Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) organizoi këtë fillim jave një ekspozitë në formë ankandi me punimet artisitike të fëmijëve të prekur nga tërmeti I 26 Nëntorit, punime të cilat shprehin emocionet e tyre pas ngjarjes tronditëse dhe të cilat do të shiten për t’i mundësuar këtyre fëmijëve disa pajisje elektronike për të ndjekur mësimin online gjatë pandemisë.
Paraditen e së martës, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) së bashku me përfaqësuesit dhe ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri organizoi një ankand me punimet personale artistike të fëmijëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Shqipëri, në një ekspozitë të titulluar “Përtej Rrënojave”.
Dhjetra punime të cilat konsistojnë në piktura, vizatime, skica, mesazhe të shkrurara dhe zanore, u mblodhën dhe u selektuan me kujdes të veçantë nga përfaqësuesit e CRCA në Shqipëri.
Një vit më parë, në 26 Nëntor 2019, Shqipëria u prek nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Ai shkaktoi humbjen e jetës së 51 personave, mes tyre 18 fëmijë dhe të rinj, ndërsa 913 të tjerë mbetën të plagosur. Mbi 200 mijë persona u prekën nga ky tërmet dhe 17 mijë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre. Durrësi, Lezha, Laçi e Tirana, ishin qytetet më të prekura.
Në lidhje me këtë ngjarje që përjetuan, fëmijët shprehën emocionet e tyre nëpërmjet artit të lirë në muajt në vazhdim.
“Ne i premtuam të gjithë fëmijëve që punimet e tyre do t’i shfaqnim në një ekspozitë të dedikuar atyre, e cila do të shërbente si një kujtesë historike për gjendjen e fëmijëve, familjeve të tyre dhe të të gjithë vendit, por edhe kujdesin dhe solidaritetin njerëzor që shoqëroi këtë ngjarje. Sot është dita që ne bëjmë realitet këtë premtim publik”, u shprehën përfaqësuesit e CRCA në Shqipëri.
Ata shtuan se është një kënaqësi e veçantë që në këtë ekspozitë merr pjesë dhe jep mbështetjen e saj edhe Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Tiranë.
Ekspozita e titualluar “Përtej Rrënojave” dhe e organizuar tek instilacioni “Reja” nga Fujimoto në Tiranë, përmban 180 punime të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria të prekur nga tërmeti, dhe do të vijojë me një ankand me anë të të cilit pikturat do të shiten me qëllim mbledhjen e fondeve për të blerë pajisje elektronike për ndjekjen e mësimit për fëmijët që u prekën nga tërmeti fatal i Nëntorit 2019.