Lajm14 Sep 2018

Problemet me aftësitë profesionale, Komisioneri apelon vendimin për Gentian Medjan

Komisioneri Publik njoftoi apelimin në Kolegjin e Posaçëm të vendimit për gjykatësin Gentian Medja. Ai i kërkon KPA  standardizim të indikatorëve rreth vlerësimit profesional. Medja u konfirmua me shumicë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por menjëherë pas vendimit ONM kërkoi apelim të tij.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Gentian Medja në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Duke e cilësuar të paplotë rivlerësimin në kriterin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik njoftoi të premten se kishte apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për gjykatësin e Gjykatës Administrative Gentian Medja.

Apelimi për Medjan ishte kërkuar pak ditë pas vendimit për konfirmim edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ndërsa Komisioneri i ka bashkangjitur atij edhe një kërkesë ndaj Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të standardizuar indikatorët që KPK duhet të përdorë sa i përket profesionalizmit.

Medja u konfirmua në fillim të gushtit me shumicë votash në KPK. Pro konfirmimit u shprehën kryesuesi Roland Ilia dhe relatorja Firdes Shuli, ndërsa anëtarja e trupës gjykuese Xhensila Pine kërkoi shkarkimin duke argumentuar se gjykatësi kishte “një model pune dhe gjykim të dobët”, nuk respektonte të drejtat e palëve dhe nuk ishte efektiv.

Komisioneri i cili mbron të drejtat e publikut gjatë procesit të rivlerësimit, ka apeluar deri tani 6 vendime të KPK-së, përfshi atë për kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj,  gjykatësit Alma Brati e Astrit Faqolli dhe prokuroren Antoneta Sevdari.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili vëzhgon procesin e vetingut, i ka kërkuar të apelojë vendimet e KPK-së për gjykatësit Xhezair Zaganjori  e Artur Malaj dhe prokurorin Gentjan Osmani.

Lexo edhe:

Në njoftimin për shtyp Komisioneri thotë se rivlerësimi i profesionalizmit në rastin e Medjas kishte qenë i paplotë.  “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk është i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Gentian Medja”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Komisioneri thotë se vendimi i tij po ashtu mbështet në “rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së”, ndërsa shpjegon se “Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryejë rivlerësimin e aftësive profesionale të z. Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore”.

Komisioneri thotë se kërkon nga KPA që të vendosë bazuar mbi këtë rast kritere me të qarta sa i përket rivlerësimit të profesionalizmit.  “Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i sugjeron Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën e kryerjes në vazhdimësi së rivlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Problemet me aftësitë profesionale iu vunë në dukje Medjas edhe gjatë seancës dëgjimore, ndërsa në vendimin e zbardhur të KPK, anëtarja e Komisionit Xhensile Pina kundërshtoi shumicë duke argumentuar se Medja duhej shkarkuar.

Ndërkohë që dy anëtarët e tjerë të trupës së KPK-së, kryesuesi dhe relatorja, pranuan shumicën e arsyetimeve të Medjas. Megjithëse ata vunë në dukje se vonesat në gjykim mund të konsideroheshin si të  barazvlefshme me një “mosdhënie drejtësie”, e justifikuan gjykatësin duke iu referuar mungesës së pasurisë së tij.  “Përpos kësaj, “Mosdhënia e drejtësisë” nga ana e subjektit të rivlerësimit do të kishte reflektuar sadopak në vlerën pasurore të aseteve të tij, apo në etikën dhe pastërtinë e figurës, për të cilat nuk kanë rezultuar ankesa apo të dhëna negative nga burime të çdo lloji qofshin”, thuhet në arsyetim e KPK-së për këtë rast. Po ashtu në favor të gjykatësit u përdor edhe ngarkesa në punë.

Ndërkohë në mendimin e pakicës Xhensila Pine thotë se Medjas i ishin gjetur të meta në mënyrën e trajtimit të çështjeve si nga KLD ashtu edhe nga trupi gjykues. Ajo vë në dukje se përndryshe nga shumica që i ka parë të metat si çështje rrethanash, përfshi ngarkesën në punë, problemet përsëriteshin. “Këto të meta përsëriten në të gjitha çështjet, ose të paktën në shumicën e tyre. Duke marrë parasysh se 10 nga 13 çështjet janë përzgjedhur me short, rezulton se ka një model të metash, i cili nuk kufizohet vetëm në të meta rastësore”, argumenton Pine në vendimin e arsyetuar të KPK-së. Ajo thotë se shumica “duhej te vendoste shkarkimin nga detyra të këtij subjekti”.