Lajm12 Nov 2021

Pikëpyetjet e shoqërisë civile për zgjatjen e mandatit të vetingut

Organizatat e shoqërisë civile paraqitën në Këshillin e Legjislacionit opinione dhe pikëpyetje për nismën e Partisë Socialiste për zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Përfaqësues të shoqërisë civile në mbledhjen e së premtes në Këshillin e Legjislacionit. Foto: Kuvendi i Shqipërisë.

Në një seancë dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit të premten, përfaqësues të shoqërisë civile dhanë opinionet e tyre për nismën e Partisë Socialiste për zgjatjen e mandatit kushtetues të institucioneve të vetingut.

I pranishëm në seancë ishte drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Dimension Human, CRCA dhe Komiteti Kombëtar i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë i dërguan opinionet e tyre me shkrim.

Krasniqi e quajti nismën e mazhorancës ‘një paradoks’, ndërsa theksoi shtyrja e mandatit do duhej të vinte si një kërkesë e institucioneve të pavarura të drejtësisë apo partnerëve ndërkombëtarë dhe jo si një nismë politike. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi standardet e rivlerësimit apo garancitë se ndryshimi i afateve do të sillte përfundimin e procesit të vetingut.

“Gjatë periudhës 2018-2021, KPA ka rrëzuar 25% ose 1 në 4 vendime të KPK-së. Kjo është një përqindje shumë e lartë rrëzimi dhe tregues se nuk janë aplikuar të njëjtat standarde për të njëjtat subjekte rivlerësimi,” tha Krasniqi në seancë.

Ai shtoi gjithashtu se nismës i mundon një analizë profesionale për nevojën e shtyrjes së afatit dhe pse nuk funksionoi afati i paracaktuar në Kushtetutë.

“Çdo zgjidhje që do të jepet nga Kuvendi mbetet e mangët,” theksoi Krasniqi, ndërsa propozoi që Kuvendi të reflektojë dhe të marrë një rol koordinues ndaj reformës në drejtësi. Ai referoi gjithashtu një rast konflikti interesi mes firmëtarëve të nismës, që ka një familjar të afërt të punësuar në një prej organeve të vetingut.

Në opinionin e dërguar me shkrim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se procesi ka pasur zvarritje të pajustifikueshme këto pesë vite, por sugjeron zgjatjen e mandatit për institucionet e vetingut.

Si argument, KSHH sjell faktin se organet e tjera të parashikuara në Kushtetutë për të marrë në dorë vetingun, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk kanë përvojë në këtë proces dhe do të përballen me vështirësi.

“Në zbatimin praktik të tij prej këtyre organeve, mund të vërtetoheshin edhe raste të konfliktit të interesit, pa përjashtuar edhe raste të veçanta të njëanshmërisë, për shkak të kompozimit të këtyre institucioneve,” thekson KSHH.

Përfaqësuesit e opozitës nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Legjislativ, ndërsa e kushtëzojnë praninë e tyre me kërkesën për të bashkuar dy nismat për ndryshime kushtetuese në një kalendar diskutimesh. Nisma e Partisë Demokratike për vetingun e politikanëve po diskutohet paralelisht nga ky këshill.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *