Analize29 Mar 2019

Përvetësoi “Kodrën e Jarusë”, Apeli shpëton nga burgu ish-nënkryetarin e Levanit

Ish-nënkryetari i Komunës së Levanit, Eqerem Braçi u dënua me 10 vjet burg në shkallë të parë për përfitimin dhe shitjen e një toke përmes dokumenteve false, por Gjykata e Apelit të Vlorës rrëzoi njërën nga akuzat dhe e kurseu zyrtarin lokal nga dënimi me burg.  

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Çekiçi i gjyqtarit | Foto ilustrim nga Wikimedia

Gjykata e Apelit të Vlorës shpëtoi nga burgu ish-nënkryetarin e komunës së Levanit, Eqerem Braçi, pasi vendosi të rrëzojë njërën nga dy akuzat e ngritura më parë ndaj tij. Vendimi i mbështetur edhe nga prokuroria e Apelit u shpall më 21 mars dhe e kurseu ish-zyrtarin lokal nga dënimi me 10 vjet burg që kishte marrë në Gjykatën e shkallës së parë.

Eqerem Braçi akuzohej për veprat e falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, lidhur me tentativën e paligjshme të marrjes në pronësi dhe shfrytëzimit të 10 mijë metra katrorë tokë në zonën e Levanit.

Më 25 tetor 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e dënoi Braçin me 10 vjet burg dhe i ndaloi atij për 2 vjet ushtrimin e funksioneve publike, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të komunës, mes të cilëve edhe ish-kryetari Xheladin Malaj morën dënime deri në 1 vit burg për falsifikime apo shpërdorim detyre.

Por ndryshe nga Gjykata e Fierit, Apeli i Vlorës ka lënë në fuqi vetëm dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për “falsifikim dokumentesh” për Braçin, ndërkohë që ekzekutimi i tij është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh.

Akuzat për falsifikim dhe pastrim parash nuk janë të vetmet e ngritura ndaj ish-nënkryetarit të komunës së Levanit. Në mars të vitit 2014, Braçi u arrestua nga policia për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, por ai fitoi më pas pafajësinë në gjykatë.

Konflikti për Kodrën e Jarusë  

Hetimi për marrjen e një sipërfaqeje toke përmes dokumenteve të falsifikuara nisi në vjeshtën e vitit 2014, kur kompania “Gant Construction SHPK” denoncoi në prokurorinë e Fierit zyrtarët e asaj kohe të komunës Levan. “Gant Construction” me pronar Alket Metushin i akuzoi zyrtarët se i kishin bllokuar aktivitetin e shfrytëzimit të një kodre mes fshatrave Levan dhe Shtyllas për nxjerrje zhavorri, duke i shkaktuar një dëm prej 20 milionë lekësh.

Nga hetimet rezultoi ish-nënkryetari i komunës së Levanit, Eqerem Braçi zotëronte katër parcela toke të përfituara përmes ligjit 7501, ndërkohë që ai regjistroi në emrin e tij edhe një parcelë të pestë, pjesë e Kodrës së Jarusë mes fshatrave Shtyllas dhe Levan, që sipas Prokurorisë dhe dy gjykatave ishte marrë përmes dokumenteve të falsifikuara.

Kjo parcelë toke nuk kishte pasur ndonjë vlerë të veçantë deri në momentin kur u miratua vendimi i qeverisë për autostradën Durrës-Fier, ku veç njollës ku do kalonte rruga, u përcaktua Kodra e Jarusë si vendi prej nga do të merreshin materialet inerte që duheshin për ndërtimin.

Hetimi i Prokurorisë zbuloi se Braçi ia shiti tokën e kontestuar kompanisë “C.A.E” sh.p.k për 20 milionë lekë. Pas këtij transaksioni, kompania C.A.E siguroi lejen e shfrytëzimit për inerte, aktivitet që i ishte pezulluar më parë kompanisë “Gant Construction”.

Falsifikim, por jo pastrim parash

Pas vendimit të Gjykatës së Fierit, çështja e ish-zyrtarëve të komunës Levan kaloi për shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Vlorës, me trupë gjyqësore të drejtuar nga Margarita Buhali dhe anëtarë Sokol Ngresin dhe Skënder Daminin.

Më 21 mars 2019, Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin që e çliron Braçin nga akuza e pastrimit të produkteve penale, dhe rrjedhimisht nga dënimi me burg.

Sipas vendimit të Apelit të Vlorës, Eqerem Braçi i ka vënë në dispozicion kompanisë C.A.E aktin e marrjes në pronësi të pesë parcelave, mes të cilave ndodhej edhe pasuria 229/1 prej 10 mijë metrash katrorë tokë. Njësoj si gjykata e shkallës së parë, edhe Gjykata e Apelit arrin në përfundimin se akti i marrjes në pronësi të tokës me nr. 229/1 ishte i falsifikuar.

“Pjesë e disponimit me këtë akt është pasuria me nr.229/1, e cila ndodhet në fshatin Shtyllas dhe jo në fshatin Levan. Akti i marrjes së tokës në pronësi nr.20834, date 06.07.1995, është lëshuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës së fshatit Levan, i cili në bazë të ligjit nr.7501 dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji, nuk kishte asnjë kompetencë të bënte disponime për ndarjen e tokës në një fshat tjetër jashtë kompetencës së tij tokësore,” thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Sipas vendimit, nga analiza e fakteve rezulton e provuar se i pandehuri Eqerem Braçi ka qënë në dijeni të përmbajtjes së falsifikuar të aktit të marrjes së tokës në pronësi, të lëshuar në favor të tij. Gjykata shton se ai e ka përdorur këtë dokument më shumë se njëherë, jo vetëm për të përfituar një pasuri pa qënë pronar i saj, por njëkohësisht për të përfituar interesa pasurie nga kalimi i saj për shfrytëzim shoqërisë “C.A.E. shpk” me të cilën kishte lidhur edhe kontratën e premtimit të shitjes.

Gjykata argumenton se edhe katër zyrtarët e tjerë të ish-komunës Levan kanë qenë në dijeni të të njëjtave fakte dhe se e kanë kryer falsifikimin dhe shpërdorimin e detyrës me dijeni të plotë, duke hedhur poshtë pretendimin e të pesë të pandehurve se ishin të pafajshëm.

Por ndryshe nga Shkalla e Parë, trupa gjykuese e Apelit Vlorë kanë vlerësuar se ndaj të akuzuarit Eqerem Braçi nuk qëndron akuza e “pastrimit të produkteve të veprës penale”.

“Lidhur me veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal, Gjykata e Apelit Vlorë, çmon se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, për këtë pjesë, duhet të prishet dhe çështja të pushohet, pasi nuk provohet kryerja e veprës penale nga i pandehuri Eqerem Braçi,” citohet në vendim.

Trupi gjykues e ka mbështetur vendimin e tij edhe te qëndrimi i prokurorit të Apelit të Vlorës, i cili kërkoi pushimin e çështjes për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Prokurori pretendoi se kontrata e premtimit të shitjes nuk provon që i pandehuri të kishte konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ku pasuria e përfituar si produkt i veprës penale të falsifikimit, të ishte disponuar në favor të të tretëve për të fshehur pasojat e kësaj vepre,” thuhet në vendim.

“Në kushtet kur prokurori si organ i akuzës çmon se fakti nuk përbën vepër penale, gjykata nuk mund të marrë atributet e prokurorit duke çmuar të kundërtën, pasi ngritja e akuzës është kompetencë e organit të akuzës,” shtohet në vendim.

Por edhe vetë gjykata e Apelit Vlorë ka çmuar se në thelb nuk provohet ekzistenca e veprës penale “pastrimi i produkteve të veprës penale”, pavarësisht se ish-nënkryetari i komunës e ka shitur atë për 20 milionë lekë.

“Veprimi juridik për kalimin e pronësisë ‘Kontratë premtim-shitje’ Nr.1279 Rep, Nr.2307 Kol. datë 17.09.2014 ka qenë i hapur. I pandehuri e ka pretenduar pronë të tijën objektin në kontratë, ai as nuk ka dashur dhe as nuk është munduar të fshehë apo mbulojë origjinën e pasurisë mbi parcelën Nr.229.1.  Në këto rrethana, për këtë vepër penale, i pandehuri Eqrem Braçi duhet të deklarohet i pafajshëm…,”, thuhet në vendim.

Gjykata përmend se për pezullimin e dënimit ka marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Eqerem Braçi.