Kongresmeni amerikan Eliot Engel dhe senatori Bob Menendez i bënë thirrje administratës Trump t’i jape fund taktikave “të rënda” me qeverinë e Albin Kurtit në Kosovë, tre javë pasi administrata e tij u rrëzua me një mocion mosbesimi.
Eliot Engel, kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Bob Menendez, anëtar i lartë i Senatit Amerikan, i dërguan një letër të përbashkët Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo të hënën duke kërkuar që administrata Trump të lehtësojë presionin e saj ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurti dhe administratës së tij në largim.
Që kur erdhi në detyrë më 3 shkurt, Kurti ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga i dërguari amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për të hequr tarifat për importet e mallrave serbe që u vendosën vitin e kaluar.
“SHBA-ja ka ndërmarrë një qasje të rëndë ndaj qeverisë së zgjedhur në Kosovë. Ndërkohë që je pajtohemi që tarifat e Kosovës për mallrat serbe – të cilat tani janë hequr – kryesisht dëmtojnë Kosovën dhe qytetarët e saj, ky mjet është përdorur nga qeveritë në të gjithë botën, shpesh përfshirë edhe administratën Trump”, thanë Engel dhe Menendez në letër.
“Kosova është një aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara dhe ne ju bëjmë thirrje që të adoptoni një qasje të kujdesshme dhe konstruktive me qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shkruan ata.
Ata paralajmëruan se Shtëpia e Bardhë po merrte një qasje të paekuilibruar ndaj situatës Kosovë-Serbi, duke e ndëshkuar padrejtësisht qeverinë Kurti ndërsa nuk arritën të bëjnë presion ndaj Serbisë që kjo e fundit t’i japë fund fushatës së saj për të bindur shtete në të gjithë botën që të tërheqin mbrapsht njohjen e Kosovës, ose për të kontrolluar marrëdhëniet e thelluara të qeverisë së Beogradit me Rusinë.
Qeveria e Kurtit ra pas një mocioni mosbesimi që u thirr pasi kryeministri shkarkoi ministrin e brendshëm Agim Veliu, anëtar i partisë partnere në koalicionin qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, më 18 mars pas mosmarrëveshjeve për mënyrën se si të luftonin përhapjen e koronavirusit.
Por prapaskena e rënies së qeverisë është divergjenca midis BE-së dhe SHBA-së mbi mënyrën sesi të ndërmjetësohet një marrëveshje për të zgjidhur marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës.