Lajm25 Jul 2019

Problemet me pasurinë rrezikojnë karrierën e gjyqtares Dhurata Haveri

Gjyqtarja e Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri u përball me akuzat për mungesë burimesh të ligjshme në blerjen e dy apartamenteve dhe prona të tjera, ndërkohë që ajo i kundërshtoi gjetjen e KPK-së si “tabela numrash” dhe pretendoi se të ardhurat i janë hequr padrejtësisht.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri dhe avokatja e saj në seanën dëgjimore të 24 korrikut 2019.

Dhurata Haveri, gjyqtare e Apelit për Krime të Rënda prej 15 vitesh u ballafaqua të mërkurën me probleme të pasurisë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për Haverin përbëhet nga Olsi Komici kryesues, Suela Zhegu relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Pavarësisht raportit pozitiv të ILDKPKI, Komisioni i mbylli hetimet për gjyqtaren Haveri vetëm për kriterin e pasurisë. Sipas relatores Suela Zhegu, gjatë hetimit administrativ janë konstatuar mungesë burimesh të ligjshme si dhe mospërputhje mes deklaratave dhe pasaktësi.

Komisioni ka gjetur probleme mbi burimin e një apartamenti me sipërfaqe 140 m2 në Tiranë, blerë në vitin 2003 për 69 300 euro. Si burim të krijimit, gjyqtarja Haveri ka deklaruar të ardhurat nga pagat, ato të përfituara nga shtija e një apartamenti tjetër në Shkodër dhe një kredi.

Relatorja Zhegu pohoi se Komisioni ka kryer analizë financiare për burimin e krijimit të këtij apartamenti, nga ku ka rezultuar se apartamenti në Shkodër është shitur në 28 qershor të vitit 2004 në vlerën 2 milionë lekë, ku bashkëshorti i saj ka qenë bashkëpronar me 1/5 pjesë takuese.

“Komisioni ka konstatuar se nuk ka pasur akt dhurimi të pjesëve takuese nga ana e familjarëve të bashkëshortit të gjyqtares Haveri dhe për pasojë nuk është vërtetuar se janë përfituar 2 milionë lekë prej kësaj shitjeje,” tha relatorja. Ajo identifikoi mospërputhje mes vlerës 2.6 milionë lekë të shitjes së apartamentit të pasqyruar në deklaratën e vitit 2004 nga gjyqtarja Haveri dhe vlerës 2 milionë lekë të pasqyruar në kontratën e shitjes.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu mungesë të ardhurash për të paguar këstet e një kredie si dhe dokumentacioni për një hua prej 15 mijë eurosh. Ndërkohë, analiza financiare rezulton negative për vitet 1991-2004; ku Komisioni vlerësoi mungesë burimesh financiare për shpenzimet e jetesës, udhëtimet dhe mobilimin.

Relatorja Zhegu shtoi gjithashtu se gjyqtarja Haveri nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve për një apartament të blerë në Shkodër për 4.7 milionë lekë.

“Subjekti ka deklaruar një huadhënie 5 milionë lekë të marrë në janar të vitit 2011 si burim krijimi për këtë pasuri dhe se e ka likujduar atë ndër vite.  Subjekti nuk provoi se huadhënësi kishte mundësi financiare për dhënien e vlerës 5 milionë lekë,”, tha relatorja Zhegu.

Relatorja Zhegu u shpeh se subjekti nuk ka dhënë shpjegime as për gjendjen cash dhe se nuk provoi burimet e ligjshme për huanë dhe pagesat.  Zhegu shtoi se, pas kalimit të barrës së proves, gjyqtarja Haveri ka paraqitur dokumente dhe shpjegime të cilat do të merren parasysh gjatë vendimarrjes.

Komisioni ngriti gjithashtu dyshime se një kredi e butë e përdorur si burim për blerjen e një apartamenti në Farkë të Tiranës është përfituar në kundërshtim me ligjin. Sipas relatores Zhegu, për këtë apartament me sipërfaqe 95 m2 + verandë 14 m2 me vlerë 60 mijë euro, gjyqtarja Haveri ka deklruar si burim krijimi të ardhurat nga puna dhe një kredi bankare të marrë në BKT.

“Subjekti ka marrë kredi të butë në kundërshtim me ligjin, pasi ndërkohë ajo zotëronte dy apartamente të tjera,” thuhet në relatim.

Gjyqtarja u përball gjithashtu me telashe të tjera, që lidhen me pikëpyetjet për mundësitë financiare për blerjen e një garazhi në Farkë për 5 mijë euro si dhe një makinë Citroen për 19 mijë euro.

“Subjekti ka kërkuar rivlerësimin e saj edhe në dy krietret e tjerë, atë të profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës. Por, trupi gjykues vlerëson se provat e deritanishme nuk përbëjnë shkak për njohjen e të dhënave për kriteret e tjera,” përfundoi Zhegu.

Gjyqtarja Dhurata Haveri, e asistuar edhe nga një avokate i kundërshtoi gjetjet e KPK-së gjatë fjalës së saj.

Ajo i cilësoi analizat financiare të KPK-së si “tabela numrash” dhe shtoi se ka kryer thuajse gjatë gjithë kohës dy punë në shtet, si gjyqtare dhe si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

“Gjithë deklarimi juaj vjen në të kundërt të asaj që kam deklaruar. Përmbajtja e shkresave është e përkthyer në të kundërt sa është shkruar dhe ndjej keqardhje se ndihem e dyzuar për atë që përfaqësoj. Ndërkohë, jam krenare dhe e gatshme që për çdo pikë që të sqaroj e argumentoj,” tha Haveri para trupit gjykues.

Për mospërputhjen e konstatuar nga Komisioni lidhur me shitjen e një apartamenti në Shkodër në vitin 2004, Haveri shpjegoi se diferenca ishte pjesa e pasurisë së luajtshme që gjendej në banesë. Ndërkohë, ajo quajti të pavërtetë konstatimin e KPK për mbylljen e kredisë në Shkodër pasi nuk ishte në gjendje ta shlyente.

Për mospërputhjen e likujdimit të apartamentit në Tiranë në vitin 2004 ajo pohoi se diferenca kohore ishte 10 ditë dhe argumentoi se në normalitetin e qytetarëve në vendin tonë, zgjidhen më parë marrëdhëniet mes njerëzve dhe pastaj nënshkruhen kontratat.

Për mungesën e dokumentacionit për pagesat nga viti ’91 e në vazhdim, Haveri fajësoi institucionet duke thënë se dokumentet duhej të mbaheshin prej tyre. Ajo u ndal edhe tek ligjshmëria e burimit të të ardhurave të huadhënësit për blerjen e apartamentit në Shkodër duke shpjeguar se personi në fjalë është kunati i saj dhe se është me profesion inxhinier-topograf. Haveri shtoi se ai ka pasur mundësi punësimi në projekte të ndryshme prej nga ka siguruar të ardhura të mjafuteshme.

“Kërkoj leximin e akteve sipas ligjit dhe garantimin e një procesi të rregullt. Nga analiza ime financiare e kryer nga ekspertë të njohur del gjithçka në harmoni,” tha gjyqtarja gjatë seancës dëgjimore.

Pas gjyqtares Haveri, e mori fjalën edhe mbrojtësja e saj ligjore, e cila pretendoi se nuk ishin pasqyruar në raport padrejtësisht disa të dhëna për të ardhurat e klientes së saj. Më tej ajo shtoi se Haveri ka qenë lektore në Shkodër dhe se ishte faji i institucioneve që nuk kishin vënë në dispozicion dokumente.

“Ju thoni se s’ka informacion nga sigurimet shoqërore, por rezulton qartazi se ka qenë e punësuar si lektore”, pohoi përfaqësuesja ligjore e Haverit.

Ajo u ndal edhe në përllogaritjen e shpenzimeve familjare për periudhën 1991-2003 duke thënë se për këtë zë ishte konsideruar 60% e pagës së bashkëshortit, me vlerë totale rreth 700 mijë lekë. Duke e cilësuar të gabuar arsyetimin e Komisionit, ajo shpjegoi se ligji i vitit 2004 për statistikat s’ka fuqi prapavepruese dhe s’mund të merret për bazë kjo metodologji, pasi sipas saj është në kundërshtim me ligjin.

“Gjyqtarja Haveri ka pasur ardhura të mjaftueshme dhe të ligjshme. Padrejtësisht nuk janë njohur të ardhurat e bashkëshortit nga viti 1991 deri në vitin 1999 dhe pse e kemi relatuar. Ai ka punuar si regjisor në teatrin “Migjeni” në Shkodër prej vitit 1991-2003. Gjithashtu nuk janë njohur të ardhurat e bashkëshortit të Haverit për periudhën 2010-2011 kur ai ka punuar në Radio-Televizionin Shqiptar,” tha avokatja.

Ajo shtoi se të gjitha provat tregonin të kundërtën e gjetjeve të Komisionit dhe se anashkalimi i tyre nga Komisioni është anësi për të dëmtuar subjektin.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Dhurata Haveri kërkoi konfirmimin në detyrë. “Duke shpresuar në objektivitetin tuaj dhe leximin e saktë të provave, kërkoj konfirmimin në detyrë,” u shpreh Haveri. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 1 gusht, ora 09:30.