Të dhënat paraprake të botuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sugjerojnë se 21,82 % të votuesve morën pjesë në zgjedhjet vendore të së dielës, shifër kjo që kontestohet nga opozita.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dielën 771,863 votues hodhën votën në zgjedhjet vendore të cilat u bojkotuan nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo shifër përben 21.82 % të 3.5 milion shqiptarëve që janë të regjistruar në listat elektorale.
Të drejtën e votës në Shqipëri e kanë të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç të regjistruar në regjistrin civil, përtej faktit nëse ato jetojnë në Shqipëri ose jo. Në këtë listë përfshihen edhe personalitete të huaja që kanë marrë shtetësi shqiptare, si për shembull ish-trajneri i kombëtares Gianni de Biasi apo këngëtari italian Albano Carrisi.
Bashkia me pjesëmarrjen më të ulët të zgjedhësve të dielën sipas KQZ-së ishte bashkia e Shkodrës me 9,67 % të votave, ndërkohë bashkia me pjesëmarrjen më të lartë ishte bashkia e Pustecit me 55,44 % të votave.
Të dhënat e KQZ-së janë kontestuar nga Partia Demokratike, e cila ka akuzuar Partinë Socialiste dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për manipulim të rezultatit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 15.2 %, ose e përkthyer në shifra në zgjedhjet e së dielës kanë marrë pjesë 537 mijë votues.
*Ky artikull është amenduar për të korrektuar shifrën e përgjithshme të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Më parë Reporter.al gabimisht ka raportuar se pjesëmarrja ka qenë 24.02 %. Kjo shifër është botuar e tillë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por përpjesëtimi i numrit total të votuesve me listën e zgjedhjeve e tregon pjesëmarrjen paraprake si 21.8 % të votave.