Mbi dy mijë protestues, kryesisht banorë të Kukësit të cilët kundërshtojnë pagesën prej gati 5 euro për kalim në tunelin e Kalimashit, i vunë zjarrin vendpagesave të koncesionarit “Albanian Highway Concession”.
Mbi 2 mijë protestues të thirrur nga këshilltarë të Bashkisë së Kukësit, kundër tarifës së mirëmbajtjes së tunelit të Kalimashit dhe asaj që njihet si “Rruga e Kombit”, sulmuan me gurë dhe më pas u vunë flakën vendpagesave.
Protesta e cila ishte lajmëruar më herët gjatë një mbledhje të këshillit bashkiak, filloi e paqtë mëngjesin e të shtunës, por ndërsa policia tentoi të ndalonte, sipas disa dëshmive duke përdorur gaz lotsjellës, që protestuesit t’i afroheshin zonës ku është ndërtuar pika e mbledhjes së tarifës, këta të fundit kundërshtuan me forcë.
Protestuesit fillimisht përdorën gurë kundër Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët u përgjigjën duke qëlluar me shkopinj gome. Më pas policia, e cila nuk mundi të ndalonte protestuesit, u tërhoq, ndërsa këta të fundit thyen dhe dogjën sportelet dhe paisjet e instaluara. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa njoftoi për 12 punonjës policie të plagosur, një prej të cilëve rëndë. Nga pjesëmarrës në protestë thuhet se ka po ashtu edhe protestues të plagosur, por Ministri i Brendshëm nuk i përmendi këto në deklaratën pas protestës.
Arif Rexhmati, një prej këshilltarëve të PD-së në Bashkinë Kukës i tha BIRN se kërkesa kryesore ishte heqja e tarifës për qytetarët e Kukësit, Tropojës dhe Hasit, ndërsa akuzoi policinë për dhunën. “Protesta jonë nuk ka asnjë lidhje me dhunën, dhuna është nxitur nga policia që përdori gazlotsjellës pa qenë e nevojshme”, tha Rexhmati.
Kryeministri Edi Rama reagoi ndërkohë përmes një statusi në faqen e tij në Facebook duke e cilësuar protestën dhe shkatërrimin e vendpagesës “krim të rëndë që u krye ndaj pronës së përbashkët dhe investimit të kryer sipas ligjit”. Nga ana e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha u doli në krah protestuesve dhe tha se ajo ishte shenjë se “durimit i ka ardhur fundi”. Presidenti Ilir Meta kërkoi “evitimin e dhunës”, ndërsa u shpreh i shqetësuar për situatën.
Autostrada e pagëzuar “Rruga e Kombit” filloi të ndërtohej një dekadë më parë, ka kushtuar mbi 1 miliardë euro dhe nuk ka përfunduar ende në mjaft pjesë të saj. Ndërtimi i rrugës është shoqëruar me akuza për abuzime me fondet me disa qindra milion euro.
Po ashtu edhe koncesioni për mirëmbajtjen iu dha pas një sërë polemikash në vitin 2016 konsorciumit të kompanive “Catalyst Viva Das General Constracting LLC & Salillari shpk & “BEE Tech” & “ Violap Ateve” & “Kastrati” sha. Kompania e krijuar për këtë qëllim Albanian Highëay Concession, kontrollohet 50 për qind nga Kastrati Group dhe 50 për qind nga kompania Salillari. Sipas të dhënave publike për koncesionin mesatarisht çdo makinë që do të kalojë në këtë rrugë do të paguaj 5 euro me TVSH, ndërsa koncesionari do të marrë prej vitit të tretë të koncesionit edhe një shtesë prej 5 milion euro në vit (nga viti i tretë deri në atë të 15) si subvencionim të koncesionit.
Protesta kundër tarifës u thirr disa ditë më parë kryesisht nga këshilltartë të PD-së në Bashkinë e Kukësit, edhe pse tariafa u kundërshtua edhe nga këshilltarët e majtë në këtë bashki. Po ashtu pjesë e organizimit ishte shoqata e biznesve “BpB”(Biznesi për Biznesin) dhe organizata të shoqërisë civile që kundërshtojnë tarifimin e rrugës. Protestuesit që udhëtuan për në vendin ku është ndërtuar vendpagesa të organizuar me autobusë dhe makina private, fillimisht ndaluan disa metra larg sheshit.
Por ndërsa protestuesit kanë synuar t’i afrohen zonës ku janë vendosur godinat për kryerjen e pagesave, policia është përpjekur t’i ndalojë ata. Kjo ka shkaktuar irritim të protestuesve, një pjesë e të cilëve kanë sulmuar fillimisht me gurë punonjësit e FNSH-së të cilët synuan të ndalonin marshimin.
Punonjës të policisë lokale të pa paisur me mjete kundër protestës janë përpjekur të negociojnë me protestuesit, por kjo nuk ka sjellë qetësim të situatës.
Pasi policia është tërhequr protestuesit kanë sulmuar pikat e ngritura për të mbledhur tarifën dhe i kanë shkatërruar ato dhe më pas u kanë vënë flakën, ndërsa kanë bllokuar rrugën për rreth 4 orë. Pas kësaj policia ka dërguar në zonë një prej drejtuesve të saj nga Tirana, i cili ka negociuar shpërndarjen e protestuesve dhe hapjen e rrugës.
Protestues të ndryshëm i thanë BIRN se ata janë të vendosur të mos lejojnë fillimin e mbledhjes së tarifës. Ibsen Elezi, një tjetër këshilltar i PD-së që ndodhej në protestë, tha se ata do të vijonin të rezistonin kundër tarifës që sipas tyre izolon më tej zonën edhe kështu mjaft e varfër.
Pjesëmarrës në protestë po ashtu thanë se me vendosjen e tartifës për rrugën Kukësi izolohej plotësisht, pasi ajo ishte e papërballueshme për ta.
Pas shpërndarjes së protestuesve Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, dënoi atë që e quajti sulm të disa personave me precedentë penale ndaj policisë. “Grupe individësh të papërgjegjshëm në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale, si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit”, tha Xhafa. Ndërkohë një reagim pati edhe nga Prokuroria e Përgjithshme e cila njoftoi fillimin e hetimeve për shkaktarët e dhunës.
Më herët ndërkohë kryeministri Rama e cilësoi protestën “Dhunë barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagim të dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës”. Ai paralajmëroi ndëshkim për organizatorët. “Do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë!”, tha Rama.
Në krahun tjetër opozita akuzoi Ramën se kishte provokuar protestuesit, ndërsa e paralajmëroi atë se ky ishte vetëm fillimi dhe denoncoi tarifën si grabitje. “Ky është reagimi për grabitjen e dyfishtë që Rama i bën xhepave të shqiptarëve me taksën më të lartë të qarkullimit dhe me tarifën më të lartë për “Rrugën e Kombit”, tha Luzim Basha. Basha po ashtu i bëri thirrje kryeministrit të terhiqte policinë “dhe të ndalë dhunën barbare mbi protestuesit”.
Reagim në favor të protestës pati edhe nga LSI, e cila kontrollonte Ministrinë e Transporteve kur u lidh kontrata koncesionare për mirëmbajtjen e rrugës. “Ne kemi pasur izolimin politik tani Edi Rama po bën dhe izolimin ekonomik”, tha kryetarja e kësaj partie Monika Kryemadhi.
BIRN nuk mundi të kontaktonte me kompaninë koncensionare