Lëvizjet për të legalizuar martesat e të njëjtit seks në vendin ballkanas me kushte të kufizuara kanë zemëruar grupet konservatore si edhe aktivistët e LGBT-së.
Kisha Ortodokse serbe dhe partitë opozitare konservatore të Malit të Zi kanë dënuar planet për të lejuar martesën e të njëjtit seks në Mal të Zi – ndërsa organizatat LGBT thonë se ligji i propozuar u jep atyre shumë pak të drejta.
Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e Malit të Zi ka hartuar një ligj mbi partneritetin e regjistruar në një përpjekje të re për të legalizuar martesat e homoseksualëve, duke shkaktuar një debat të nxehtë në mediat sociale, me komente që kryesisht e kundërshtojnë idenë.
Sipas projektligjit, çiftet e të njëjtit seks do të të njihen si lidhje të ligjshme, por s’do të kenë të drejta të njëjta si meshkujt dhe femrat e martuara.
Për shembull, ata nuk do të lejohen të birësojnë apo kenë në kujdestari fëmijë, gjë e cila organizata për të drejtat e njeriut thotë se kufizon të drejtat e LGBT-së dhe çiftet e të njëjtit seks nuk do të njihen si familje.
OJQ-ja “Queer Montenegro” gjithashtu paralajmëroi kundër abuzimit të ligjit të propozuar për qëllime politike, sidomos para zgjedhjeve lokale në Mal të Zi.
“Për politikanët dhe deputetët, të cilët duhet të përfaqësojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, është e papranueshme të përdorin personat LGBTIQ, si dhe grupe të tjera shoqërore, të drejtat e të cilëve janë të kërcënuara, për të përmbushur ambiciet e tyre,” tha të mërkurën OJQ-ja.
Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe aleanca më e fortë opozitare, Fronti Demokratik, e kundërshtojnë projektligjin për arsye krejtësisht të ndryshme.
Fronti pro-rus tha se nëse ligji miratohet, ai do të shkatërronte jetën familjare dhe vlerat e krishtera në Mal të Zi.
“Kjo është përfundimisht një temë që po i imponohet njerëzve dhe projekti përfundimtar i Paktit të NATO-s për zbërthimin e qelizës bazë të shoqërisë, familjes dhe të vlerave tradicionale të krishtera të Malit të Zi,” tha një zyrtar i Frontit, Miodrag Besoviç, të hënën, duke përsëritur kundërshtimet e hidhura të partisë së tij ndaj pranimit të Malit të Zi në NATO.
Besoviç tha se martesat e të njëjtit seks nuk kanë vend në Malin e Zi, me traditat e tij të thella ortodokse.
Kisha Ortodokse Serbe gjithashtu e ka kritikuar ligjin, duke thënë se ky do të ishte një hap i madh drejt shkatërrimit të familjes dhe moralit të shoqërisë malazeze.
Peshkopi kryesor i saj në vend, Metropolitan Amfilohije, tha se bashkimet e të njëjtit seks ose partneritetet e regjistruara, termi i përdorur në ligj, do të ishin njësoj si martesat dhe do të ishin gabim për Malin e Zi.
“Pyetja që lind është se çfarë është ‘dashuria’ e propaganduar nga personat LGBT? Vetëm ajo dashuri që jep është një dashuri e vërtetë,” tha ai.
Mali i Zi planifikoi të legalizonte martesat mes homoseksualëve në vitin 2014, por përpjekja e parë dështoi.
Homoseksualiteti mbetet një çështje e nxehtë në vendin konservator, njësoj si në çdo vend tjetër na Ballkan.
Sondazhet e mëhershme kanë sugjeruar se 71 për qind e qytetarëve në Mal të Zi e konsiderojnë homoseksualitetin një sëmundje dhe se çdo qytetar i dytë pajtohet me idenë se homoseksualiteti është një rrezik për shoqërinë dhe se shteti duhet ta shtypë atë.