Policia penalizoi gjatë fundjavës 157 persona pasi u kapën në ambjente publike jashtë orarit të lejuar. Gjithashtu janë ndëshkuar edhe tregtarë dhe drejtues mjetesh të cilët nuk kanë respektuar oraret kufizuese.
Policia e shtetit njoftoi të hënën se 157 qytetarë u konstatuan gjatë të shtunës dhe të dielës duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë emergjencë dhe për këtë shkak u ndëshkuan me gjobë me nga 10 mijë lekë secili.
Në njoftimin e policisë thuhet se janë evidentuar edhe 8 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti. Masë administrative është marrë edhe ndaj administratorëve të shtatë njësive tregëtare të cilët nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes së aktivitetit. Policia ka ndëshkuar me gjobë 500 mijë lekë edhe një qytetar i cili është është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij.
Në njoftim theksohet se prej të hënës e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.
“Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa”, shpjegon policia.
Masat e marra nga qeveria dhe krijimi i të ashtuquajturave fasha orare kanë dhënë rezultate kontradiktore ndërsa dhjetra qytetarë janë dyndur në dyqane dhe supermarkete për të furnizuar në oraret e kufizuara. Ngjashmërisht aplikimi i lejedaljeve nuk duket se ndryshoi praninë e njerëzve në rrugë.