Lajm3 Apr 2018

Prokuroria kërkon të mbajë në qeli 11 protestues të rrugës Durrës-Kukës

Prokuroria e Kukësit i dorëzoi gjykatës kërkesat për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 23 protestuesve të arrestuar, duke kërkuar “arrest me burg” për 11 prej tyre dhe masa më të lehta sigurie për 12 të tjerët.

Autor: Bashkim Shala BIRN Tiranë
Printo

Një grup mbështetësish të qytetarëve të arrestuar në Kukës për protestën e rrugës Durrës-Kukës dhe anëtarë të Partisë Demokratike protestojnë para Drejtorisë së Policisë në Tiranë. 4 prill 2018. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Prokuroria e Kukësit i kërkon Gjykatës që të lërë në qeli 11 nga 23 të arrestuarit për protestën e së shtunës në rrugën Durrës-Kukës, ndërkohë që të akuzuarit e tjerë pritet të marrin masa më të lehta sigurie si “arresti shtëpiak” apo “detyrim për paraqitje”. Sipas kërkesës për vlerësimin e masave të sigurisë, një kopje e të cilës disponohet nga BIRN, Prokuroria i bën përgjegjës të arrestuarit për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës”, për të cilat Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burg.

Sipas Prokurorisë së Kukësit, të arrestuarit janë përgjegjës për dëmtimin e 12 punonjësve të policisë gjatë përleshjes së dhunshme të së shtunës si dhe për djegien dhe shkatërrimin e stacionit të kabinave që do të shërbenin për faturimin e përdoruesve të Rrugës së Kombit.

Prokuroria argumenton se protesta e 31 marsit, që u përshkallëzua më pas në dhunë nuk kishte marrë lejen e Policisë së Kukësit, pavarësisht kërkesës së bërë nga Këshilli Bashkiak.

“Nga ana e Komisariatit të Policisë Kukës nuk është miratuar leja për organizimin e kësaj proteste, pasi vendi ku do të zhvillohej ishte i papërshtatshëm për shkak se bllokohej lëvizja e automjeteve në aksin rrugor Kukës-Tiranë,” shkruhet në kërkesën e Prokurorisë.

Por pavarësisht refuzimit të lejes, Prokuroria thotë se protestuesit kanë çarë kordonin e policisë duke qëlluar me gurë dhe pasi janë futur në territor, kanë shkatërruar tërësisht terminalin e ndërtuar për vjeljen e taksës nga koncesionari. Ndryshe nga pretendimet e familjarëve të të arrestuarve, Prokuroria pretendon se arrestimet janë kryer nga oficerët e policisë gjyqësore mes orës 10:00 dhe 11:00 të datës 1 prill.

Por avokati Ilir Nerguti, i cili mbron dy prej të akuzuarve i tha BIRN se Prokuroria nuk ka pasqyruar asgjë në dosje për segmentin kohor nga ora 2:00 e mëngjesit të së dielës e deri në orën 10:00, kur sipas tij janë firmosur procesverbalet e urdhër-arresteve.

“Në dosje nuk ka asgjë të pasqyruar për këtë segment kohor, ndaj na del sikur janë ndaluar nga policia duke filluar nga ora 10:00. Edhe pyetja e tyre është bërë pa praninë e një avokati nga oficerët e policisë gjyqësore të Tiranës,” tha Nerguti për BIRN, duke shtuar se dy prokurorët e Kukësit i kanë marrë në pyetje në Tiranë vetëm më 2 prill.

Për të përligjur masat e arrestit, Prokuroria argumenton se akuzat e ngritura kundër protestuesve e tejkalojnë dënimin e parashikuar prej 4 vitesh si dhe ekziston rreziku i ikjes, “sikurse ka ndodhur me 13 personat e tjerë për të cilët është urdhëruar ndalimi por nuk është bërë i mundur ekzekutimi”. Prokuroria shton në kërkesën e drejtuar Gjykatës se ka mbledhur si prova të implikimit të të arrestuarve në aktet e dhunës procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, pamjet filmike, ekspertimet mjeko-ligjore të policëve të dëmtuar si dhe dëshmitë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.

Masa e sigurisë ndaj 23 personave të arrestuar ishte planifikuar për t’u zhvilluar të martën, por kancelari i Gjykatës së Kukësit, Shikim Korbi njoftoi se ajo do të zhvillohej të mërkurën në orën 9:00 për shkak të numrit të lartë të dosjeve.

“Infrastruktura e gjykatës nuk e lejon që të 23 të jenë në sallë, por do të shohim mundësinë, aq sa kemi, që seanca të zhvillohet brenda atyre kushteve që kemi,” tha kancelari Korbi.

Protesta e 31 marsit u thërrit nga anëtarët e të gjitha partive në Këshillin Bashkiak të Kukësit, të cilët kërkuan heqjen e tarifës për kalimin e tunelit të Kalimashit-e cila është parashikuar të mblidhet nga kompania koncesionare “Albanian Highway Concession”, AHC.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën “barbare” dhe paralajmëroi ndëshkime të ashpra ndaj atyre që ushtruan dhunë si dhe përjashtoi nga partia këshilltarët socialistë në bashkinë e Kukësit që mbështetën protestën. Ndërsa opozita e drejtuar nga Lulzim Basha e cilësoi protestën si “fillimin e mosbindjes civile” të qytetarëve ndaj qeverisë së Edi Ramës si dhe paralajmëroi protesta të tjera për rrëzimin e tij nga pushteti.