Analize31 Aug 2021

Pasojat e humbjes në Afganistan

Tërheqja e nxituar dhe kaotike e Perëndimit nga Afganistani jep disa mësime. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk i marrin në konsideratë këto mësime, atëherë kauza e demokracisë liberale në shekullin e XXI mund të ndjekë rrugën e vendit që ata sapo i dorëzuan talebanëve.

Autor: Chris Patten Project Syndicate Londër
Printo

Afganë duke u evakuuar nga aeroporti i Kabulit, Afganistan, më 21 gusht 2021. Foto: Wikipedia.

Sulmi i fundit terrorist në aeroportin e Kabulit, ku mbetën të vrarë më shumë se 100 civilë afganë dhe 13 trupa amerikane, i ka shtuar më shumë tmerr një vere të tmerrshme. Gjithashtu tregon se Volteri nuk ishte gjithmonë i saktë. Një kopshtar entuziast, ai jepte herë pas here përshtypjen se njeriu mund të harrojë problemet e botës duke shkulur barishte të këqija ose duke shëtitur nëpër ndonjë pemishte. Në këto ditë kjo nuk është e mundur, për fat të keq, as gjatë pushimeve të gushtit.

Kur jam në shtëpinë time verore në Francën rurale, shikoj trëndafilin e bukur me lule të bardha -një Kiftsgate, me origjinë nga Kina perëndimore – që ndodhet në hyrje të shtëpisë. Dikur madje kam parë një të tillë edhe më të madh. Ai mbulonte murin e pallatit presidencial në Kabul, të cilin e vizitova në vitin 2003 si Komisioner Evropian për të ndihmuar në vënien në zbatim të programit të zhvillimit të Bashkimit Evropian në Afganistan pas ndërhyrjes ushtarake perëndimore atje për të shkatërruar al-Kaedën.

Sot, praktikisht, për Afganistanin dëgjojmë vetëm lajmet e zymta të tërheqjes kaotike të Perëndimit nga vendi, dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara. Ka qenë një surprizë e madhe për shumë njerëz që presidenti amerikan Joe Biden zbatoi strategjinë e Donald Trump për të lënë Afganistanin pas 20 vjetësh, megjithëse Biden shtyu tërheqjen e trupave amerikane me rreth tre muaj.

Biden e kishte kritikuar për shumë kohë angazhimin ushtarak amerikan në Afganistan, edhe pse ai ishte zvogëluar ndjeshëm në vitet e fundit. Por mbetet mister arsyeja pse ai mendoi se një tërheqje e nxituar e trupave ishte një ide, jo më pak duke pasur parasysh cilësinë e këshilltarëve të tij dhe përvojën e tij ndërkombëtare. Shpjegimi më i besueshëm është se Biden besonte se duke ndjekur Trump në këtë rrugë, ai mund të rifitonte një pjesë të mbështetjes së klasës punëtore që demokratët e kishin humbur përballë populizmit izolues të Trump.

E vërtetë, Afganistani ka një reputacion të merituar si një varrezë politike. Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Harold Macmillan, duke u mbështetur në përvojën e tre ndërhyrjeve mjaft katastrofike nga forcat perandorake britanike nga India në shekullin e XIX dhe fillimin e shekullit XX, dikur tha se ligji i parë i politikës nuk ishte të pushtohej Afganistani. Bashkimi Sovjetik nxori një mësim të ngjashëm në vitet 1980 në një luftë nëntëvjeçare që shkaktoi humbje të mëdha jete dhe shkatërrim në Afganistan, vrau 15,000 ushtarë sovjetikë dhe kontribuoi ndjeshëm në rënien e vetë BRSS.

Pavarësisht këtyre arsyeve historike që tregonin se kundrejt Afganistanit duhej treguar kujdes i madh, ndërhyrja perëndimore pas sulmeve terroriste të al-Kaedës kundër Shteteve të Bashkuara në 2001 shkoi drejt përmbushjes së qëllimit të saj kryesor për të bërë Amerikën e Veriut dhe Evropën më të sigurt nga terrorizmi islamik. Deri në 2003-2004, forcat perëndimore dhe ndihma në zhvillimin e vendit kishin filluar ta stabilizonin jetën në Afganistan dhe madje të kufizonin pjesërisht tregtinë e paligjshme të drogës, një burim kryesor i financimit të terrorizmit.

Këto përpjekje u shoqëruan me retorikë shumë domethënëse mbi mënyrën se si ndërhyrja humanitare nga shoqëritë e pasura të hapura mund ta bëjë botën më të sigurt. Por, nuk është për t’u habitur, ky angazhim filloi të shkatërrohej, kryesisht si pasojë e luftës në Irak, një gabim i madh që më shumë krijoi sesa parandaloi kaos.

Tony Blair, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar i cili e ka kritikuar si “idiotësi” politikën e Biden në Afganistan, duhet të pranojë se shumë mendojnë se mbështetja e tij entuziaste për Luftën në Irak ishte një “idiotësi” edhe më e madhe. Ai konflikt shteroi energjinë dhe burimet politike nga Afganistani dhe kështu e bëri edhe më të vështirë përfundimin e detyrës së Perëndimit atje.

çapitjet dëmtuese të tërheqjes se Perëndimit nga Afganistani janë mësime për të gjithë ne. Fillimisht, i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka një detyrim për të shpëtuar popullin afgan nga një katastrofë humanitare dhe për të garantuar strehim për ata që dëshirojnë të largohen nga vendi për arsye politike. Nëse ne mund t’i frenojmë talebanët në çfarëdolloj mënyre, e cila duket e dyshimtë, ne duhet ta bëjmë këtë me sa më shumë mbështetje nga fqinjët e Afganistanit.

Për SHBA-në, mësimi kryesor është i qartë. Kur Biden i tha botës në shkurt se “Amerika është rikthyer”, shumë menduan se ai nënkuptonte se SHBA-ja do të drejtonte një aleancë shoqërish të hapura të vendosura për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe një rend ndërkombëtar që promovonte paqen dhe prosperitetin. Por nëse “Amerika është rikthyer” në vend të kësaj do të thotë që SHBA-ja po kthehet në izolacionizëm, rezultati do të jetë i keq për të gjithë, përfshirë amerikanët.

Siç ka ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore, Amerika mbetet e domosdoshme për një botë paqësore dhe të begatë. Kjo do të thotë që aleatët e saj duhet të jenë në gjendje të kenë besim në angazhimet e saj. E njëjta gjë vlen edhe për ata të cilëve Amerika u ka premtuar një pavarësi paqësore – përfshirë, për shembull, Tajvanin dhe Ukrainën.

BE-ja, nga ana e saj, duhet të pyesë veten nëse është e gatshme dhe në gjendje t’i japë ndihmë më të madhe SHBA-së në rolin e saj drejtues. Evropa nuk mund të vazhdojë të vazhdojë të varet te garancia e sigurisë amerikane, ndërkohë që mendon se Amerika nuk bën më shumë.

Britania, pasi u largua nga BE-ja, duhet të përballet me faktin se nuk llogaritet shumë kur SHBA-ja vendos se çfarë dëshiron të bëjë. Siç e pyeti kohët e fundit ish-kryeministrja Theresa May pasuesin e saj, Boris Johnson, në parlament: “Ku është Britania globale në rrugët e Kabulit?” Johnson-it nuk i kanë besim në Bruksel, Paris dhe Berlin, dhe as i kanë besim dhe as e marrin seriozisht në Uashington. Pavarësisht Brexit, ai duhet të rindërtojë marrëdhëniet e tij në Evropë, madje së shpejti.

Të gjitha këto çështje duhet të ballafaqohen me imagjinatë. Nëse ne – mbi të gjitha, SHBA-ja dhe Evropa – dështojmë ta bëjmë këtë, atëherë kauza e demokracisë liberale në shekullin e XXI mund të ndjekë rrugën e Afganistanit.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Wages of Defeat in Afghanistan