Policia e Elbasanit raportoi arrestimin e një 45 vjeçari dhe sekuestrimin e 4.2 kilogramëve heroinë dhe një sasie të papërcaktuar kanabisi të fshehur në një makinë që transportonte dru.
Në një operacion të pagëzuar nga policia me emrin “Kështjella”, mësohet se janë sekuestruar 4.2 kilogramë heroinë dhe një sasi e papërcaktuar hashashi. Ndërhyrja u zhvillua të enjten nga Forca Operacionale e policisë në Elbasan, pas një hetimi një mujor, që çoi edhe në arrestimin e 45-vjeçarit që po trasportonte drogën.
Policia njoftoi se operacioni ishte ende në vijim në qytetin e Elbasanit dhe në disa qytete të tjera dhe se disa persona të tjerë ishin arrestuar, por pa sqaruar kush ishin të ndaluarit.
“Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, në një furgon që transportonte lëndë drusore, që drejtohej nga shtetasi G. B., 46 vjeç, banues në Elbasan, i cili është arrestuar në flagrancë, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë totale 4 kilogramë e 215 gramë heroinë dhe një sasi kanabisi”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se kishte pasur një hetim proaktiv që ishte drejtuar nga prokuroria e rrethit dhe se rezultatet e operacionit do të prezantoheshin në vijim.