.

KPK i cilësoi gjithashtu si të ligjshme dhuratat e marra nga të afërmit. KPK thotë se pohimet e Dollapajt për kohën e marrjes së dhuratave ishin verifikuar nga hyrje-daljet e tij dhe të motrave në sistemin TIMS. Po ashtu, KPK doli në përfundimin se motrat e tij kishin mundësi financiare. Në një rast për këtë KPK citon posedimin e një makine të shtrejtë dhe faktin ato ishin me shtetësi amerikane dhe punonin në SHBA.

KPK e cilësoi në fund se kishte gjetur pasaktësi në deklarim dhe balanca financiare negative ndër vite, “përkatësisht  -36.013 lekë në vitin 2006 dhe – 72.779 lekë në vitin 2007”. Por në të dyja rastet i cilësoi këto të parëndësishme, ndërsa u shpreh se shumat “janë të papërfillshëm”.

KPK është ndalur shkurt sa i përket kriterit të figurës, ndërsa po ashtu nuk rezulton të ketë gjetur asnjë problem në kriterin e profesionalizmit. Në fund duke e cilësuar Dollapajn të aftë dhe deklarimin e pasurisë të besueshëm, treshja që krehu hetimin vendosi ta konfirmonte atë në detyrë.