Analize21 Jun 2019

Përsëritja e zgjedhjeve në Stamboll mund të vendosë të ardhmen e Turqisë

Përsëritja e votimeve që do të mbahet të dielën në qytetin më të madh dhe qendrën kryesore ekonomike të Turqisë, Stamboll, mund të përcaktojë fatin e presidentit Erdogan dhe mund të sinjalizojë një ndryshim në politikën turke.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Beograd, Sarajevë
Printo

Kandidati i Partisë Popullore Republikane për bashkinë e Stambollit Ekrem Imamoglu. Foto: Facebook/ Ekrem Imamoglu.

Votuesit në Stamboll të dielën shkojnë për herë të dytë në votime për të zgjedhur një kryebashkiak pasi rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve për kryebashkiak u anuluan kur koalicioni i presidentit Rexhep Tajip Erdogan u ankua për parregullsi pas disfatës së tij.

Vendimi i Këshillit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë, YSK, për të urdhëruar një përsëritje të votimeve u konsiderua gjerësisht i diskutueshëm dhe si një favor politik ndaj koalicionit qeverisës të Erdoganit dhe është bërë temë kryesore e fushatës zgjedhore.

Shumica e ekspertëve thonë se në arsyetimin e tij për vendimin që mori YSK nuk arriti të paraqiste ndonjë provë të mashtrimit sistematik të zgjedhjeve, siç pretendonte partia në pushtet.

Anulimi i rezultateve të zgjedhjeve u kritikua nga partitë e opozitës, BE-ja dhe SHBA-ja dhe nga sektori i biznesit i Turqisë, i cili po vuan shumë nga krizat politike dhe ekonomike të pafundme të Turqisë.

Në një mjedis politik në të cilin shumë votues ndihen të tradhtuar, sepse elita qeverisëse refuzoi të pranonte vendimin e tyre se kush duhet të jetë kryebashkiaku i ri, kandidati i përbashkët i koalicionit qeverisës, ish-kryeministri Binali Yildirim, ka parë një rënie në mbështetje.

Shumica e sondazheve vënë kandidatin e përbashkët të partive opozitare, Ekrem Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane, CHP, përpara rivalit të tij. Pyetja është, me sa vota.

Imamoglu fitoi zgjedhjet e para më 31 mars, duke fituar 13,000 vota më shumë sesa rivali i tij i mbështetur nga Erdogani.

Megjithatë, Ahmet Erdi Ozturk, një hulumtues në Universitetin Linkoping në Suedi, beson se çfarëdo që thonë sondazhet, Erdogan dhe partia e tij do të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar zyrën e kryetarit të bashkisë në Stamboll.

“Erdogani e ka qeverisur vendin për gati 20 vjet dhe ai ka qenë pjesë e jetës politike turke për 50 vjet. Nëse një person me një profil të tillë vendos të organizojë përsëritje të zgjedhjeve, kjo do të thotë se ai do të fitojë në një mënyrë apo një tjetër,” tha Ozturk për BIRN.

Koalicioni i Erdoganit humbi kontrollin e disa qyteteve kryesore metropolitane në zgjedhjet e 31 marsit, duke përfshirë Stambollin, Ankaranë, Izmirin dhe Antalian.

Humbjet ishin tepër të rëndësishme pasi që këto qytete janë qendrat kryesore të ekonomisë, bujqësisë, industrisë dhe turizmit. Ato gjithashtu kanë shumicën e popullsisë së vendit.

“Zgjedhjet lokale ishin një humbje e madhe për Erdoganin,” tha Ozturk. “Ata humbën kryeqytetin, Ankaranë, qytetin më të madh, Stambollin, dhe shumë qytete të tjera duke përfshirë disa komuna kyçe të qarkut,” shtoi ai.

“Kjo na tregoi se Erdogani mund të humbasë. Dhe nëse elitat qeverisëse dhe votuesit e tyre fillojnë të vënë në dyshim të ardhmen e tyre politike, kjo do të thotë që rënia e Erdoganit ka filluar,” vazhdoi Ozturk.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/Recep Tayyip Erdogan.

“Erdogan e nisi karrierën e tij në politikë me Stambollin dhe ajo mund të marrë fund me Stambollin,” vuri në dukje ai.

Erdogan ishte kryebashkiaku i Stambollit midis vitit 1994 dhe 1998, periudhë gjatë të cilës ai u bë një nga figurat e rëndësishme politike në vend.

Ai vazhdoi duke krijuar partinë e tij, Partinë Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, dhe mori pushtetin në nivel kombëtar në vitin 2002. Ai ka qeverisur vendin që nga ajo kohë me poste të ndryshme.

Ekspertët thonë se Stambolli është një qendër e rëndësishme e pushtetit në vend, prandaj është kaq e rëndësishme se kush e kontrollon atë.

“Stambolli është qyteti më i madh dhe qendra kryesore në rajonin e asaj që ne e quajmë si Azia Perëndimore,” shpjegoi Ozturk.

“Humbja e Stambollit nënkupton humbjen e një bastioni pushteti dhe një qendre të rëndësishme me të cilën të gjithë njerëzit e këtij rajoni janë të lidhur. Erdogan nuk mund ta pranojë humbjen e Stambollit dhe të gjithë atë pushtet. Kjo është arsyeja pse të dielën do të përsëriten zgjedhjet.”

Si Konstandinopoja, Stambolli ka qenë për shekuj me radhë kryeqyteti i Perandorisë së fuqishme Bizantine dhe më pas i Perandorisë së madhe Osmane. Tani ai nuk është kryeqyteti politik i republikës moderne turke, por është ende qyteti më i madh në të gjithë Europën dhe Azinë Perëndimore me një popullsi prej rreth 16 milionë banorësh – rreth 20 për qind e popullsisë së përgjithshme të Turqisë prej 80 milionë banorësh.

Duke u shtrirë përgjatë Bosforit që ndan Europën nga Azia, Stambolli është qyteti i vetëm në botë që i ka këmbët në dy kontinente.

Ai është gjithashtu qendra kryesore ekonomike, industriale dhe turistike e vendit. Sipas Dhomës së Tregtisë së Stambollit, 51 për qind e eksporteve turke dhe 43 për qind e depozitave bankare turke e kanë origjinën nga Stambolli. Stambolli është gjithashtu një qendër e madhe botërore e turizmit, me mbi 10 milionë vizitorë në vit.

Ozturk thotë se gjithçka tani varet nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës.

“Pasojat e zgjedhjeve dhe efektet e tyre mbi politikën turke me siguri do të formësojnë të ardhmen politike të vendit, por është shumë herët të thuhet se çfarë do të ndodhë dhe si do të ndodhë,” tha ai.

“Kjo varet nga rezultatet dhe si reagojnë Erdogani, opozita, aktorët ndërkombëtarë, qarqet e biznesit dhe parametrat ekonomik pas zgjedhjeve.”

Fitorja dhe humbja e Stambollit është shumë e rëndësishme, por jo gjithçka,” paralajmëroi ai.

“Fati i Erdoganit dhe koalicioni i tij jokonvencional, i cili merr çdo vendim në vend, do të votohet gjithashtu të dielën. Rezultati mund të vendosë se kur do të marrë fund ky koalicion qeverisës shumë kompleks,” përfundoi ai.