Lajm24 Nov 2021

PS miraton në mënyrë të njëanshme planin hetimor për zgjedhjet

Socialistët votuan kundër planit hetimor të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit dhe kryetari Alibeaj deklaroi bllokimin e hetimit parlamentar. Më pas, socialistët votuan një plan paralel me ndryshime të njëanshme.

Autor: Blerina Gjoka BIRN Tiranë
Printo

Anëtarët e mazhorancës në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Foto: Kuvendi i Shqipërisë.

Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit nuk arriti të mërkurën që të gjejë konsensus për miratimin e planit hetimor dhe thirrjen e dëshmitarëve. Kryetari Alibeaj deklaroi bllokimin e punës së komisionit, pasi u rrëzua me votë plani hetimor i përgatitur prej tij.

Debati që zgjati disa orë mes palëve lidhej me përcaktimin kohor të hetimit, për të cilën PD kërkonte të niste nga 1 janari 2020 si dhe thirrjen e dëshmitarëve. Deputetët socialistë në komision kundërshtuan thirrjen si dëshmitarë të kreut të SPAK, Arben Kraja dhe kryeprokurorit Olsian Çela.

“Rrethanat të cilat janë në dijeni të çështjes nuk janë në përputhje me cilësinë e dëshmitarëve,” tha nënkryetari Toni Gogu, duke kundërshtuar thirrjen e tyre. Ai e konsideroi megjithatë informacionin nga këto institucione si të domosdoshëm.

Kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj akuzoi PS-në se me forcën e kartonëve po kërkon të pengojë hetimin. “Thirrja e dëshmitarëve nuk mund të pengohet me ligj,” tha ai, ndërsa përsëriti të njëjtin qëndrim edhe për kohën e hetimit.

Në një situatë të acaruar mes palëve, Alibeaj vendosi ta hidhte në votë planin bashkë me propozimin e PS-së për thirrjen e tre deputetëve demokratë si dëshmitarë, por me shumicë votash mazhoranca e rrëzoi.

Pas votimit, Alibeaj deklaroi bllokimin e punës së komisionit, edhe pse socialistët po kërkonin vazhdimin e mbledhjes.  “Sipas ligjit, për sa kohë që nuk miratohet plani i hetimit, nuk mund të deklarohet dot fillimi i hetimit që do të thotë, hetimi i këtij komisionin përfundon këtu,” tha Alibeaj.  Ai akuzoi mazhorancën se kishin një skenar për të mos lejuar hetimin duke njoftuar edhe mbylljen e mbledhjes.

Megjithatë, socialistët qëndruan në sallë dhe i kërkuan administratës së Kuvendit që të mos e ndërpresë transmetimin live të seancës.

Zv/kryetari Toni Gogu vendosi të vijojë mbledhjen në mungesë të opozitës dhe hodhi në votim planin hetimor të sjellë nga PD, me ndryshimet e propozuara nga PS. Me votat e tyre, socialistët miratuan në mënyrë të njëanshme planin hetimor, ku hoqën nga lista e dëshmitarëve Krajën e Çelën dhe shtuan 3 deputetët e PD-së, Gazment Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi me argumentin se “kanë dijeni mbi strukturën e mbrojtjes së votës”.

Në planin e hetimit të PD-së ishte parashikuar thirrja si dëshmitarë e kryeministrit Edi Rama si dhe disa ministra e zyrtarë shtetërorë, të cilët PS i miratoi pa ndryshime.

I pyetur nga BIRN se si mund të funksionojë komisioni pa praninë e opozitës, Gogu tha se “deri sa të kem një shkresë zyrtare, ku opozita deklaron tërheqjen nga komisioni, ne do vijojmë hetimin në zbatim të ligjit”.

Komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit u ngrit me kërkesë të Partisë Demokratike me pretendimet se Partia Socialiste në pushtet ka keqpërdorur fondet publike dhe administratën në fushatë zgjedhore. Afati ligjor i këtij komisioni është deri më 14 janar 2022, ndërsa shumica e mbledhjeve kanë dështuar të prodhojnë një rezultat të prekshëm pune për shkak të debateve mes palëve.

I pyetur nga BIRN për ecurinë e komisionit, Alibeaj tha se do të mbajë një qëndrim pasi të njihet me veprimet e anëtarëve të mazhorancës pas mbylljes së mbledhjes.

“Fakt është se unë e hodha në votim planin e hetimit dhe PS votoi kundër,” tha Alibeaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *