Lidhjet dhe sindikatat evropiane të medias kanë nxitur qeveritë e rajonit të bëjnë më shumë për të mbrojtur lirinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve.
Presidenti i Federatës Europiane të Gazetarisë, EFJ, Mogens Blicher Bjerregard, tha se organizata e tij nuk do t’i lejojë autoritetet e Ballkanit të “arrestojnë kolegët tanë, t’i kërcënojnë dhe t’i bëjnë të heshtin”.
Shumë probleme të gazetarëve të Ballkanit, që po përballen me krizë ekonomike dhe presion, duhen zgjidhur me urgjencë, tha Bjerregard në një tryezë të rrumbullakët për lirinë e medias në Ballkan.
Në këtë pjesë të Europës, liria e medias dhe siguria janë çështje të rëndësishme. Javën e shkuar, një gazetar investigativ u rrah në Kroaci. Por gazetarët nuk bien dakord të heshtin,” tha Bjerregard përpara Takimit të Përvitshëm të EJF në Budva të martën dhe të mërkurën.
Lidhjet e gazetarëve rajonalë dhe sindikatat e medias kanë bërë thirrje për solidaritet dhe një luftë të përbashkët për të drejta dhe siguri, për forcimi të standardeve profesionale dhe etike dhe për status më të mirë social dhe ekonomik për gazetarët.
Oliver Vujovic, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Mediatike të Europës Juglindore me bazë në Vjenë, tha se ai ndihej pesimist rreth lirisë së medias dhe të drejtat e punës së gazetarëve në rajon.
“Shumë gazetarë po punojnë në treg të zi dhe disa prej tyre jetojnë me vetëm 200 deri 300 euro në muaj,” vërejti ai.
Sipas pjesëmarrësve nga rajoni problemet më të shpeshta në gazetari janë pagat e ulëta dhe pasiguria në punë. Gjithashtu censura dhe vetëcensura po rritet gjithnjë e më shumë.
Në takimin në Budva, zyrtari i Komisionit Europian, Andris Kesteris, zbuloi se Komisioni kishte aprovuar 1.2 milionë euro për një program katër-vjeçar në ndihmë të organizatave profesioniste të gazetarëve që të mundësohet zgjerimi i tyre në rajon.
Synimi është të forcohet kapaciteti i medias rajonale dhe të forcohet dialogu social dhe politik me punëdhënësit.