Në një takim të gjatë mbajtur të premten, pedagogë të Universitetit të Tiranës i dolën krah kërkesave të studentëve, ndërsa dënuan fushatat denigruese ndaj tyre dhe kërkuan një ligj të ri të arsimit të lartë në vend, për të nxjerrë universitetin nga kriza.
Në të parën mbledhje të asambleve akademike të Universitetit të Tiranës në dekadën e fundit, një grup prej rreth 220 pedagogësh dhe dekanësh u bënë së bashku të premten në godinën “Liria” të UT.
Asambletë dhe stafet akademike të fakulteteve të Historisë dhe Filologjisë, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, Drejtësisë, Ekonomisë dhe Gjuhëve të Huaja diskutuan për rreth tre orë për gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri, mësimet e nxjerra nga lëvizja studentore e dhjetorit 2018 dhe ndanë eksperiencat e tyre të ngërçit të krijuar nga ligji i shumëdebatuar i Arsimit të Lartë, miratuar në tetor 2015.
Pedagogët konfirmuan mbështetjen ndaj studentëve për kërkesat e tyre dhe e vunë theksin te dëmi i shkaktuar nga ligji i arsimit të lartë ndaj autonomisë dhe kërkimit shkencor në universitete.
Duke shprehur emocion për praninë në të njëjtën sallë ku në vitin 1991 filloi greva studentore e urisëpër demokraci, pedagogu i gazetarisë dhe komunikimit, Mark Marku, u shpreh se pedagogët po marrin pjesë në themelimin e një korporate profesionale të vetëdijshme për rolin dhe përgjegjësitë në shoqëri dhe universitet.
“Universiteti i Tiranës e ka kundërshtuar që në fillim ligjin (e arsimit të lartë) që dikur ishte projektligj, pikërisht prej faktit që cënon rëndë autonominë universitare dhe mbivendos kompetencat,” tha ai.
“Përmes 5 agjencive i është hequr universitetit autonomia në drejtim të kërkimit shkencor, të rekrutimit, të përzgjedhjes së kurrikulave, të programeve,” shtoi Marku, duke thënë se pedagogët e kanë të vështirë të përditësojnë programet e tyre prej strukturës burokratike të krijuar nga ligji.
Marku shpjegoi se dy strukturat paralele të senatit dhe rektoratit nga njëra anë dhe bordi i administrimit me administratorin nga ana tjetër ka krijuar mbivendosje të kompetencave dhe kanë futur universitetin në krizë duke i hequr atij autonominë financiare.
“Nëse ne nuk kemi të drejtë të përcaktojmë statutet, kurrikulat, programet tona, përmbajtjen e dijes që transmetojmë, të mos përcaktojmë bibliografinë, më thoni ku qëndron autonomia dhe liritë akademike?” pyeti ai, duke shtuar se ato në praktikë janë asgjësuar nga VKM-të.
“I bëri thirrje kolegëve që të reagojë ndaj kësaj gjendjeje të krijuar pa pasur frikë,” përmbylli Marku fjalën e tij.
Një ndër kërkesat parësore të asamblesë së pedagogëve të premten ishte kundërshtia e Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015 dhe kërkesa për hartimin e një ligji të ri në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Kërkimi shkencor, jo në dorën e qeverisë
VKM-të e miratuara me nxitim nga Këshilli i Ministrave prej protestave masive studentore që nisën më 4 dhjetor të 2018-ës, u kritikuan në takim si të miratuara nxitimthi dhe kontraverse me vetë ligjin e arsimit të lartë, që supozohet t’i shërbejnë.
Profesori i fakultetit të drejtësisë në Tiranë, Altin Shegani u shpreh se autonomia universitare dhe liria e kërkimit akademik të sanksionuara nga Kushtetuta dëmtohen rëndë nga VKM-të e dhjetorit.
“Studentët kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë riformatimin e cilësisë dhe standardit të punës sonë shkencore, padiskutim dhe i falenderoj për sakrificën e tyre të madhe. Ata janë kontribues kryesor në pagën tonë, 4 muaj në vit pedagogët e UT paguhen nga të ardhurat e studentëve, kjo është një barrë e rëndë morale dhe në ndërgjegjen tonë,” tha Shegani.
Por megjithatë ai arsyetoi se VKM-të e fundit për verifikimin e shkeljes së integritetit shkencor dhe ato për plagjaturat shkelin hapur autonominë universitare dhe bien ndesh me vetë ligjin e arsimit të lartë.
“Mund të imagjinojmë një hierarki normative që gjeneron konfliktualitet brenda saj?” pyeti ai.
Sugjerimi i pedagogut të fakultetit të drejtësisë ishte miratimi i një rregullore të brendshme nga vetë këshilli dhe senati dhe jo rregullim përmes ligjeve. Sipas tij i takon gjykatës pastaj të vendosë për heqjen ose jo të një titulli shkencor, duke siguruar paanshmëri, por njëkohësisht dhe garanci ligjore.
“Vetë tendenca që ka në kuadrin ligjor për të marrë kompetenca të tjera, madje dhe në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë, tregon se ka një qasje për të cunguar atë format autonomie që të paktën formalisht e garanton Kushtetuta dhe ligji,” tha Shegani.
Diskutimet në sallë mes kolegëve u pritën herë me duartrokitje dhe në raste të tjera me shprehje mosdakordësie. Pati një diskutim të gjatë nëse duhej kërkuar shfuqizimi i ligjit të arsimit të lartë apo ndryshimi thelbësor i tij.
Përmes një procesi demokratik të votimit, pedagogët ngritën në shumicë dorën për të shprehur pëlqimin e tyre se qeveria duhet të marrë masa për hartimin e një ligji të ri dhe të tërheqë menjëherë VKM-të e 26 dhjetorit 2018 me Nr.777, Nr.781, Nr. 783 dhe urdhrat e të njëjtës datë me Nr, 183, Nr. 184 dhe Nr. 185.
Ngërç institucional i pamenaxhueshëm
Pedagogët folën pa doreza për situatën e krijuar nga mbivendosja e kompetencave brenda universitetit nga ligji i arsimit të lartë dhe ndërhyrja shtetërore.
Zëvendës Rektorja e Universitetit të Tiranës, Gentiana Kera foli përpara kolegëve duke tërhequr vëmendjen se degradimi i arsimit të lartë në vend i ka bërë pedagogët për shumë kohë të ndihen të turpëruar për profesionin e tyre.
“Nuk dua të më vijë turp të them që jam pedagoge. Kam punuar gjithë jetën që të mos më vijë turp,” tha Kera duke kërkuar ndjesë për emocionin e shfaqur.
“Për herë të parë prej vitesh nuk më ka ardhur turp kur filloi protesta… se studentët na bënë që të mos e them me ndroje që jam pedagoge ngaqë konsiderohesh se je e korruptuar,” shtoi zv. Rektorja.
Ndjesisë së saj të lumturisë, iu shtua edhe pedagogu i Shkencave të Natyrës Jani Marka i cili u shpreh se dy ditët më të lumtura të jetës së tij ishin nisja e protestës studentore dhe dita e sotme e vendimmarrjes së bashkuar me kolegët e universitetit.
Zv. Rektorja Gentiana Kera vazhdoi duke arsyetuar se problemet me të cilat hasen pedagogët fillojnë nga mungesa e transparencës dhe vazhdojnë në pafundësi në çështjet e tjera të përditshme.
“Ligji ka një problem shumë të madh, unë tani e shoh në praktikë sepse gjërat ngecin. Ligji praktikisht lejon që të gjithë organet dhe autoritetet drejtuese të universitetit të bllokojnë njëri-tjetrin në momentin e parë që duan ta bëjnë,” shtoi Kera.
“Në vend që të merrem me zbatimin e strategjive që kemi hartuar vjet, unë duhet të merrem me gjëra e lagu s’e lagu. Unë nuk punoj dot në kushte normale,” shtoi ajo.
Zv. Rektorja cilësoi gjithashtu numrin e lartë të VKM-ve që i duhet ligjit aktual të arsimit të lartë për të funksionuar si një problem paqartësie, por edhe si varësi nga forcat partiake që ndërrojnë pushtetin përgjatë viteve.
“Ne punojmë në rregulla loje komplet të paqarta ose që janë në dorën e çdo partie politike,” tha Kera duke sqaruar se nënkupton çdo forcë politike dhe jo veçanërisht atë në pushtet.
Administratori një mbivendosje
Enriketa Papa, pedagoge e fakultetit Histori-Filologjisë mori në vazhdim fjalën duke argumentuar se që prej hartimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit aktual, pedagogët nuk janë pyetur.
“Na është thënë se jemi pyetur, por ne nuk jemi pyetur,” tha Papa, duke folur disi e revoltuar.
Ajo shtoi se është koha për të rishikuar funksionimin aktual të universitetit dhe për të hartuar një platformë efikase.
“Sot jemi në kolaps, nuk kemi tonera, nuk kemi letra, sepse administratori nuk na i firmos tenderat për të pasur letra, as letra higjienike, jo më letra për të shkuar tezat,” tha Papa.
Sipas Zv. Rektores Keta, bordi i administrimit nuk ka asnjë masë shtrënguese si afatet dhe senatet akademike nuk kanë asnjë fuqi për ta tejkaluar atë.
“Një vendim i senatit që i shkon bordit të administrimit mund të zgjatet pafund nga ky, pasi nuk ka afat në ligj ose mekanizëm që senati t’i imponohet bordit, se në fund të fundit universiteti jemi ne pedagogët dhe studentët. Nuk jemi fabrikë që prodhojnë tulla apo bulona,” tha Keta.
Stafi akademik kërkoi gjithashtu rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik si dhe ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
“Kemi rënë në hall të madh,” u shpreh një pedagoge.
“Nga njëra anë mbështesim studentët bojkotues që kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, nga ana tjetër nuk mund të lëmë pa mësim studentët që duan të vazhdojnë mësimin,” tha ajo, duke shtuar se i takon qeverisë të plotësojë sa më shpejt kërkesat e studentëve për të mos krijuar krisje në universitet.
Pas rreth tre orësh diskutime, pedagogët ngritën duart në shenjë pohimi teksa votuan pesë pikat e përmbledhura që përbëjnë themelin e kërkesave të tyre për mbarëvajtjen e jetës akademike drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së re të Arsimit Besa Shahini.
Pedagogët zgjodhën pesë përfaqësues për të dorëzuar kërkesat e tyre tek kryeministri dhe ministrja e Arsimit dhe u angazhuan të organizojnë takime edhe me kolegët e tyre të universiteteve në qytetet e tjera në vend për të përhapur të njëjtën frymë reformimi.
Ata paralajmëruan se presin përgjigje dhe masa konkrete brenda 1 shkurtit, përndryshe do të shqyrtojnë mundësinë e një greve të përgjithshme të stafit akademik.