Reportazh16 Aug 2021

Rritja e rasteve me COVID-19 shton ankthin për vitin e ri shkollor në Ballkan

Ndërsa Ballkani po përballet me një valë të re të rasteve me COVID-19, shkollat ​​përballen me një sfidë teksa përgatiten për kthimin e nxënësve nëpër klasa në vjeshtë.

Autor: BIRN BIRN Beograd, Shkup, Prishtinë, Tiranë dhe Zagreb
Printo

Një mësuese duke matur temperaturën e nxënësve në një shkollë të Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/ BIRN.

Rritja e shpejtë në rasteve me COVID-19 ka shtuar pasiguritë, përsa i takon fillimit të vitit të ri shkollor në Ballkanin Perëndimor, ku qeveritë po u bëjnë thirrje mësuesve që të vaksinohen.

Shumica e autoriteteve nuk duan një rikthim të mësimit online, por shumë mësues të pavaksinuar mund të detyrojnë një ndryshim plani.

Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut tha se shpreson të hapë të gjitha shkollat ​​më 1 shtator, por po përgatitet për skenarë të tjerë në mes të një vale të re rritjesh infektimesh.

Njëri skenar parasheh përsëritjen e praktikës së vitit të kaluar, kur nxënësit e vegjël ndiqnin mësimet fizikisht sipas protokolleve të rrepta të sigurisë, ndërsa nxënësit më të rritur e zhvillonin mësimin online.

Një alternativë e dytë do të ishte mësimi me rotacion, sipas të cilit ata bëjnë një javë mësim fizikisht të pranishëm në shkollë dhe një javë mësim online.

Ministria tha se do të marrë një vendim përfundimtar në gjysmën e dytë të gushtit, në varësi të të dhënave të reja.

Ajo tha se rreth 60 për qind e 31,500 mësuesve dhe stafit të shkollave në vend ishin vaksinuar.

“Ne i bëjmë apel mësuesve të mbetur pa vaksinuar dhe stafit tjetër që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e tyre dhe shëndetin e të dashurve të tyre”, tha ministria.

Meri Gavrilova, një mësuese e shkollës së mesme në Shkup tha për BIRN se shkolla e tyre po përgatitej për të gjitha mundësitë.

“Pothuajse askush nuk dëshiron një përsëritje të mësimit online, siç ndodhi vitin e kaluar. Kjo ishte e vështirë për mësuesit pasi na duhej të punonim jashtë orarit me burime të kufizuara teknike, dhe as shumica e nxënësve nuk ishin të kënaqur. Ata ishin të pamotivuar dhe të përgatitur keq”, tha ajo.

Duke folur për shifrat e të vaksinuarve mes mësuesve, Gavrilova tha se ndërsa shumë e kanë marrë vaksinën, disa thjesht refuzojnë, kryesisht nga frika.

“Disa janë më të moshuar, të tjerë kanë disa probleme kronike, kështu që nuk më takon mua t’u them që të vaksinohen”, tha ajo.

Ndërkohë, kushtet shëndetësore kanë filluar të përkeqësohen përsëri. Gjatë javës së kaluar, vendi u godit nga një rritje e infektimeve. Maqedonia e Veriut tani ka rreth 4,000 raste aktive, rreth gjashtë herë më shumë se vetëm një javë më parë.

Mes pasigurisë nëse të gjithë nxënësit do të kthehen në shkolla në shtator, mjekët paralajmëruan se kulmi i rritjes së re të infektimeve pritet të ndodhë në mes të shtatorit.

Mikrobiologu Nikola Panovski tha për BIRN se rreziku për fëmijët mbetet i ulët dhe, duke pasur parasysh që vendi filloi imunizimin masiv më vonë se pjesa tjetër e Evropës, një përqindje e madhe e fëmijëve ndoshta kanë krijuar antitrupa kundër virusit pa ndihmën e vaksinave.

“Unë mund të garantoj se 70 deri në 80 për qind e fëmijëve kanë krijuar antitrupa”, tha Panovski, duke shtuar se nuk është e nevojshme të vaksinohen më shumë fëmijë sepse ata nuk kanë ndonjë përfitim nga kjo.

“Një fëmijë i vaksinuar mund të ketë një dhimbje në krah për tre ditë dhe nëse ai ose ajo preket nga COVID-19, mund të mos ketë simptoma, ose mundet thjesht të ketë ndonjë teshtimë”, shtoi ai.

Por Panovski tha se vendi kishte humbur shansin për të pasur një fillim më të garantuar të vitit shkollor.

Autoritetet duhet të kishin shfrytëzuar verën për të kontrolluar nivelet e imunitetit tek fëmijët dhe pastaj ndoshta të fillonin vitin shkollor më herët, në mes të gushtit, kur infektimet të ishin më të ulëta.

“Mësimi, sipas këtij skenari, duhet të ishte kryer në ambient të hapur “jashtë, nëpër tenda”. Pra, nëse situata më vonë bëhet më serioze, ne mund t’i kthehemi mësimit online në tetor. Kjo do t’u jepte ende fëmijëve dy muaj kohë për të qenë të pranishëm në mësim fizikisht bashkë me mësuesit e tyre”, tha ai.

Serbia ende e paqartë ​​për vitin e ri shkollor

Nxënës në një shkollë të Prishtinës. Foto: Urim Krasniqi/ BIRN.

Rreth gjysma e stafit mësimdhënës në Serbi tani janë të vaksinuar, por ende nuk ka informacione apo rregulla për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministria e Arsimit e Serbisë thotë se 50 për qind e mësuesve janë vaksinuar.

Megjithatë, ajo nuk ka nxjerrë ende një vendim përfundimtar për vitin e ri shkollor. “Vendimi për mënyrën e organizimit të mësimit nga 1 shtatori do të merret në konsultim me Shtabin e Krizave”, tha ajo për BIRN.

Ajo shtoi se këtij vendimi do t’i “paraprijë një analizë e plotë e rreziqeve shëndetësore, kryesisht për fëmijët, por edhe për të gjithë punonjësit në sistemin arsimor”.

Jasna Jankovic, kryetare e Sindikatës së Punëtorëve të Arsimit të Serbisë, thotë se 50 për qind e punonjësve të arsimit të vaksinuar do të thotë se gjysma personelit prej rreth 145,000 mësuesish nuk janë vaksinuar ende.

“Jam e sigurt se imunizimi do të vazhdojë kur njerëzit të kthehen nga pushimet e tyre”, tha Jankovic për BIRN.

“Shifrat tregojnë se jemi ende larg imunitetit kolektiv, kështu që në atë kuptim ka ende vend për vaksinim dhe për rregullim të shifrave aktuale”, shtoi ajo.

Jankovic tha për BIRN se punonjësit e arsimit “kanë mësuar nga mediat se situata do të jetë më e qartë pas 20 gushtit … e cila, natyrisht, është shumë vonë për çdo përgatitje më të mirë, kështu që përsëri kemi shumë pasiguri dhe stres”.

“Sigurisht, sistemi arsimor është i ndërlikuar sepse ashtu si mësuesit, ka nxënës, prindër … Do të ishte mirë që Ministria të shikonte kalendarin, edhe pse përvoja e vitit të kaluar më thotë se viti i ardhshëm shkollor do të fillojë njësoj si një vit më parë, me mësim të alternuar dhe rënie të cilësisë së mësimit”, shtoi ajo.

Sindikata po planifikon të mbajë një protestë para ndërtesës së ministrisë më 31 gusht për problemet me të cilat ata përballen në fillim të vitit të ri shkollor. Siç u njoftua, ata do të kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm.

Kroacia po përpiqet t’i bindë të gjithë të vaksinohen

Ministria e Arsimit e Kroacisë ende nuk i ka njoftuar planet e saj për vitin e ardhshëm shkollor.

Një muaj më parë, ministri Radovan Fuchs i bëri thirrje të gjithë stafit arsimor të vaksinohen kundër COVID-19, duke theksuar se të gjithë duhet të bëjnë çdo gjë për t’u siguruar që mësimi të zhvillohet nëpër klasa dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme online.

Më 14 korrik, Fuchs tha se 65 për qind e stafit arsimor të vaksinuar punojnë në arsimin e lartë dhe institucione shkencore; përqindja për personelin në shkollat ​​fillore ishte më e ulët, në 48 për qind.

Ai tha se ata do të analizojnë situatën në shkolla dhe do të kryejnë punë shtesë, siç është edukimi për përfitimet e vaksinimit në shkolla ​​ku shkalla e vaksinimit nuk është e lartë.

“Aty ku shohim se shifrat e të vaksinuarve janë më të ulëta, ne do të shkojmë në këto shkolla dhe do të ofrojmë informacione. Po qarkullojnë informacione nga më të ndryshmet dhe unë e kuptoj që është e vështirë të gjykosh drejtë”, tha Fuchs.

Muajin e kaluar, kryeministri Andrej Plenkoviç tha se Kroacia po mendonte të fuste vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19 në sektorë të caktuar, përfshirë arsimin.

Por sindikata e mësuesve, Preporod, reagoi duke e quajtur deklaratën konfuze dhe shqetësuese.

Antun Vidak, nga Preporod, tha se disa mësues “nuk duan të vaksinohen fare, edhe pse ka nga ata që ende po ndryshojnë mendje, shumica e të cilëve e kanë kaluar koronavirusin”.

Vidak beson se kufizimet dhe detyrimet nuk janë mënyra e duhur për të inkurajuar qytetarët të vaksinohen.

“Përveç faktit që zbatimi i vendimeve të tilla do të ndërhynte thellë në fushën e lirisë së zgjedhjes dhe barazisë si të drejta themelore të njeriut, ndarja e një grupi punonjësish përsa i takon detyrimit për t’u vaksinuar, do të ishte një diskriminim serioz kundër të njëjtit grup shoqëror në krahasim me grupet e tjera”, tha ai më 14 korrik.

“E vetmja mënyrë e drejtë për të arritur vaksinimin masiv është edukimi i qytetarëve”, tha ai.

Prindërit në Kosovë të shqetësuar për ngurrimin e mësuesve

Një punonjës po dizinfekton një shkollë në Tiranë. Foto: Ministria e Arsimit.

Ministria e Arsimit e Kosovës nuk ka thënë se sa mësues janë vaksinuar, ndërsa Këshilli Kombëtar i Prindërve shpreh shqetësime për një mungesë të raportuar të dëshirës së mësuesve për t’u vaksinuar.

Ymret Rashiti, kreu i Këshillit të Prindërve, tha se ata e kishin trajtuar çështjen e hezitimit të mësuesve për t’u vaksinuar tre javë më parë me institucionet përkatëse.

“Ne kemi kërkuar që vaksinimi të jetë i detyrueshëm për të gjithë nëpunësit publikë, veçanërisht mësuesit. Asnjë nëpunës publik nuk duhet të jetë punonjës në institucione shtetërore, nëse nuk është i vaksinuar. Nëse nuk vaksinoheni, nuk mund të punoni”, tha Rashiti për BIRN.

“Muaj më parë, kur Kosova kishte doza të ulëta vaksinash, mësuesit vazhdonin të kërkonin që të ishin ndër kategoritë e privilegjuara. Tani ata po hezitojnë”, shtoi ai.

“Ne jemi të shqetësuar se nuk ka vaksina për fëmijët. Shqetësimi ynë është për shëndetin e fëmijëve tanë”, tha Rashiti.

Ministria i tha BIRN se po planifikon ta fillojë vitin e ri shkollor me pjesëmarrjen fizike të nxënësve në shkolla. Por ka ende paqartësi nëse kjo mund të bëhet.

“Që kjo të realizohet, duhet të kemi mësues të vaksinuar, kështu që i bëjmë thirrje të gjithë stafit të arsimit të vaksinohen”, tha ministria.

Ministria gjithashtu i bëri thirrje studentëve që përdorin konviktet të vaksinohen para fillimit të vitit të ri shkollor në tetor.

“Ministria po ndjek situatën e COVID-19 dhe është në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik të cilët japin rekomandimet përfundimtare, kështu që do të informoheni në kohë për detaje të tjera”, thuhej në një përgjigje me shkrim.

Por për Ymret Rashitin kjo është e qartë. “Procesi arsimor nuk mund të ndërpritet më për shkak të një mësuesi të infektuar. Nuk mund të ketë më mësim online”, këmbënguli ai.

“Nëse kjo nuk arrihet, do të jetë një dështim i madh nga institucionet, si në komuna ashtu edhe në pushtetin qendror”, përfundoi ai.

Shqipëria planifikon rikthimin e hershëm në shkollë

Në Shqipëri viti i ri shkollor zakonisht fillon në mes të shtatorit, por autoritetet këtë vit planifikojnë të fillojnë dy javë më herët, duke ofruar dy javë mësim shtesë ekstra për nxënësit që e zhvilluan mësimin online vitin e kaluar.

Altin Hazizaj, i cili drejton Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, tha për BIRN se vaksinimi nuk duhet të jetë me detyrim.

“Por Ministria e Arsimit duhet të zbatojë politika që do të inkurajojnë mësuesit që nuk janë vaksinuar të marrin dozat e tyre, në mënyrë që edhe ata edhe fëmijët të jenë të mbrojtur”, tha Hazizaj.

Në Shqipëri vaksinimi i mësuesve filloi në mes të marsit, pasi ata u konsideruan si një grup me përparësi.

Disa mësues hezituan për arsye shëndetësore, por ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, më vonë tha se numri i mësuesve që refuzonin vaksinën “nuk ishte alarmues”.

Në një intervistë për Euronews Albania më 23 korrik, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se mësuesit nuk do të detyrohen të vaksinohen para fillimit të vitit të ri shkollor në shtator.

Por ajo inkurajoi mësuesit të vaksinohen gjatë gushtit, pasi është një “muaj i hapur” për vaksinim, kur çdokush mund të vaksinohet në qendrën e tyre më të afërt shëndetësor.

“Në këtë muaj të hapur vaksinimi për të gjitha grupmoshat mbi 18 vjeç, inkurajoj çdo mësues, pedagog dhe student që nuk është vaksinuar deri më tani, të vaksinohet në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruara në të gjithë vendin”, tha ajo.

“Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën një viti të ri akademik dhe shkollor më të mirë dhe më të suksesshëm”, shtoi ajo.