Lajm20 Jul 2021

Qeveria e Viktor Orban vazhdon të heshtë për skandalin “Watergate” të Hungarisë

Telefonat e gazetarëve, biznesmenëve dhe aktivistëve hungarezë ishin midis atyre që u vunë nën shënjestër të programit spiun izraelit Pegasus, duke e vendosur Hungarinë përsëri në grupin e shteteve autoritare që e konsiderojnë një media të lirë si një burim rreziku.

Autor: Edit Inotai BIRN Budapest
Printo

Kryeministri hungarez Viktor Orban. Foto: Facebook/Viktor Orban.

Një hetim ndërkombëtar nga 17 organizata mediatike zbuloi se qeveria hungareze ishte midis atyre që blenë programin e diskutueshëm spiun Pegasus nga kompania izraelite e mbikëqyrjes NSO dhe e përdori atë për të shënjestruar një sërë gazetarësh, biznesmenësh dhe aktivistësh. Ata përfshinin dy gazetarë që punonin për faqen investigative të lajmeve Direkt36, i njohur për historitë e saj që ekspozojnë korrupsionin e nivelit të lartë dhe marrëdhëniet e thella të qeverisë hungareze me Kinën dhe Rusinë.

Në përgjigje të zbulimeve, shoqata e gazetarëve të Hungarisë kërkoi një shpjegim të menjëhershëm nga qeveria Fidesz. Dhe Janos Stummer, nga ish-partia radikale e djathtë Jobbik dhe kryetari aktual i komitetit parlamentar për sigurinë kombëtare, e përshkroi skandalin si Watergate-in e Hungarisë.

“Nëse Fidesz qëndron i heshtur, kjo do të thotë se ata e pranojnë atë”, tha Stummer, ndërsa bëri thirrje për një komision të jashtëzakonshëm parlamentar për të hetuar çështjen.

Szabolcs Panyi, një nga gazetarët nën shënjestër, publikoi një lajm të gjatë në Telex.hu, duke shkruar se qeveria hungareze ka qenë klient NSO-së që nga viti 2018. NSO-ja është e licencuar ta shesë programin e saj vetëm me lejen e shprehur të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit dhe programi mund të përdoret pa dyshim vetëm për të luftuar kriminelët ose terrorizmin.

Programi spyware thuhet se filloi të përdoret në Hungari pas bisedimeve të nivelit të lartë midis zyrtarëve të qeverisë hungareze dhe izraelite. Kreu i shërbimeve të inteligjencës së Hungarisë dhe aleati kryesor i Orbanit, Jozsef Czukor – aktualisht ambasadori i Hungarisë në Zvicër – madje u mirëprit nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, që është një gjest i pazakontë në qarqet diplomatike nëse diçka veçanërisht e rëndësishme nuk është në rendin e ditës.

Një person tjetër që thuhet se ishte në shënjestër të programit spyware ishte sipërmarrësi Zoltan Varga, një nga manjatët më të pasur të medias në Hungari dhe pronar i Central Media Group, e cila ka faqen e lajmeve kritike të qeverisë 24.hu.

Sipas raporteve, Varga organizoi një darkë në qershor 2018, dy muaj pas zgjedhjeve të fundit, për biznesmenë të tjerë, shumica e të cilëve ishin kritikë ndaj qeverisë së Viktor Orban. Dy javë pas darkës, një ish-punonjës me lidhje të ngushta me qeverinë e thirri Vargan për ta paralajmëruar: “Unë e di që keni organizuar këtë darkë, Kjo është e rrezikshme dhe nuk duhet të bëni gjëra të tilla.”

Amnesty International, e cila ndihmoi në hulumtimin për hetimin bashkëpunues të drejtuar nga organizata jofitimprurëse franceze gazetareske Forbidden Stories, thotë se analiza e telefonave tregon se të paktën një të ftuarit e kishte telefonin e tij të infektuar nga Pegasus në kohën e darkës. Programi spyware mund të aktivizojë mikrofonin në celular dhe të regjistrojë biseda të plota.

Varga tha për Direkt36 se ai kishte qenë në dijeni të mbikëqyrjes për disa kohë: makinat janë të parkuara para shtëpisë së tij me njerëz brenda që nuk bëjnë asgjë, bisedat e tij telefonike ndërpriteshin papritur dhe madje i kthehej zëri pas në telefon. Në lidhje me darkën, ai tha: “Ishte një bisedë miqësore – jo një grusht shteti.”

Telefonat e Szabolcs Pany dhe Andras Szabo nga Direkt36 u hakuan disa herë në 2019, kur ata udhëtuan drejt SHBA-së dhe punuan në histori në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Hungari dhe SHBA-Izraelit, ose zhvendosjen e Bankës Ndërkombëtare të Investimeve të financuar nga Rusia në Budapest.

Të dy gazetarët besonin se ata komunikonin përmes kanaleve të sigurta kur organizonin intervista ose bisedonin me burime, megjithatë Pegasus arriti të depërtonte në telefonat e tyre duke përdorur një problem të iMessage.

Mbikëqyrja në Hungari rregullohet në një mënyrë mjaft të dobët, thonë ekspertët. “Në shumicën e vendeve, ekzistojnë ose rregulla të rrepta për kë mund të monitorojë shteti dhe kur, ose ekziston një kontroll i fortë ligjor se si mund të funksionojnë shërbimet sekrete. Asnjëra nga këto nuk vlen për Hungarinë”, tha Daniel Mate Szabo, nga Sindikata e Lirive Civile të Hungarisë, për Direkt36.

Më parë, një faqe tjetër lajmesh, 168ora.hu, zbuloi se Ministrja e Drejtësisë Judit Varga lejoi deri në 500 herë “mbledhjen e të dhënave sekrete për qëllime të sigurisë kombëtare” në tre muajt e parë të vitit 2021. Kjo arrin në pesë leje në ditë dhe nënvizon se si shërbimet e inteligjencës janë jashtëzakonisht aktive në Hungari. Që nga viti 2015, numri i lejeve të mbikëqyrjes ka qenë vazhdimisht në rritje.

Kur u pyet për Pegasus-in dhe përdorimin e tij kundër gazetarëve, qeveria e Hungarisë u përgjigj duke thënë: “Hungaria është një shtet demokratik i sunduar i ligjit, dhe si i tillë, kur bëhet fjalë për ndonjë individ, ajo gjithmonë ka vepruar dhe vazhdon të veprojë sipas ligjit në fuqi. Në Hungari, organet shtetërore të autorizuara për të përdorur instrumente të fshehta monitorohen rregullisht nga institucione qeveritare dhe jo-qeveritare.”

Në një intervistë të mëparshme me Le Monde, Ministrja e Drejtësisë Varga tha se ishte një “provokim” të pyesje nëse ajo do të autorizonte mbikëqyrjen e një gazetari, por tha “ka shumë rreziqe për shtetin kudo”. Më vonë, ajo kërkoi heqjen e pyetjes dhe përgjigjes.

Mediat qeveritare të Hungarisë, deri më tani, nuk kanë raportuar për skandalin e programit spyware.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *