Analize10 Jan 2017

Pasiguria Trumpiane

Në fillim të çdo viti, ekspertët më të mirë botërorë fillojnë nga parashikimet për muajt e ardhshëm. Zgjedhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë i ka bërë ekonomistët të ngrenë shpatullat për shkak se parashikimet e tyre mund të dalin nga loja prej politikave të panjohura që Trump synon të ndjekë.

Autor: Joseph E. Stiglitz Project Syndicate Nju Jork
Printo

Joseph E. Stiglitz

Joseph E. Stiglitz

Çdo janar, unë përpiqem të bëj një parashikim për vitin e ardhshëm. Parashikimi ekonomik është gjithnjë i vështirë; por pavarësisht të vërtetës së shprehur në kërkesën e Harry Truman për një ekonomistin e një krahu (që nuk mund të thotë ‘nga ana tjetër’), historia ime ka qenë e besueshme.

Në vitet e fundit, me saktësi kam parashikuar se, në mungesë të stimulit fiskal më të fortë (që nuk ishte i mundur as në Europë dhe as në SHBA), rikuperimi nga Recesioni i Madh i 2008-ës do të ishte i ngadaltë. Në bërjen e këtyre parashikimeve, jam mbështetur më tepër në analiza që nënvijëzojnë forcat ekonomike sesa në modelet komplekse ekonometrike.

Për shembull, në fillim të 2016, dukej qartë se mangësia në kërkesën agregate globale që në disa vitet e fundit ka qenë e dukshme, nuk kishte gjasa të ndryshonte në mënyrë dramatike. Kështu, unë mendova se parashikuesit e një rikuperimi të fortë po e shihnin botën me syze të rreme. Zhvillimet ekonomike rezultuan ashtu sikurse unë parashikova.

Jo edhe aq për eventet politike të 2016. Kam shkruar për vite se nëse nuk zgjidhet pabarazia në rritje – veçanërisht në SHBA, por edhe në vendet e tjera në botë – do të ketë pasoja politike. Por pabarazia vazhdoi të përkeqësohej – me të dhëna befasuese që tregojnë se jetëgjatësia mesatare në SHBA ishte në rënie.

Këto rezultate u paralajmëruan nga një studim vitin e shkuar nga Anne Case dhe Angus Deaton, që tregoi se jetëgjatësia ishte në rënie në segmente të mëdha të popullatës – përfshirë të ashtuquajturit njerëzit e zemëruar të Amerikës në Rripin e Ndryshkur.

Por, me të ardhurat e 90 përqindëshit të fundit që kanë mbetur në vend për gati 30 vjet (dhe janë në rënie për proporcione të mëdha), të dhënat shëndetësore thjesht konfirmuan se gjërat nuk po shkonin mirë për zona të mëdha në vend. Dhe ndërsa Amerika mund të jetë në ekstrem të këtij trendi, gjërat janë paksa më mirë gjetkë.

Por, nëse dukej qartazi se do të kishte pasoja politike, forma dhe koha e tyre ishin më pak të dukshme. Përse lëkundja në SHBA erdhi vetëm atëherë kur ekonomia dukej se po rikuperohej, në vend që të vinte më herët? Dhe përse manifestoi veten në anim nga e djathta? Në fund të fundit, ishin republikanët që kishin bllokuar asistencën për ata që humbën vendet e punës si pasojë e globalizimit që shtynë përpara me këmbëngulje. Ishin republikanët që, në 26 shtete, refuzuan të lejojnë shtrirjen e Medicaid, duke mohuar kështu sigurim shoqëror për ata që gjenden në shtresën e fundit. Dhe përse ishte krenari fitorja e dikujt që e nxori jetesën duke përfituar nga të tjerët, duke pranuar haptazi se nuk kishte paguar siç duhej taksat dhe i kishte shmangur ato në një pikë?

Donald Trump kapi shpirtin e momentit: gjërat nuk po shkonin mirë dhe shumë votues kërkonin ndryshim. Tani ata do ta marrin: nuk do të bëhet biznes si zakonisht. Por rrallë të ketë pasur ndonjëherë më shumë pasiguri se kaq. Se cilat politika do të ndjekë Trump kjo mbetet e panjohur, për të mos folur se cilat do të kenë sukses dhe cilat do të jenë pasojat.

Trump i vendosur të ketë një luftë tregtare. Por si do të përgjigjen Kina dhe Meksika? Trump mund ta kuptojë mirë se ajo që ai propozon do të shkelë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, por ai gjithashtu mund ta dijë se do të duhet kohë që OBT të vendosë kudnër tij. Dhe deri atëherë, llogaria tregtare e Amerikës mund të jenë ribalancuar.

Por të dy mund ta luajnë atë lojë: Kina mund të ndërmarrë veprime të ngjashme, megjithëse përgjigjja e saj me gjasa do të jetë më delikate. Nëse do të shpërthente një luftë tregtare, çfarë do të ndodhte?

Trump mund të ketë arsye për të menduar se ai mund të fitojë; në fund të fundit Kina është më e varur te eksportet me SHBA-në sesa SHBA-ja në lidhje me eksportet me Kinën, që i jep SHBA-së një avantazh. Por një luftë tregtare nuk është një lojë ku fitimtari i merr të gjitha. SHBA mund të humbasë gjithashtu. Kina mund të jetë më efektive në shënjestrimin e hakmarrjes për të shkaktuar dhimbje politike akute. Dhe kinezët mund të jenë në një pozicion më të mirë për t’iu përgjigjur përpjekjeve të SHBA-së për t’i dëmtuar ata sesa është SHBA-ja në përgjigjen ndaj dëmit që Kina mund t’i sjellë amerikanëve. Se kush mund ta përballojë dëmin më mirë, kjo mbetet në pikëpyetje. A do të jetë SHBA-ja ku shtetasit kanë vuajtur tashmë prej kohësh apo Kina, që pavarësisht kohës së vështirë ia ka dalë të gjenerojë rritje prej 6%?

Më gjerësisht, axhenda republikane/Trump, me uljet në taksa që anojnë më tepër nga të pasurit sesa mund ta tregojë Partia Republikane, bazohet te ideja e një begatie që favorizon të pasurit – një vazhdim i ekonomisë së Reganit, që në fakt nuk funksionoi kurrë. Retorika e ashpër ose postimet në Tëitter në tre të mëngjesit mund të zbusë zemërimin e atyre që janë lënë pas nga revolucioni Regan, të paktën për ca kohë. Por për sa kohë? Dhe çfarë do të ndodhë atëherë?

Trumpit mund t’i pëlqejë të shfuqizojë ligjet e zakonshme të ekonomisë, siç thotë për versionin e tij të ekonomisë jorealiste. Por ai nuk mundet ta bëjë. Ende, teksa ekonomia më e madhe në botë çan rrugën drejt ujërave të paprekur politikë në 2017 dhe përtej, do të ishte budallallëk për një të vdekshëm të provonte të parashikonte, në vend që të thoshte atë që është e dukshme: ujërat me shumë siguri do të jenë në lëvizje dhe shumë – në mos shumica – anije ekspertësh do të mbyten përgjatë rrugës.