Lajm22 Apr 2019

Policia ndalon 4 të dyshuar për grabitjen e aeroportit të Rinasit

Policia e Shtetit njoftoi se kishte ndaluar një 38 vjeçar nga Kruja dhe tre persona të tjerë nga Elbasani për përfshirjen në grabitjen e armatosur të 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ekspertë të policisë shkencore duke kërkuar për prova, në vendin ku policia shkëmbeu zjarr me grabitësit e armatosur, të cilët vodhën një sasi të panjohur parash brenda pistës së aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, Tiranë më 9 prill 2019. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Policia e Shtetit njoftoi të hënën ndalimin e katër personave të dyshuar për përfshirje në grabitjen me armë të një sasie të madhe parash në aeroportin e Rinasit më 9 prill, kur gjatë tentativës për t’u larguar mbeti i vrarë një prej autorëve, Admir Murataj.

Sipas njoftimit të policisë, të ndaluarit janë një 38-vjeçar nga Kruja me inicialet O.V si dhe tre të dyshuar të tjerë nga Elbasani, njëri prej të cilëve i dënuar më parë për “prodhim lëndësh narkotike”.

Policia nuk dha detaje për rolin që luajtën katër të dyshuarit në grabitjen e 9 prillit, e cila shënoi edhe thyerjen e rëndë të sigurisë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Por sipas njoftimit, kontrollet e kryera në kuadër të ndalimeve kanë gjetur dhe sekuestruar prova të shumta, të cilat sipas policisë do të shërbejnë për thellimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Mesditën e 9 prillit, disa grabitës të maskuar dhe të armatosur thyen derën e zjarrfikëseve dhe pasi hynë në pistën e aeroportit, grabitën një sasi të madhe parash që po ngarkoheshin në avionin e linjës “Austrian Airlines”.

Policia njoftoi atëherë se, makina e grabitësve është ndjekur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia kufitare e Rinasit përgjatë një rruge dytësore, ku pas shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur njëri prej autorëve të grabitjes, që më pas u mësua se ishte Admir Murataj.

Pas ndalimit të katër të dyshuarve, policia deklaron se ia ka kaluar materialet kundër tyre Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Akuzat e ngritura nga policia janë “vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, “armëmbajtje pa leje” dhe “vrasje e punonjësve të policisë”, e mbetur në tentativë.

Grabitja e 9 prillit nuk ishte e vetmja e ndodhur brenda rrethimit të aeroportit të Rinasit.

Në qershor të vitit 2016, tre persona të maskuar brenda një makine thyen perimetrin e sigurisë së aeroportit të Rinasit dhe grabitën 995 mijë euro nën kërcënimin e armëve, në momentin që paratë po transportoheshin brenda një avioni. Autorët mbetën të paidentifikuar, por Prokuroria procedoi disa punonjës të aeroportit për shkelje të rregullave të sigurisë.

Në shkurt 2017, një tjetër makinë që transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë u grabit në rrugën drejt Rinasit. Autorët e kësaj ngjarjeje përfunduan në pranga.

Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit më datë 9 prill akuzohej për grabitje të tre bankave dhe se arriti të investojë miliona lekë në pasuri të patundshme pa u vënë re nga institucionet përgjegjëse.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon 46-vjeçarin me origjinë nga Tropoja si “trurin” e një grupi të strukturuar kriminal, përgjegjës për grabitjen e armatosur të rreth 7 milionë eurove në ngjarjet e 13 shkurtit 2015 pranë stacionit të Trenit në Tiranë si dhe dy grabitjet e tjera të ndodhura në afërsi të Qafë Kasharit në dhjetor 2015 dhe shkurt të vitit 2017.