Pak vende në Europë janë aq të përshtatshëm sa Shqipëria për prodhimin e energjisë së rinovueshme, pavarësisht se interesat e fuqishme në sektorin e energjisë elektrike shohin vetëm ujin si burim energjie elektrike, e cila nuk është ajo që i nevojitet këtij vendi.
Të udhëtosh në natyrën e gjelbër të Shqipërisë në pranverë është një kënaqësi e vërtetë. Bukuria e saj e madhe mbetet ende për t’u zbuluar nga masat e turistëve. Lumenjtë e gjerë janë ende ndër të paktët që rrjedhin ende lirshëm në të gjithë Europën, të mbushura me florë dhe faunë të humbur për shumicën e pjesës tjetër të kontinentit.
E megjithatë, kjo ka një anë të dhimbshme, për përkrahësit e energjisë së rinovueshme. Pak vende në Europë janë aq të përshtatshëm sa Shqipëria për energjinë e rinovueshme. Shqipëria ka dritë dielli në bollëk, erë në vargmalet malore dhe përgjatë bregdetit, maja të larta me shkëmbinj të pjerrët, shkrepa vertikalë dhe burime të nxehta që sinjalizojnë burime të pasura gjeotermale nën tokë.
Tokat bujqësore kanë qasje në sasi të jashtëzakonshme të biomasës. Për më tepër, pyjet mbulojnë rreth 36 për qind të territorit të vendit.
Në të vërtetë, Shqipëria, ashtu si shumica e Ballkanit, është një vend i mrekullueshëm në aspektin e potencialit të saj për prodhimin e energjisë së pastër. Sipas një raporti të Komisionit Europian, “Shqipëria në sajë të pozitës së saj gjeografike dhe burimeve natyrore ka një potencial të lartë zhvillimi për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme të vendit.”
Një tjetër raport konkludon: “Investimet e energjisë së rinovueshme mund të krijojnë gjithashtu një gamë të gjerë përfitimesh për Shqipërinë, përfshirë edhe energji të mjaftueshme, një rrjet më të përmirësuar ku mund të mbështetet dhe vende të reja pune.”
Ajo që e bën kaq të dhimbshme është se ky potencial i madh, i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e brendshme dhe madje për të eksportuar energji në Europën Perëndimore, është pothuajse tërësisht i pashfrytëzuar.
Në këtë vend të varfër dhe që mundohet shumë, ka pasuri kudo ku hedh sytë e megjithatë askush nuk po fiton asnjë qindarkë nga kjo. Edhe më i dukshmi – energjia solare termike – gjendet nëpër çati vetëm sporadikisht në veri dhe aspak në jug. Kontrasti me Italinë dhe Greqinë, ku sistemet solare janë të zakonshme, është i qartë.
Shqiptarët nuk janë krejtësisht të pavetëdijshëm për këtë bujari. Hidrocentrali tashmë mbulon 20 për qind të konsumit të tyre të energjisë elektrike dhe përbën gati 97 për qind të energjisë së prodhuar në vend.
Kur termocentralet nuk janë funksionale, e cila ndodh më shumë se gjysmën e vitit, në kohë reshjesh të ulëta, Shqipëria importon energji dhe me kosto të madhe nga fqinjët me kapacitet qymyrguri. Nuk është e habitshme që kur shqiptarët mendojnë të shtojnë më shumë energji të rinovueshme në portofolin e tyre, ata mendojnë për më shumë ujë.
Por shkatërrimi i lumenjve të fundit të pacenuar të Europës, siç është lumi spektakolar Vjosa, nuk është zgjidhje. Shqipëria ka nevojë për burime energjie që i japin asaj fuqi kur hidrocentralet nuk janë funksionale.
Përgjigjja është energjia diellore, ajo e erës dhe gjeotermale, të cilat mund të ruhen edhe në lartësi të larta në Shqipëri me sisteme të ruajtjes së ujit të pompuar. Në të vërtetë, Shqipëria është bërë për energji të rinovueshme.
U habita me këtë gjendje të pakënaqshme, kur arrita të kontaktoja me Ministrinë e Mjedisit të Shqipërisë. Një zyrtar, Zamir Dedej, pranoi të takohej me mua – nuk pata aq fat në Serbi, ku një sërë emailesh nga ana ime u shpërfillën totalisht.
Ai tha se ishte pro energjisë së rinovueshme, por se Shqipëria nuk ishte ende gati për sisteme fotovoltaike diellore dhe turbinat me erë. E para, tha ai, ato janë shumë të shtrenjta. Së dyti, rrjeti i transmisionit i Shqipërisë është aq i vjetruar saqë nuk mund të përballojë furnizimet e prodhuesve të pavarur.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria, duke qenë një vend i mirë europian dhe duke aspiruar statusin e pranimit në BE, po përqendrohet te hidrocentralet.
Dedej është edhe vetë një mik i lumenjve të Shqipërisë, thotë ai, por qeveria vazhdon të jetë pro hidrocentraleve, edhe pse Partia Socialiste në pushtet zhvilloi një platformë kundër digave dy vjet më parë. Ajo e ndryshoi menjëherë këtë qëndrim pasi erdhi në pushtet dhe dha koncesione për hidrocentrale para zgjedhjeve.
Siç duket, kundërshtimet e Dedejt janë joefikase. Sistemet fotovoltike diellore dhe turbinat e erës tani kushtojnë më pak sesa qymyri. Në një vend me kaq rrezatim diellor gjatë vitit, investimet në infrastrukturën diellore termike dhe sistemet fotovoltike do t’i shlyenin vetë kostot e tyre brenda pak vitesh.
Nëse do të ekziston kuadri i duhur ligjor, bankat mund t’u ofronin kredi të sigurta prodhuesve të vegjël, duke e ditur se ata me siguri do t’i kthenin paratë në kohë. Në fund të fundit, nëse vendet si India, Gana dhe Bangladesh po kalojnë me një shpejtësi të madhe në përdorimin e sistemeve solare, të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe vendet e Europës Juglindore. (Në Bangladesh, mbi 5,2 milionë sisteme solare të vogla nëpër shtëpi ofrojnë energji elektrike në pothuajse 12 për qind të 160 milionë banorëve të tij.)
Sa i përket pretendimit të Dedejit se rrjeti elektrik shqiptar është i vjetër dhe prishet shpesh, kjo është e vërtetë. Por kjo nuk duhet të pengojë furnizimin nga prodhuesit e pavarur.
Në fakt, energjia e ripërtëritshme dhe ajo e pastër do të shërbenin për ta stabilizuar rrjetin dhe për të punuar drejt parandalimit të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe uljes së saj, të cilat janë gjëra të zakonshme.
Arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të Dedejit është fuqia e madhe e hidrocentralit dhe lobimi i ndërtimit në Shqipëri. Ata i shohin hidrocentralet si një burim shumë i madh të ardhurash që është tepër fitimprurëse për t’u braktisur.
Qeveria sheh miliarda të ardhura në taksa dhe ryshfete për koncesionet. Për më tepër, kompania kombëtare energjetike e Shqipërisë, Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare, një dinosaur që vazhdon të jetë ende në kohë që nga koha e komunizmit, mbetet ndërmarrja e vetme e energjisë në vend.
Ky ndalim në vend qëndro do të mund të merrte fund nëse qeveria do të donte të bënte ndryshime të rëndësishme në sektorin e saj energjetik. Në përputhje me harmonizimin e saj gradual me ligjin e BE-së, Shqipëria tashmë ka miratuar legjislacionin që hap tregun e saj energjetik për burimet e ripërtëritshme dhe për diversifikimin e prodhuesve të vendit.
Parku i parë diellor, një stacion prej 100 MË me vlerë 70 milionë euro, do të ndërtohet pranë Vlorës. Shqipëria mund të vazhdojë më tej duke miratuar parimet e direktivës së BE-së për Energjinë e Pastër, e cila përcakton që të gjitha vendet e BE-së duhet të ndryshojnë tregjet e tyre për të mundësuar energji në pronësi të komunitetit dhe lloje të tjera prodhimesh të rinovueshme në shkallë të vogël.
Nëse Shqipëria do ta bënte këtë dhe do të zbuste rrugën për financimin e projekteve të rinovueshme, në vend do të fillonte prodhimi i energjisë së pastër dhe kjo do të ishte në dobi të të gjithë njerëzve në Shqipëri.
Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.