Reportazh1 Jun 2021

Ratko Mlladiç: Më i kërkuari i Evropës pret vendimin përfundimtar në gjyqin e tij

Ai ishte një ushtar jugosllav i përkushtuar, më pas një i dyshuar për krime lufte në arrati. Tani ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiç po pret vendimin e tij përfundimtar për mizoritë më të këqija në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Autor: Milica Stojanovic, Marija Ristic BIRN Beograd
Printo

Ratko Mlladiç gjatë kohës së luftës. Foto: Anadolu.

“Një njeri shumë, shumë i rrezikshëm.”

Kështu e përshkroi ish-kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte, të arratisurin që ajo e ndoqi për më shumë se një dekadë në mënyrë që ta nxirrte në gjyq për gjenocidin e parë në tokën evropiane që nga mposhtja e Gjermanisë naziste.

Javën tjetër, 26 vjet pasi ai u akuzua fillimisht, gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë do të japë vendimin e saj përfundimtar në gjyqin e ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç.

Mlladiç apeloi pasi vendimi i shkallës së parë të gjykatës në vitin 2017 e dënoi atë me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën gjatë luftës së viteve 1992-1995, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimi i qytetit dhe për marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Mlladiç, tani 78 vjeç, lindi në vitin 1943 në fshatin boshnjak të Bozinovcit, rreth 70 kilometra në jug të Sarajevës.

Ai ishte fëmija i një familje partizane komuniste jugosllave dhe babai i tij u vra në një nga betejat e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Mlladiç vendosi të ndiqte gjurmët e tij dhe ndoqi shkollën ushtarake në Beograd.

Aftësitë e tij ushtarake u vunë për herë të parë në provë në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë, kur Ushtria Popullore Jugosllave e dërgoi atë në Kroaci në pranverën e vitit 1991 për të ndihmuar rebelët serbë lokalë në qytetin e Kninit, i cili në atë kohë ishte një bastion serb.

Në kohën kur Mlladiç u emërua komandant i Korpusit të 9-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Knin në qershor 1991, territori tashmë ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e Kroacisë sepse rebelët serbë, të cilët kishin deklaruar krijimin e Territorit të tyre Autonom të Krajina në 1990, kishte bllokuar rrugët përreth qytetit.

Mlladiç këmbënguli se ai nuk ishte në anën e ndonjë grupi etnik: “Unë i shërbej Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë me vëllezërit e mi oficerë, në mënyrë që të mbroj të gjitha kombësitë dhe kombet”, tha ai për televizionin publik serb RTS.

Në gusht 1991, ai urdhëroi një sulm në fshatin Kijevo aty pranë me qëllim që të hiqte një bllokadë nga forcat kroate.

“Në Kijevo, ne qëlluam shënjestra të ligjshme ushtarake. Nuk shkatërruam asnjë shtëpi gjatë këtij operacioni”, u tha ai gazetarëve më pas.

Por prokuroria kroate besonte të kundërtën e kësaj. Në korrik 1992, gjykata e qarkut në qytetin e Sibenik dënoi Mlladiçin me 20 vjet burg për sulmin ndaj Kijevos, i cili la fshatin në rrënoja.

Sipas Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, sulmi shënoi momentin kur Ushtria Popullore Jugosllave, nën komandën e Mlladiçit, kaloi haptazi në anën serbe në konflikt.

Pasi trupat jugosllave morën fshatin, serbët vendas hynë dhe e morën atë. Ky model u përdor më pas në të gjithë ish-Jugosllavinë gjatë luftërave që pasuan – në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Fillimi i luftës në Bosnjë

Varret e viktimave të Srebrenicës me bazën e batalionit holandez te OKB-së në sfond. Foto: Johannes De Bruycker.

Një vit më pas filluan luftimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, me shumë oficerë serbë të Bosnjës që lanë Ushtrinë Popullore Jugosllave për t’iu bashkuar Ushtrisë të sapo themeluar, të udhëhequr nga serbët e Republikës Srpska.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviç nuk donte të perceptohej si agresor në atë kohë, kështu që në vend që të dërgonte trupat e tij, ai vendosi të furnizonte Ushtrinë Serbe të Bosnjës me armë dhe njerëz dhe ta bënte Mlladiçin strategun kryesor ushtarak.

“Kur mora pozicionin tim, i vura detyrë vetes të mblidhja njerëz dhe për themeloja komandën dhe shtabin. E dija menjëherë që atje do të ndodhte një ngjarje e madhe historike”, tha Mlladiç për gazetën NIN në Beograd.

Adam Weber, një nga prokurorët në çështjen Mlladiç nga viti 2012 deri në 2017, tha se Mlladiç u zgjodh sepse lidershipi serb i Bosnjës e shikonte atë si “njeriun që sapo kishte kryer disa operacione spastrimi etnik në Kroaci”.

Krahu i djathtë i shefit ushtarak serb të Bosnjës, gjenerali Manojlo Milovanoviç, tha në Gjykatën e Hagës në vitin 2013 se një ditë para se të shpërthente lufta, Mlladiç e kishte paralajmëruar lidershipin e tij politik në lidhje me mundësinë që mund të kryhej gjenocid ndërsa ata kërkonin të merrnin territorin ata donin.

Milovanoviç dëshmoi se Mlladiç u tha liderëve serbë të Bosnjës në maj 1992: “Ne nuk mund të kryejmë spastrim etnik. Nuk kemi një sitë që të shoshitim dhe vetëm serbët të qëndrojnë, ndërsa të tjerët të largohen… Unë nuk e di se si liderët politikë serbë të Bosnjës, z. Radovan Karaxhiç dhe z. Momcilo Krajisnik do t’ia shpjegojnë këtë botës. Ky është gjenocid, njerëz.”

Nën komandën e Mlladiçit, Ushtria Serbe e Bosnjës përhapi frikë dhe vdekje – qyteti i Sarajevës u granatua për më shumë se tre vjet dhe qytete si Foca, Prijedori dhe Visegradi u spastruan nga myslimanët e Bosnjës.

Mlladiç kurrë nuk i zhvilloi fushatat e tij në fshehtësi dhe shpesh lejoi kamerat e lajmeve ta filmonin atë duke ecur nëpër kodrat mbi Sarajevë gjatë rrethimit të qytetit. Popullsia civile u granatua sistematikisht dhe u vu në shënjestër nga snajperët dhe kishte mungesë të ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike.

Në një regjistrim audio që u luajt në gjyqin e tij, Mlladiç urdhëroi bombardimin e disa pjesëve të qytetit: “Bombardoni Velusicin dhe Pofalicin sepse nuk ka shumë serbë në ato lagje”, urdhëroi ai më 28 maj 1992, duke shqiptuar keq lagjen Velesici të Sarajevës.

“Bombardoni edhe pjesën afër rrugës Dobrovoljacka, dhe atje lart, rreth rrugës Humska dhe pjesën e sipërme të rrugës Djure Djakovica”, vazhdoi ai. “A mund ta bombardoni Bascarsijan? Qëlloni një breshëri të madhe në Bascarsija. Mbani ndërtesën e presidencës dhe atë të parlamentit nën zjarr të drejtpërdrejtë. Qëlloni ngadalë, me intervale, derisa t’ju urdhëroj unë të ndaloni.”

Atë natë, shumë ndërtesa në Sarajevën qendrore u dogjën. Më shumë se 100 të plagosur u sollën në spitalet e qytetit brenda pak orësh.

Ata që qëndruan në qytetin e rrethuar kujtojnë se jetuan për muaj të tërë në frikë, pasi njerëzit u vranë teksa mbanin radhën për ujë, bukë ose ndërsa vraponin nëpër ura nën zjarrin e snajperave. Spitalet u granatuan, së bashku me muzetë dhe bibliotekat.

Mlladiç nuk tregonte pendesë. “Unë thjesht po mbroj popullin tim”, tha ai në shumë raste gjatë luftës. Ai përdori të njëjtën fjali në gjyqin e tij.

Por Weber argumentoi se shefi ushtarak serb i Bosnjës ishte “i dobishëm për krijimin e strategjisë së përgjithshme të spastrimit etnik që ndodhi në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, por ai ishte gjithashtu shumë i përfshirë në nivelin operativ me komandantët e tij kryesorë dhe në zbatimin e asaj strategjie”.

“Ajo që vini re është se ai është shpesh shumë i pranishëm në terren gjatë operacioneve, gjë që bëri që ai të ishte shumë i përfshirë në kryerjen aktuale të operacioneve”, shtoi ai.

“Mbrojtës i serbëve”

Shkolla Grbavci në Orahovac, ku u mbajtën robërit e kapur nga Srebrenica para se të ekzekutoheshin. Foto: Arkiv GJPNJ

Mlladiç pranoi lirisht se ofensivat ishin “metoda kryesore e stilit tim të luftës”.

“Qëllimi im është i thjeshtë – mbrojtja e territorit serb dhe njerëzve që kanë jetuar atje për vite”, pohoi ai.

Në korrik 1995, vetëm disa muaj para përfundimit të konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, forcat e Mlladiçit pushtuan qytetin lindor të Srebrenicës, të cilin Kombet e Bashkuara e kishin shpallur një “zonë të mbrojtur” dy vjet më parë.

Mlladiç arriti në Srebrenica me një buzëqeshje në fytyrë, duke përgëzuar ushtarët që e takuan atë në rrugët e qytetit tani të shkretë.

Kamerat regjistruan lëvizjet e gjeneralit dhe televizioni serb i Bosnjës raportoi për “çlirimin” e qytetit, nga i cili dhjetëra mijëra boshnjakë po largoheshin tashmë.

“Këtu jemi në Srebrenicën serbe më 11 korrik 1995″, tha Mlladiç në transmetim. “Në prag të një dite tjetër të shenjtë serbe, ne po ia prezantojmë këtë qytet popullit serb. Më në fund, ka ardhur koha të barazohemi me turqit për herë të parë që nga kryengritja kundër sundimit osman.”

Ajo që pasoi këtë ishte vrasja masive e disa mijëra burrave dhe djemve, të cilat aktakuzat dhe vendimet e mëvonshme të miratuara nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato të Bosnjës i kanë klasifikuar si gjenocid.

Gjatë natës së 11 dhe 12 korrikut, Mlladiç zhvilloi tre takime në hotelin “Fontana” në Bratunac. Fati i banorëve të Srebrenicës ishte tema që u diskutua në këto takime.

Në një nga takimet, ai u tha përfaqësuesve të banorëve boshnjakë të Srebrenicës: “Ju ose mund të mbijetoni ose të zhdukeni. Në mënyrë që të mbijetoni, po u kërkoj të gjithë burrave tuaj, të cilët janë të armatosur, edhe nëse ata kanë kryer krime dhe kanë kryer krime kundër popullit tim, t’ia dorëzojnë armët e tyre Ushtrisë Serbe të Bosnjës.”

Më 12 korrik, Mlladiçi arriti në fshatin Potocari afër Srebrenicës, i shoqëruar nga një ekip televiziv. Kamerat e filmuan atë duke u shpërndarë çokollata fëmijëve që nuk kishin parë një luks të tillë për vite me radhë dhe duke u thënë prindërve të tyre që të mos kishin frikë sepse “askush nuk do t’u bëjë keq”.

“Të gjithë ju që dëshironi të qëndroni, mund ta bëni këtë. Të gjithë ata që duan të largohen nga ky territor janë të lirë ta bëjnë këtë. Ne kemi siguruar një numër të mjaftueshëm autobusësh dhe kamionësh për ju”, premtoi ai.

Mlladiç përsëriti të njëjtin mesazh në një livadh në Sandici, në një hangar në Bratunac dhe në një stadium në Nova Kasaba, duke iu drejtuar burrave dhe djemve boshnjakë të kapur të cilët ishin të rrethuar nga ushtarë serbë.

Në vend të kësaj, ata që u kapën ose që u dorëzuan, u pushkatuan. Sipas aktakuzës së GJPNJ-së për Mlladiçin, “më shumë se 7,000 të burgosurit e kapur në zonën përreth Srebrenicës u ekzekutuan në mënyrë të përmbledhur nga 13 korriku deri më 19 korrik 1995. Vrasjet vazhduan edhe më pas.”

Në arrati në Serbi

Ratko Mlladiç në Sarajevë në vitin 1993. Foto: Evstafiev Mikhail.

Lufta në Bosnjë përfundoi në nëntor 1995 me marrëveshjen e paqes të Dejtonit; katër muaj më parë, Mlladiçi ishte paditur tashmë nga GJPNJ-ja, megjithëse urdhri për arrestimin e tij u lëshua vetëm një vit më vonë.

Mlladiç u zotua se nuk do të dorëzohej kurrë. “Unë mund të gjykohem vetëm nga njerëzit e mi”, deklaroi ai.

Në vitin 1996, Mlladiç u shpërngul në Serbi, së bashku me disa oficerë të tjerë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës. Gjatë luftës, autoritetet serbe i siguruan Mlladiçit armë dhe në kohë paqe ata i dhanë strehë.

Ai dukej se jetonte lirshëm, pa frikë nga arrestimi dhe shkonte nëpër restorante dhe ndeshje futbolli në kryeqytetin serb Beograd.

Deri në vitin 2003, Mlladiç ishte i mbrojtur nga institucioni ushtarak serb, por kur Beogradi miratoi një ligj bashkëpunimi me GJPNJ-në, Mlladiçi u desh të mbështetej te një grup më i afërt togerësh ushtarakë serbë të Bosnjës dhe më pas, në vitet e fundit para se të kapej, te familja e tij.

Më 26 maj 2011, forcat speciale të policisë shkuan në fshatin serb Lazarevo për të kontrolluar një shtëpi në pronësi të një të afërmi të Mlladiçit. Ata hynë në shtëpi dhe më pas u përpoqën të hynin në një nga dhomat, por dikush ishte pas derës – një i moshuar me një kapele bejsbolli.

“Kush je ti?”, pyeti policia.

“E gjetët atë që po kërkonit”, u përgjigj burri. “Unë jam Ratko Mlladiç.”

Arrestimi i tij shkaktoi protesta të mëdha në Beograd dhe qytete të ndryshme në Republikën Srpska. Avokatët e tij u përpoqën ta shtynin ekstradimin e tij në Hagë duke përdorur si justifikim problemet shëndetësore, por kërkesat e tyre u refuzuan, përveç njërës – një vizite 40-minutëshe në varrin e vajzës së tij Ana, e cila vrau veten në vitin 1994.

Mlladiç bëri daljen e tij të parë në sallën e gjyqit të GJPNJ-së në Hagë në verën e 2011.

Gjatë gjyqit të tij nëntë vjeçar, ai shpesh provokonte viktimat e luftës të cilët ishin të pranishëm në seancat dëgjimore dhe refuzonte të zbatonin urdhrat e gjykatësit.

Ai pati disa probleme serioze mjekësore gjatë kohës që ishte në paraburgim në Holandë dhe pësoi dy ishemi në tru dhe një atak në zemër. Mbrojtja e tij kërkoi vazhdimisht që ai të shtrohej në spital, duke pretenduar se shëndeti i tij po përkeqësohej dhe ngriti shqetësime se ai mund të mos ishte mendërisht i aftë për të ndjekur procedurat gjyqësore.

Teksa i drejtohej gjykatës në seancën e tij të apelit në tetor 2020, ai pretendoi se shpërbërja e Jugosllavisë ishte rezultat i një komploti perëndimor dhe përsëriti pohimin që kishte bërë gjatë kohës së luftës se ai thjesht po mbronte popullin serb.

“Fati më vuri në një pozicion për të mbrojtur vendin tim, Republikën Socialiste Federale të Jugosllavisë, që ju fuqitë perëndimore e kishit shkatërruar me ndihmën e Vatikanit dhe mafies perëndimore, presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe ministrit të jashtëm gjerman Klaus Kinkel”, tha ai.

“Nuk ishte Ratko Mlladiçi ai që e nisi atë luftë. Nuk ishte ai që përgatiti planin për të sulmuar Jugosllavinë”, shtoi ai.

Viktimave të kohës së luftës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nuk u bëjnë përshtypje deklarata të tilla. Izudin Alic, një nga fëmijët nga Srebrenica të cilit Mlladiçi i dha çokollatë në korrik 1995 para se të fillonin masakrat, tha BIRN në vitin 2017 se ai ndonjëherë e pyeste veten nëse ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës e mbante mend atë.

“Shpesh pyes veten për këtë, kur e shoh në Hagë. Pyes veten nëse ai e dinte se të gjithë ata burra do të vriteshin… Babai dhe xhaxhai im, të gjithë”, tha ai.

“Çfarë ndiej për të? Asgjë! Jam thjesht i lumtur që ai u arrestua dhe që po gjykohet”, shtoi Aliç.

“Ai duhet të përgjigjet për të gjitha ato që bëri në Srebrenicë.”

Ky është një version i përditësuar i një artikulli të publikuar fillimisht në BIRN më 14 nëntor 2017.