Lajm18 May 2020

Policia kap 38 kilogram heroinë në Durrës, fara cannabis në Vlorë

Polica njoftoi të hënën kapjen e sasive të mëdha droge në Durrës dhe Vlorë, shenjë që linjat e trafikut nuk janë ndikuar nga koronavirusi i ri SARS-CoV-2.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Heroina e kapur në Durrës | Foto : nga Policia e Shtetit

Policia njoftoi të hënën sekuestrimin e 38 kilogramëve heroinë në portin e Durrësit, që po tentohej të trafikohej me kamion drejt Italisë dhe të 11 mijë farave cannabis sativa që ishin dërguar me postë nga Spanja drejt Vlorës.

Shumica e farave të hashashit ishin të destinuara për tu kultivuar në ambjente të mbyllura, ndërsa pjesa tjetër në natyrë.

Një person u ndalua mbrëmjen e të dielës teksa po tentonte të trafikonte drejt Italisë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë. Policia e Shtetit njoftoi të hënën se policia Kufitare dhe Seksioni Kundër Narkotikëve Durrës, ka arrestuar 49-vjeçarin Dhimitër Zykaj pasi po transportonte me kamion 68 pako me lëndë narkotike të llojit heroinë me peshë totale 38 kg, që është sekuestruar.

Në njoftim shpjegohet se kontrolli është ushtruar në mënyrë të rastësishme, bazuar në analizën e riskut. Nga kontrolli i kryer në vijën e dytë të kamionëve, në atë që drejtohej nga Dhimitër Zykaj, poshtë sediljeve, janë konstatuar dy vende të fshehura brenda të cilëve gjendeshin pakot me heroinë. Policia ja ka përcjellë materialet hetimore Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim”.

Po të hënën, policia njoftoi edhe një operacion tjetër antidrogë në Vlorë, ku si pasojë janë sekuestruar 11 mijë fara cannabis sativa që kanë mbërritur nga Spanja. Policia shpjegon se pas informacioneve të marra operativisht, në Degën Doganore Tiranë është konstatuar një pliko postare me përmbajtje të dyshimtë e ardhur nga Spanja, me destinacion qytetin e Vlorës.

“Më datë 16.05.2020, nga ana e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore, në kuadër të dorëzimit të kontrolluar, në momentin e tërheqjes së pakos postare në qytetin e Vlorës, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit me iniciale O. C., vjeç 30, lindur dhe banues në Vlorë”, citohet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy qese që përmbanin fara të bimës cannabis sativa, konkretisht 7000 fara të cilësisë së lartë për kultivim me llamba elektrike dhe 4000 fara për mbjellje në natyrë.