Reportazh20 Mar 2019

Projekti i rikualifikimit kërcënon kalldrëmet e Gjirokastrës

Një projekt i financuar nga Banka Botërore për rikualifikimin e linjave nëntokësore në pazarin e Gjirokastrës, ka ngritur shqetësime se mund t’i shuajë karakterin historik zemrës së qyteti muze të mbrojtur nga UNESCO.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Mjeshtri gurëgdhendës Muhedin Makri | Foto nga : Raimond Kola

Tek heq syzet për të parë rrugët e pazarit me gurët e shkulur, Muhedin Makri ankohet se do jetë shumë e vështirë që kalldrëmet të bëhen si më parë.

“Duhet që mjeshtërit të bëjnë kalldrëmin e ri si forma e shpinës së peshkut që të rrjedhin ujërat nga të dy anët, duhet gur i mirë, po duhet edhe të mos kalojnë makinat për dy vjet,” shprehet Makri, një nga mjeshtrit e paktë të punimit të gurit të mbetur në Gjirokastër.

“Kalldrëmi i pazarit nuk duhej prishur i tëri pasi linjat e tubave mund të kalonin poshtë “pezuleve” (trotuarëve) dhe hap pas hapi vatrat e dëmtuara të kalldrëmit të vjetër mund të riparoheshin,” shton Makri, i cili i ka kaluar të tetëdhjetat dhe prej vitesh gdhend në një punishte të vogël në Qafën e Pazarit.

Si pasojë e një investim të financuar përmes një kredie të Bankës Botërore me rreth 1,3 milionë USD dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, disa qindra metër katrorë kalldrëme jashtë punishtes së Makrit janë shkulur për t’i hapur rrugë gërmimeve për të shtruar në pazarin historik 300-vjeçar tubacionet e ujërave, linjat e energjisë dhe telefonisë.

Ky investim po ngjall debate të mëdha për shkallën masive dhe të menjëhershme të ndërhyrjes dhe për heqjen e të gjitha kalldrëmeve 50 vjeçare – simbol i qytetit të gurtë.

Pas shkuljes së gurëve, autoritetet kanë dhënë garanci për rikthimin në gjendjen më të mire të kalldrëmeve, por të shumtë janë edhe ata që thonë se nuk ka asnjë mjeshtër gurgdhendës gjirokastrit në këtë projekt. Skepticizmi buron pasi disa investime në kalldrëme të tjerë vitet e fundit në Gjirokastër kanë sjellë rezultate të padëshiruara, pikërisht nga mungesa e mjeshtrave gurëgdhëndës.

Drejtori vendor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Pavli Mico shprehet se projekti i rikualifikimit të pazarit synon të ruaj në maksimum kalldrëmet e vjetra dhe traditën me të cilën ato janë punuar. Projekti  sipas tij do të sigurojë në pazarin e Gjirokastrës  rrjetin e  kanalizimit të ujërave të zeza, të shiut, furnizimi me ujë, energji, kalimin e fibrave optike, rrjetet telefonike, pajisjet dhe rrjetin kundër zjarrit, por edhe realizimin e disa punimeve shtesë si sheshe dhe çezma uji.

“Në projekt është parashikuar të hiqet kalldrëmi, të magazinohen gurët në gjendje të mirë dhe të rivendosen në gati 80% gurët e kalldrëmit të vjetër. Edhe trotuaret e këmbësorëve me punimet  e tjera do të jenë në përgjegjësinë e zhvillimit të traditës së mëparshme në pazar,” tha Mico.

“Kur kemi nisur këtë punë e dinim shumë mirë situatën në kalldrëmet e mëparshme dhe nuk do të ndodhë ajo që ka ndodhur me kalldrëmet në lagjen Varosh,”  shtoi ai.

Sfidat për projektin

Zona e Qafës së Pazarit gjatë punimeve | Foto: Raimond Kola

Qafa e Pazarit është zbukuruar me kalldrëme të reja në vitet 60- 70’. Njëri prej segmenteve qendrore nga sheshi për në Kala kishte edhe motive tradicionale të qilimta të punuara në gur të bardhë dhe të zi në vitin 1968 –  kur në Gjirokastër u mbajt Festivali i Parë Folklorik Kombëtar. Krahas kalldrëmeve, vjetërsinë e viteve e kishin fituar edhe elementë të tjerë të Pazarit, dhe kalimi i këmbësorëve i kishte latuar gurët dhe parmakët e mbulimit të trotuareve prej gati 50 vitesh, duke e bërë sipërfaqen jo penguese për ecjen e këmbësorëve. Kombinimi i gurëve të bardhë me të zinj, krahas forcimit të kalldrëmit ndikonte dhe në mos-rrëshqitjen, sidomos në kohë me shi.

Projekti paraprak për investimin “Rehabilitimi i Qafës së Pazarit Gjirokastër” është financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit dhe është hartuar nga Studio “Dea”.  Punimet për zbatimin e projektit janë kontraktuar pas një gare të hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me kompaninë “Leon Konstruction”, në një vlerë shumë afër shumës së prokuruar. Kompania është e njëjta që më parë ka zbatuar punimet për restaurimin e pazarit me një projekt të financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit në vlerën e rreth 2 milionë USD.

Të dhënat teknike flasin se punimet për projektin e dytë në pazar – atë të linjave nëntokësore, filluan në shtator dhe duhet të përfundojnë brenda një viti, ndërkohë që deri tani vlerësohet se janë kryer rreth 40% e punimeve.

Sipas drejtuesve teknikë të kompanisë, megjithë përpjekjet, punimet nuk pritet të përfundojnë brenda sezonit turistik, i cili nis në fillim të majit. Këtë vit vizitorët do të duhet të mësohen edhe me pamjet jo mbresëlënëse të pazarit dhe me mungesën e rrugëve të qilimta me kalldrëm guri.

“Shqetësimi tek qytetarët është rritur pas shkuljes masive të gurëve,” tha Ilir Gushi, anëtar në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës. “Pothuajse të gjitha ndërhyrjet e viteve të fundit në rrugët e tjera me kalldrëm kanë dështuar dhe pas disa muajsh në shumë zona kalldrëmet janë shqyer,” shtoi ai.

Qendra Historike e Gjirokastrës:
Gjirokastra historike është shpallur “Qytet – muze” dhe është vënë në mbrojtje shtetërore në qershor të vitit 1961. Qendra Historike e Gjirokastrës është shpallur Pasuri Botërore në korrik të vitit 2005, në bazë të kriterit “III” si një “dëshmi unike dhe e jashtëzakonshme e një tradite kulturore apo qytetërimi akoma të gjallë apo që është zhdukur dhe kriterit “IV ” , si një shembull i veçantë i një tipi ndërtimi apo ansambli arkitektonik apo teknologjik që është tregues i një apo disa fazave të rëndësishme në historinë e njerëzimit. Në vitin 2008 dosja në UNESCO është zgjeruar duke përfshirë edhe Qendrën Historike të Beratit dhe të dy Qendrat Historike janë cilësuar “pasuri në seri”, si shembuj të rrallë të arkitekturës tipike të periudhës osmane (shek. XVI – XX).

Përfaqësuesit e kompanisë zbatuese dhe drejtuesit vendorë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, janë  përballur gjatë javëve të fundit me kritika të forta në Këshillin Bashkiak.

“A keni [mundësi] të më thoni një emër mjeshtëri të vjetër që do t`i bëjë kalldrëmet,”  pyeti anëtar i Këshillit Bashkiak, Javer Bebej gjatë një mbledhje.

Ndërkohë, Hysen Kodra pronar i kompleksit turistik me të njëjtin emër në zemër të Pazarit, ankohet se biznesi i tij dhe i disa të tjerëve nuk është përfshirë në projekt për lidhjet me sistemet e ujit dhe të kanalizimeve .

“Po kërkojmë të rishihet mundësia e një shtese fondi që do të përfshijë edhe këto biznese në infrastrukturën nëntokësore, pasi do të duhej që më pas të rihapeshin përsëri kalldrëmet,” tha ai.

Pilo Dhame, përgjegjësi teknik i punimeve për Kompaninë “Leon Konstruksion” nuk i mohoi problemet, por ia faturoi ato kompanisë projektuese.

“Sfida e parë është se projekti i studios ka pasur mjaft probleme të pazgjidhura” tha zoti Dhame.

“Është një projekt pa sy, pa veshë dhe pa kokë që nuk afron zgjidhje për pikat lidhëse të ujërave,” nënvizoi ai, duke shtuar se kompanisë zbatuese iu desh të hapte edhe kalldrëmin tek një zonë afër godinës së Qarkut, jashtë projektit, për të parë pikat e bashkimit të kanalizimeve

Arkitekti Reshat Gega, i cili ka një përvojë të gjatë në punimet restauruese, shprehet se projekti është i domosdoshëm për rijetëzimin e pazarit të Gjirokastrës, por thekson se ndërhyrjet duheshin diskutuar më parë në nivel ekspertësh.

“Duhet bërë kujdes sidomos me hapjet masive të Ansamblit të Pazarit për të mos dëmtuar vlera autentike, pasi një seri zbulimesh rastësore gjatë punimeve kërkojnë ndërhyrje shpëtuese dhe konservuese,” tha ai.

“Edhe projekti në zbatim e sipër duhet të njohë përmirësime duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse të monumenteve dhe arkeologjisë,” nënvizoi Gega.

Gurët e Kalldrëmit të vjetër të Qafës së Pazarit | Foto nga : Raimond Kola