Omnia Strategy LLP e fitoi kontratën për të mbrojtur Shqipërinë nga Rapiscan edhe pse qe krijuar më 2011 ndërkohë që qeveria pati vendosur si kriter eksperiencë minimale prej pesë vjetësh për kompanitë konkurruese.
Qeveria shqiptare i dha vitin e kaluar kompanisë Omnia Strategy të avokates britanike Cherie Blair, një kontratë për përfaqësimin e shtetit shqiptar në një gjyq arbitrazhi, por kompania e zonjës Blair duket se nuk plotësonte së paku një nga kriteret e përzgjedhjes të vendosura nga vetë qeveria shqiptare, zbuloi BIRN.
Në 10 tetor 2014, avokatura e shtetit publikoi një ftesë për negociata me avokatë apo studio avokate që do ta përfaqësonin Shqipërinë në një gjyq që mund t’i kushtojë vendit tonë deri në 359 milionë dollarë.
Objekti i kontratës ishte përzgjedhja e një konsulenti ligjor i cili do të përfaqësonte Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Rapiscan Systems dhe nënkontraktorin e saj shqiptar, S2 Albania Sh.p.k.
Në kërkesën për oferta, avokatura e shtetit vendos gjashtë kritere, për përzgjedhjen e avokatit ose zyrën e avokatisë që do të përfaqësojë Shqipërinë, të ndara në kritere të përgjithshme dhe kritere të veçanta.
Në kriteret e veçanta, avokatura e shtetit kërkon që avokati apo zyra e avokatisë e përzgjedhur të ketë jo më pak se pesë vjet eksperiencë pune, të provojë se ka përvojë në përfaqësimin në arbitrazh ndërkombëtar si pas rregullave të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, si dhe të jetë në gjendje të tregojë dy raste të mëparshme suksesi në fushën e kontratave koncesionare.
Omnia Strategy LLP nuk i përmbush të gjitha këto kritere sepse është regjistruar si studio ligjore në vitin 2011 dhe në kohën ku është bërë thirrja nuk kishte pesë vjet eksperiencë pune.
Pyetur nga BIRN, Endri Fuga, Drejtori i Komunikimit i kryeministrit Edi Rama, sugjeroi që qeveria shqiptare nuk kishte vlerësuar kompaninë Omnia Strategy si entitet, por avokatët e saj në veçanti.
“Në datën e ftesës për negociata, secili nga avokatët individual të prezantuar në ofertën e Omnia Strategy, kishte nga gjatë e deri në 35-vjet eskperiencë,” u shpreh Fuga.
Nuk është e qartë nëse ftesës për negociata iu përgjigj ndonjë studio tjetër konsulence.
Megjithatë jo çdokush në Shqipëri bie dakord me interpretimin e qeverisë, mbi kriteret e tenderimit të kontratës së fituar nga studio ligjore e znj. Blair.
Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës ligjore ResPublica në Tiranë, shprehet se oferta e Omnia duhet të ishte përjashtuar nga tenderi.
“Ka një vendim të Këshillit të Ministrave, që përcakton procedurat se si përzgjidhen avokatët apo zyrat e përfaqësimit dhe në këtë rast janë vendosur disa kritere të cilat vlerësohen me pikë,” tha. Matlija
“Por në thirrjen për negociata të hapur nga avokatura e shtetit, i vetmi kriter që nuk është vlerësuar me pikë është ai eksperiencës pesë-vjeçare të zyrës së avokatisë, gjë që e bën atë një kriter përjashtues,” shtoi ai.
Omnia Strategy nuk ju përgjigj një kërkesë për koment me pyetje specifike të dërguar nga BIRN.
Zonja Blair është bashkëshorte e ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair. Ky i fundit është zyrtarisht këshilltar i kryeministrit Edi Rama por deklarohet se shërbimet e z. Blair janë “pa kosto për popullin shqiptar”. Z. Blair është kritikuar së fundmi për disa kontrata konsulence që ka marrë me drejtues shtetesh të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Zonja Blair ka qenë më herët një avokate e njohur e të drejtave të njeriut por vendosi të kalojë në biznes në vitin 2011 me themelimin e kompanisë së konsulencës ligjore Omnia Strategy LLP.
Mosmarrëveshja aktuale në të cilën znj. Blair do të përfaqësojë Shqipërinë, lidhet me një kontratë koncesionare të lëshuar nga qeveria paraardhëse me kompaninë amerikane.
Kontrata midis Rapiscan System dhe qeverisë shqiptare është firmosur në Prill të vitit 2013, një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, midis kontestimeve në parlament nga opozita Socialiste e asaj kohe.
Pas ardhjes në pushtet në shtator të vitit 2013 qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama e deklaroi kontratën nul dhe si të pazbatueshme.
Rapiscan hodhi Shqipërinë në gjyq në gusht 2014, duke kërkuar nga Shqipëria 359 milionë dollarë, përmes një padie të ngritur në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, një gjykatë me bazë në Vienë.
Shqipëria është përballur me disa gjyqe të tilla në të shkuarën, një pjesë të konsiderueshme të të cilave, i ka humbur. Në vitin 2005, qeveria e re e djathtë, anuloi një kontratë për ndërtimin e një linje hekurudhore me kompaninë amerikane General Electric. Kompania iu drejtua arbitrazhit ku fitoi 14 milionë euro në vitin 2008.
Omnia Strategy mori një kontratë me kosto 300,000 paund në fund të vitit 2012 për të këshilluar qeverinë e asaj kohe të Shqipërisë në një mosmarrëveshje nafte me vlerë gjysmë miliardi dollarë. Shqipëria e fitoi gjyqin përballë kompanisë Sky Petroleum.
Një vit më vonë, Shqipëria ra dakord të shmangë arbitrazhin dhe t’i paguajë kompanisë çeke CEZ Group rreth 100 milionë euro për të riblerë 76 për qind të rrjetit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Në rastin e kontratës aktuale, Shqipëria mësohet se nuk e ka anuluar koncesionin e dhënë në parlament por as nuk ka pranuar ta zbatojë atë.