Pas dy viteve ndërprerje për shkak të pandemisë së COVID-19, mëngjesin e të mërkurës u rikthye pranë lexuesve tradita e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Fëmijë të kopshteve të Tiranës, grupe të rinjsh, nëna të shoqëruara me fëmijët e tyre dhe çifte pensionistësh rimbushën të mërkurën korridoret e Pallatit të Kongreseve, ku po mbahet Panairi i Librit 2021.
Panairi i Librit, i cili përbën një nga ngjrjet më të rëndësishme kulturore të vitit në Tiranë, nuk është mbajtuar dy vitet e fundit për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Pandemia dhe masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 mund ti kenë ndaluar ngjarjet kulturore, por ajo nuk e ka zbehur dashurinë për librin, në mënyrë të veçantë mes lexuesve në moshë të thyer, të cilët shpenzuan muaj të izoluar në shtëpitë e tyre vitin që shkoi.
Shumë prej tyre të pranishem në panair, u shprehën se gjatë muajve që kanë qenë të mbyllur kishin lexuar shumë herë më tepër se zakonisht.
“Shih sa libra kam blerë sot,” i tha BIRN me krenari një pensioniste nga Tirana, duke numëruar 9 libra brenda qeseve të saj. “Do vij prap në ditët në vijim,” shtoi ajo.
Në një prej korridoreve të panairit, dy zonja që po shkëmbenin mes tyre librat e blerë në mëngjesin e sotëm ishin njëlloj të lumtura për rikthimin e panairit.
“Unë e ha librin”, tha njëra prej tyre me humor, duke shtuar se gjatë pandemisë ka lexuar ‘pa fund’, pasi sipas saj pensionistët i kaluan muajt e mbyllur duke lexuar libra, ndërsa më të rinjtë e kanë kaluar izolimin duke u marrë me celularët.
Panairi i fundit i librit, përpara se të viheshin kufizimet për shkak të pandemisë COVID-19, u mbajt më nëntor të vitit 2019. Ndërkohë në edicionin e vitit 2020, për shkak të masave kufizuese, shtëpite botuese dhe libraritë u munduan të gjejnë mënyra alternative duke e zhvendosur panairin në një platformë online.
“Gjatë pandemisë ne funksionuam online nëpërmjet platformës Bukinist, por nuk ishte e njëjta gjë,” i tha BIRN Mariglena Kurtaj, përfaqesuese e shtëpisë botuese UEGEN. “Blerjet pothuajse ranë nën përgjysmim,” u ankua ajo.
Ajo shtoi se edhe në panairin e sivjetshëm ata po prezantojnë vetëm 70% të titujve të tyre, pasi po aplikohen kufizime mbi numrin e librave të ekspozuar, si pasojë e sipërfaqes së reduktuar që disponon çdo shtëpi botuese për shkak të masave mbrojtese ndaj COVID-19.
Megjithë kufizimet libradashësit u shprehën të kënaqur për rikthimin e ngjarjes kulturore.
“Libri është arrati nga realiteti, mezi e kemi pritur rikthimin e këtij panairi nga afër,” u shpreh Loreta, një nënë e re e cila po vizitonte panairin së bashku me djalin dhe shoqen e saj të ngushtë.
“Megjithëse e dashuroj leximin, gjatë periudhës së pandemisë nuk kam patur shumë kohë për t’i dedikuar librave, pasi kishim dhe fëmijët në shtëpi dhe duhet ti ndihmonim me detyrat online,” shtoi ajo.
Një burrë rreth të 70-ave, i cili po shfletonte disa tituj të rinj librash sëbashku me bashkëshorten, i tha BIRN se në mungesë të panairit edhe ai ishte drejtuar librarive online gjatë pandemisë.
“Çfarë të bënim, të qanim e të ulërisnim,” pyeti ai. “Të paktën të shtynim ditët duke lexuar,” shtoi burri.
Jeta Hamzallari, redaktore pranë shtëpisë botuese “Dituria” i tha BIRN, se shumë qytëtarë kishin gjetuar ngushëllim të libri gjatë pandemisë.
“Kjo u vu re në blerjet online, që pas rihapjes së vendit pësuan përsëri rënie”, tha ajo.
Ndryshe nga të moshuarit, me të rinjtë kryesisht e shohin leximin çështje zgjedhjeje, pavarësisht periudhës së pandemisë.
“Nuk ka të bëjë në izolim ose jo,” tha një grua rreth të 40-ave e cila gjithashtu kishte preferuar ta niste ditën duke vizituar panairin e sivjetshëm të librit.
“Kush dëshiron të lexojë, do ta gjejë kohën për të lexuar, si i mbyllur në shtëpi, ashtu edhe në rutinën e përditshme,” përfundoi ajo.