Lajm11 Feb 2019

Replika mes Ramiz Kelmendit e Veliajt për lejen e ndërtimit të një qendre tregtare

Deputeti i Kosovës Ramiz Kelmendi akuzoi kryebashkiakun Erion Veliajn për ndërhyrje abuzive dhe pengim të punës në ndërtimin e një qendre tregtare. Kryebashkiaku: Interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër. 

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Deputeti i Kosovës dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi. Foto nga faqja zyrtare në Facebook.

Deputeti i Kosovës dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi akuzoi në një letër publike të hënën Bashkinë e Tiranës se kishte zvarritur për vite me rradhë një projekt të kompanisë së tij për të ndërtuar një qendër tregtare në periferi të kryeqytetit. Kelmendi pretendoi se vonesat kishin vijuar edhe pasi ai kishte marrë mbështjen nga vetë Veliaj në dy takime, ndërsa akuzoi se inspektorët e bashkisë kishin prishur në mënyrë abuzive rrethimin e zonës së ndërtimit.

Por Bashkia e Tiranës përgënjeshtroi deklarimet e Kelmendit. Në një njoftim për shtyp bashkia bëri me dije se toka në të cilën kërkohej ndërtimi i qendrës tregtare prekej prej “ndërtimit të Terminalit Multimodal të Pasagjerëve”. Bashkia tha se kjo ishte arsyeja pse leja e ndërtimit për kompaninë e zotit Kelmendi nuk ishte zbardhur. “Në momentin që është kërkuar hapësirë për stacionin e trenit, procesi është pezulluar. Për çdo detyrim, zotëria do të shpronësohet”, i tha BIRN Renato Kalemi këshilltar për mediat pranë Bashkisë Tiranë.

Kelmendit i ktheu përgjigje edhe Veliaj. Ai tha se “Interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër”, ndërsa aludoi për “tjetërsim me lloj-lloj marifetesh” të pronës publike.

Në krahun tjetër Kelmendi iu referua dy takimeve me Veliaj në të cilat ai pretendoi se kishte marrë garanci se projekti nuk përplasjej me ndonjë investim publik.

“Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcellën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe mbështetje të ketij projekti”, thuhet në letrën e hapur të deputetit nga Kosova.

Kelmendi pretendon po ashtu se ka paguar mbi 1.6 milionë euro tarifë të ndikimit në mjedis dhe se ishte prej kohësh në pritje të zbardhjes së lejes së ndërtimit. Ai shprehet se ishte habitur nga ndërhyrja e inspektorëve të bashkisë. Ai akuzoi bashkinë se kishte kërkuar që përmes shantazhit t’i merrte pronën me vlerë sipas tij 5 milionë euro.

“Njerëzit tuaj na plotësuan me përgjigje ndaj kësaj befasie. Tani kërkohet që ne t’ua falim bashkisë pronën në fjalë”.

Sipas bashkisë prona në fjalë dhe prona private në zonë që prekeshin nga ndërtimi Terminalit Multimodal të Pasagjerëve, të cilit i ishte shtuar sëfundmi edhe një stacion i ri treni do të shpronësoheshin.

“Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sha i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik”, thuhet në sqarimin e bashkisë.