Prokuroria dhe policia në Vlorë njoftuan sekuestron preventive të rreth 1.5 milion euro pasuri, që dyshohen se janë ngritur me pastrim parash nga një person i dënuar në Itali me 17 vite burg për “organizatë kriminale”, ”pengmarrje”, ”përdhunim” dhe ”shfrytëzim prostitucioni”.
Prokuroria e Vlorës dhe policia e këtij qyteti njoftuan të enjten se kishin vendosur në sekuestro preventive pesë apartamente, një anije peshkimi, një vilë tre katëshe dhe katër makina, me një vlerë rreth 1.5 milion euro.
Në një njoftim për shtyp, policia bëri me dije se pasuritë i përkisnin Maks Merkaj, i cili u arrestua një vit më parë në Vlorë, pasi rezulton i dënuar nga drejtësia italiane me 17 vjet burg për veprat penale “organizatë kriminale”, “pengmarrje”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “marrëdhenie seksuale me dhunë”.
Mbrojtësi ligjorë i Merkajt, i kontaktuar nga BIRN, tha se ende nuk kishte informacion për këtë dhe nuk donte të citohej.
Merkaj i cili ndodhet në burg në pritje të njohjes së dënimit të marrë në Itali nga gjykata shqiptare, akuzohet nga prokuroria për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në një komunikatë për median policia e Vlorës bëri me dije se “zbatuan vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa objekte: 5 apartamente banimi; 1 vilë trekatëshe;1 mjet lundrimi, anije peshkimi; 4 automjete”.
“Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal pro-aktiv të vitit 2018, ndaj shtetasit M.M. si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 1.503.000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.
Merkajt, i cili është dënuar nga Gjykata në Venecia (Corte d’Assise Venezia) në vitin 2011. Ai u arrestua për llogari të drejtësisë italiane në korrik të vitit të kaluar.