Sasia e kokainës është zbuluar dhe sekuestruar në kushtet e flagrancës prej policisë mbrëmjen e të enjtes.
Rreth 100 kilogramë kokainë janë gjetur dhe sekuestruar të enjten në një zonë periferike të Tiranës. Koordinatori për të drejtën e informimit pranë Policisë së Shtetit, Genti Mullai sqaroi për BIRN në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes se operacioni është duke vijuar dhe për momentin nuk mund të publikohen të dhëna.
Ndërkohë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK Arben Kraja sqaroi se nuk kishte pasur hetime të mëparshme lidhur me këtë sasi narkotike. Ai shtoi se ka qenë sekuestrim në kushtet e flagrancës i sasisë së rreth 100 kilogramëve kokainë, i kryer prej policisë që po kryen dhe veprimet hetimore paraprake.
Gjatë kohëve të fundit ka pasur disa raste të sekuestrimit të sasive të konsiderueshme të kokainës që trafikohet drejt Shqipërisë prej vendeve e Amerikës Latine, duke përdorur kompani të importit të frutave ekzotike. Më 18 qershor, rreth 300 kg kokainë u zbuluan brenda një kamioni në Portin e Durrësit, që kishte destinacion Maqedoninë e Veriut.
Në qershor të vitit 2018, po në Portin e Durrësit u sekuestruan 613 kg kokainë, për trafikimin e të cilës u deklarua fajtor dhe Arbër Çekaj, administratori i kompanisë “Arbi Garden” që kishte porositur ngarkesën e bananeve ku u gjet droga. Droga atëherë ishte ndarë në 528 paku të ndryshme mbi të cilat kishte shënime dalluese, të tilla si “KE”, “020”, “CR77”, “Toni Montana”, “Molle 2”, “777” etj., duke sugjeruar praninë e një ‘sindikate’ të krimit me pjesëmarrje të grupeve të ndryshme kriminale.
Më 15 tetor, SPAK njoftoi sekuestrimin e kompanisë “Alba Exotic Fruit” – e hetuar për pesë episode të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine që prej 13 korrikut të këtij viti. Sasia totale, sipas të dhënave të publikuara pas 5 operacioneve nga policia është 43 kilogramë kokainë.