Opinion5 Jul 2019

Samiti i Poznanit s’duhet të harrojë fatin e të zhdukurve të Ballkanit

Samiti i Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i dobishëm që qeveritë të kontrollojnë progresin e bërë për gjetjen e 12,000 njerëzve që u humbën në luftërat e viteve 1990 dhe që rezultojnë ende në listën e personave të zhdukur.

Autor: Kathryne Bomberger BIRN Poznan
Printo

Foto e pjesëmarrësve në Samitin e Poznanit. Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë.

Këtë javë në Poznan, në Poloninë perëndimore, vendet e Procesit të Berlinit, një nismë e projektuar për të forcuar lidhjet midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, po takohen për të shqyrtuar progresin e bërë që nga takimi i tyre i fundit një vit më parë në Londër.

Do të ketë lajme pozitive sa i përket përpjekjes së rajonit për personat e zhdukur. Edhe pse qeveritë në rajonin e Ballkanit kanë gjetur më shumë se 70 për qind të 40,000 personave që u zhdukën në dekadën pas vitit 1991, 12,000 njerëz rezultojnë ende të zhdukur.

Përpjekjet për të zgjidhur fatin e tyre duhet të vazhdojnë në mënyrë që familjet e tyre të dinë se çfarë u ka ndodhur atyre dhe në mënyrë që të vendoset drejtësi. Paqja e përhershme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë dhe drejtësi do të ketë vetëm nëse ndërmerret çdo hap i mundshëm për të përcaktuar të vërtetën për ata që u zhdukën.

Në takimin e fundit në Londër, krerët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët, duke premtuar të intensifikojnë bashkëpunimin shumëpalësh për të gjetur të zhdukurit.

Nëntorin pasues u nënshkrua një Plan Kuadri, në Shtabin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, në Hagë, nga përfaqësues të qeverive të rajonit, të cilët zyrtarisht u zotuan të punojnë së bashku si Grupi i Personave të Zhdukur, MPG.

Që atëherë, MPG ka vazhduar punën për të bërë plotësisht funksionale Bazën e të Dhënave të Rasteve Aktive të Personave të Zhdukur nga Konfliktet e Armatosura në ish-Jugosllavi. Nëpërmjet Bazës së të Dhënave, vendet po ndajnë informacione, gjë që është thelbësore për një përpjekje të përbashkët për të gjetur dhe identifikuar personat që rezultojnë ende të zhdukur.

Duke përdorur bazën e të dhënave, anëtarët e MPG-së mund të rishikojnë, verifikojnë dhe arrijnë marrëveshje për rastet e personave të zhdukur që janë subjekt kërkimi nga një institucion vendas apo një tjetër. Kjo siguron që gjatë gjithë kohës të jenë në dispozicion të dhëna më të besueshme dhe më të përditësuara.

Pjesëmarrësit po punojnë tashmë në raste specifike të eshtrave të paidentifikuara që gjenden nëpër morgje në të gjithë rajonin.

Në kohën e duhur, kur Baza e të Dhënave të jetë e disponueshme për publikun, familjet dhe të tjerët do të jenë në gjendje të shikojnë dhe të shqyrtojnë të dhënat ekzistuese dhe të ofrojnë feedback online për institucionet.

Në një kuptim, MPG-ja mund të shihet si një reflektim nga ana e institucioneve qeveritare i solidaritetit që ekziston midis familjeve të të zhdukurve nëpër shtete dhe nëpër komunitete. Mund të shihet gjithashtu si një zhvillim i natyrshëm i një qasjeje anti-diskriminuese që përfshin të gjitha palët e interesuara në proces.

Përveç kësaj, MPG-ja është në përputhje me Deklaratën mbi Rolin e Shtetit në Trajtimin e Çështjes së Personave të Zhdukur si Pasojë e Konfliktit të Armatosur dhe Abuzimit me të Drejtat e Njeriut. Kjo u zhvillua dhe u promovua nga ICMP dhe u nënshkrua nga krerët e qeverive të rajonit në gusht 2014. Elementë kryesorë nga Deklarata janë përfshirë në tetë “Parimet e Parisit” që ICMP prezantoi në nëntor të vitit të kaluar në Forumin e Paqes të Parisit.

Foto nga videoja “Missing Persons Through the Eye of the Camera”

“Parimet e Parisit” pohojnë se zgjidhja e fatit të personave të humbur dhe të zhdukur dhe mbrojtja e personave nga zhdukja janë thelbësore për përmbushjen e përgjegjësisë së shteteve për të mbështetur paqen, pajtimin dhe kohezionin social dhe janë elementë kyç në ruajtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Ato theksojnë se hetimet për rastet e personave të zhdukur duhet të jenë në gjendje të vërtetojnë faktet dhe se bashkëpunimi midis shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare është i domosdoshëm.

Ato theksojnë se personat që zhduken ose janë viktima të zhdukjes me dhunë kanë të drejtën e mbrojtjes sipas ligjit, pavarësisht nga nënshtetësia apo statusi i tyre i rezidencës dhe se të gjitha masat për të trajtuar çështjen e emigrantëve të zhdukur duhet të mbështesin dhe të avancojnë sundimin e ligjit.

Britania po mbështet përpjekjet e ICMP-së për të lehtësuar punën e MPG-së dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë të zhvillojmë nismat konstruktive që janë nisur me qeveritë rajonale.

ICMP do të sigurojë qasje të vazhdueshme në testin e ADN-së dhe të ofrojë lehtësi për të gjithë nënshkruesit e Planit Kuadër, ndërkohë që teknika të reja gjenetike siç është Sekuenca Masive Paralele, të cilën aktualisht ICMP po e zhvillon, mund të rrisë më tej perspektivat që ky bashkëpunim të japë rezultate të prekshme.

Të gjendur përballë një axhende integrimi europian që shpesh duket tepër komplekse, është e lehtë të humbësh nga sytë objektiva themelore.

Ky nuk ka qenë rasti sa i përket përpjekjes për të raportuar për personat e zhdukur. Për të mbështetur drejtësinë, paqen dhe rimëkëmbjen rajonale, institucionet përgjegjëse kanë punuar së bashku me familjet e të zhdukurve dhe me ICMP-në për të mbështetur dhe intensifikuar përpjekjet për të gjetur 12 mijë të zhdukur.

Nëpërmjet kësaj pune, ka qenë e mundur të ruhet një rrjedhë e qëndrueshme identifikimesh deri në ditët e sotme.

Duke parë përpara, qeveritë rajonale duhet të sigurojnë që Baza e të Dhënave të jetë e qasshme për publikun dhe ata duhet të intensifikojnë punën në terren dhe të kryejnë gërmime në vende të nominuara dhe të dakorduara nga anëtarët e MPG-së.

Ata gjithashtu duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar rastet NN (pa emër) nëpërmjet ndarjes së të dhënave dhe punës shtesë mjeko-ligjore, duke përfshirë mbledhjen e kampionëve nga familjet. Ata duhet të sigurojnë që protokollet e bashkëpunimit dhe rregulloret mbështetëse të tyre të përfundohen dhe zbatohen dhe ata duhet të vazhdojnë t’u sigurojnë familjeve të të zhdukurve informacione të sakta dhe të përditësuara rreth procesit dhe rezultateve që po përftohen.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.