Pas serisë së parë të realizuar dy vite më parë nga fotoreporterja e BIRN, Ivana Dervishi, me në fokus qytetarët e menduar brenda urbanëve, kjo seri fotografish të shkrepura gjatë tetë muajve të fundit, ofron anën tjetër të medaljes, realitetin shqiptar siç mund të shihet nga brenda autobusëve.
Jeta në Shqipërinë e vitit 2017 shpaloset çdo ditë për udhëtarët e autobusëve urbanë dhe ndërqytetas me fragmentet e saj të shpenguara, duke shërbyer si një dokument historik vizual për realitetin ku jetojmë.
Brenda një udhëtimi disa-minutësh në urbanet e Tiranës, syri të zë shitës ambulantë, fenomene të jetës qytetase si vrapimi nëpër semaforë të gjelbër për këmbësorët, vrullin e jetës në zonën e ish-Bllokut apo ngjyrat e orëve të para të mëngjesit.
“Ndodhur përpara trendit politik të foto-propagandës, ku publiku ushqehet me foto që synojnë mbështetjen e deklaratave të një politikani apo një zyrtari, për fotoreporterët është një detyrë e pashmangshme dëshmia e jetës së përditshme ashtu siç është dhe shihet nga të gjithë njerëzit,” shkruan fotoreporterja Dervishi.