Kompania e Aeroportit të Rinasit, tashmë nën pronësinë e grupit Kastrati, deklaroi se do të ulë tarifën e përdorimit nga pasagjerët ndërsa premton investime të mëdha dhe kërkon “liberalizimin” e furnizimit të avionëve me karburant, një monopol tjetër multimilionësh në Shqipëri.
Pronari i ri i aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, grupi Kastrati, shpalli dëshirën që tregu i furnizimit me karburant të avionëve “të liberalizohet” duke shënjestruar në këtë mënyrë një monopol tjetër fitimprurës në Shqipëri, i cili aktualisht kontrollohet nga kompania Air BP.
Kastrati bleu aeroportin e Rinasit pak ditë më parë, një subjekt koncesionar, koncesioni i së cilës skadon në vitin 2027. Çmimi i paguar nga Kastrati ishte 70 milionë euro. Por pavarësisht se nga kontrata koncesionare kanë mbetur më pak se 6 vite jetë, Kastrati deklaroi në një njoftim për shtyp se ka në plan të investojë mbi 100 milionë euro, investime që duket se janë më të larta se sa fitimet e pritshme për periudhën e mbetur të koncesionit.
“TIA njofton se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit duke patur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve,” thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen e TIA-s.
“Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti,” vijon më tej njoftimi, pa sqaruar se për çfarë ndryshimesh në kontratën e koncesionit bëhet fjalë.
Aeroporti i Rinasit ka realizuar fitime deri në 2.5 miliardë lekë në vit dhe të ardhura në masën 7 miliardë lekë, por viti 2020 solli reduktimin drastik të udhëtimeve ajrore për shkak të pandemisë dhe gjasat për rekuperim të tregut janë të pakta së paku edhe për vitin aktual.
Por aeroporti i Rinasit nuk është monopoli i vetëm faktik në Shqipëri. Air BP, e cila është nën pronësinë e BP Holdings International B.V., një kompani e regjistruar në Holandë me pronarë të panjohur, kontrollon e vetme furnizimin e avionëve me karburant. Sipas të dhënave të bilancit të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Air BP realizoi 2.6 miliardë lekë të ardhura dhe 384 milionë lekë fitime gjatë vitit 2019.
Kastrati, pronari i ri i aeroportit, ka aktivitet kryesor importin dhe tregtimin e karburanteve.
Aeroporti deklaroi gjithashtu se do të ulë tarifën për pasagjer nga 12.5 në 10 euro dhe se synon të sjellë kompani të fluturimeve me çmime të ulëta.
“N ë njoftimin e parë zyrtar për këtë vit të ri, Tirana International Airport (TIA) bën me dije lajmin e mirë të uljes së tarifës së pasagjerit,” deklaroi kompania.
Koncesioni i Aeroportit të Rinasit u dha nga qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano me koncesion në vitin 2004 mes akuzave se po autorizonte krijimin e një monopoli. Përgjatë viteve, kompania e koncesionit mbajti tarifa të larta ndërsa kombinuar kjo me monopolin në furnizimin me karburant dhe konkurrencën e paktë në linjat kryesore të fluturimeve, shqiptarët vuajtën për më shumë se një dekadë nga çmimet e larta të fluturimeve ajrore. Në vitin 2016, qeveria e koalicionit Rama – Meta ra dakord me kompaninë e koncesionit për zgjatjen e kontratës së koncesionit me 2 vjet në shkëmbim të së drejtës për të hapur një aeroport të dytë në Kukës dhe një të tretë në Vlorë. Ndërsa nga zgjatja e kontratës së koncesionit kanë kaluar tashmë pesë vjet, asnjë nga aeroportet nuk është hapur.