Lajm15 Mar 2019

Prokurorët e Hagës do të marrin në pyetje edhe dy ish-guerilas të tjerë

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Enver Shala dhe Bashkim Ndrecaj janë të fundit nga një sërë ish-guerilas që po thirren të merren në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e luftës dhe krimet e pasluftës.

Autor: Die Morina BIRN Prishtinë
Printo

Stema e uniformës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Foto: Wikimedia Commons/Adam Jones.

Enver Shala, një ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjermani, tha të mërkurën se ai është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Shala tha për Klan Kosova në Prishtinë se ai është ftuar si dëshmitar dhe do të shkojë në Hagë më 17 prill.

I pyetur pse prokurorët duan ta marrin në pyetje atë, ai u përgjigj: “Nuk kam asnjë ide.”

Sipas Klan Kosovës, gjatë luftës Shala ishte një oficer logjistik në degën e UÇK-së në Gjermani, ku vullnetarët shqiptarë etnik u ndihmoheshin për të shkuar në Kosovë dhe për të luftuar kundër forcave serbe.

Shala tha se mori ftesën për t’u marrë në pyetje ndërsa ishte në Hagë duke shoqëruar shokun e tij Ismet Tara, i cili shërbeu gjatë kohës së luftës si komandant i Brigadës 124 të UÇK-së me qendër në Rahovec në Kosovën perëndimore.

Tara u ftua për t’u marrë në pyetje si i dyshuar nga prokurorët e Hagës.

Pasi mbërriti në aeroportin e Prishtinës të mërkurën pas marrjes në pyetje, ai tha se ishte “shumë e lehtë të mbroje” luftën e UÇK-së kundër akuzave për kriminalitet.

“I pyetur se për çfarë e pyetën prokurorët, Tara u përgjigj: “Gjithçka. Për 32 orë më pyetën për gjithçka.”

Ndërkohë një tjetër ish-luftëtar i UÇK-së, Bashkim Ndrecaj, i cili tani është anëtar i kuvendit komunal për partinë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës në Suharekë, tha të enjten se ai është ftuar gjithashtu për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës.

“Sot mora një thirrje për t’u paraqitur më 21 maj 2019 në Dhomat e Specializuara në Hagë,” shkroi Ndrecaj në Facebook.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë priten të gjykojnë ish-luftëtarët e UÇK-së të paditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Sidoqoftë, asnjë aktakuzë nuk është bërë ende publike.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por janë të bazuara në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.