Lajm17 Jun 2016

Serbia forcon sigurinë përpara ‘vizitës historike’ të presidentit kinez

Serbia po i rrit masat e sigurisë në nivelin më të lartë përpara mbërritjes ‘historike’ të presidentit të Kinës Xi Jinping.

Autor: Sasa Dragojlo, Milivoje Pantovic BIRN Beograd
Printo

Presidenti kinez Xi Jinping. Foto: Flick/ Day Donaldson

Presidenti kinez Xi Jinping. Foto: Flick/ Day Donaldson

Më shumë se 5,000 oficerë policie, anëtarë të shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë janë në gatishmëri për të siguruar qëndrimin e presidentit kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së tij në Serbi nga data 17 deri në 19 qershor.

Masat e sigurisë do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm, ashtu si në rastin e vizitës së Vladimir Putin dhe Angela Merkel.

Forcat e sigurisë dhe ato snajper nga pala kineze do të përfshihen në ekipin e sigurisë së presidentit kinez në Beograd.

Burime nga ushtria serbe i thanë BIRN se një vëmendje e veçantë i është dhënë sigurimit të ardhjes së tij nga ajri. Pilotët ushtarakë serbë do të ndjekin aeroplan kinez, pasi ajo të hyjë në hapësirën ajrore serbe.

Dragan Bogosavaç, Shefi i Policisë Rrugore për qytetin e Beogradit, tha se trafiku do të mbyllet në disa rrugë, në kohën kur presidenti të jetë në qytet.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka ndaluar edhe tubimin e grupit fetar kinez Falun Gong në Serbi, sipas YUKOM, Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd.

Falung Gong u bë i jashtëligjshëm në Kinë në vitin 1999 dhe pasuesit e tij janë përndjekur në mënyrë të vazhdueshme në vend.

Anëtarët e kultit kishin planifikuar protesta të premten në afërsi të Pallatit të Serbisë, ku do të mbahet takimi me presidentin kinez dhe të shtunën në sheshin kryesor të qytetit dhe para ambasadës kineze.

Anëtarët e Falung Gong thanë se donin të praktikonin publikisht meditimin dhe t’i bënin apel presidentit të ndalonte persekutimin e anëtarëve të kultit në Kinë.

Megjithatë, Ministria e Brendshme i ka ndaluar tubimet, duke cituar mundësinë e përplasjes së mbështetësve të grupit Falung Gong dhe shtetasve të republikës së Kinës”.

Vizita e presidentit kinez është pjesë e lëvizjeve që synojnë të rrisin marrëdhëniet tregtare kineze me Serbinë dhe shtimin e pranisë së Kinës në Ballkan dhe Europë.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë kinez të shtetit në më shumë se 30 vjet, ndaj është përshëndetur gjerësisht në Serbi si “historike”.