Lajm17 Mar 2017

Serbia shpërdoroi paratë e destinuara për modernizimin e avionëve ushtarakë

Një organizatë që studion çështjet e sigurisë thotë se disa milionë euro të planifikuara për të modernizuar avionët Super Galeb janë shpenzuar në fakt për çështje të tjera për shkak se ministritë nuk janë në gjendje të përballojnë kostot e projektit.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Avioni Supergaleb G-4 I Foto: Wikimedia/Srdjan Popovic

Avioni Supergaleb G-4 I Foto: Wikimedia/Srdjan Popovic

Një raport i ri nga organizata Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, BCSP, thotë se Ministria e Mbrojtjes e Serbisë shpenzoi 7.4 milionë euro që qenë planifikuar për modernizimin e avionëve të vjetëruar Super Galeb G-4 për synime të tjera për shkak se projekti nuk kishte marrë miratimin final nga qeveria.

Projekti për modernizimin e dhjetë avionëve Super Galeb, të cilat janë prodhime të viteve 1980, qe konsideruar si një nga tre projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

Por analiza e BCSP, e prezantuar këtë javë, thekson se modernizimi i këtyre avionëve ka qenë një vendim strategjik me rëndësi afatgjatë, që synonte të ruante forcën ajrore të ushtrisë serbe, gjë që nuk u realizua. E ardhmja e forcave ajrore serbe ka qenë temë e shumë spekulimeve prej vitesh për shkak se ky vend nuk disponon paratë e nevojshme për të blerë avionë të rinj.

“Gjetjet tona… tregojnë defekte serioze në planifikim, gjë që e ka penguar Ministrinë të përdorë në kohë dhe në mënyrë realiste paratë që ka,” deklaroi Katarina Djokic, nga BCSP, për BIRN.

Avionët Super Galeb G-4 ishin gjenerata e fundit e avionëve të prodhuar nga industria ushtarake e ish-Jugosllavisë. Ato qenë dizenjuar për t’u përdorur më së shumti për trajnime të avancuara të pilotëve për luftë ndërsa u përdorën nga ushtria serbe në stërvitjen e fundit “Morava 2016” edhe në rolin e “mbështetjes me zjarr”, gjë që sugjeron se Serbia ka në plan t’i përdorë këto avionë edhe në operacione luftimi përpos stërvitjes.

Gjithsesi, Djokic shtoi se megjithëse projekti i modernizimit nuk u realizua, paratë e destinuara për të, në total 7.4 milionë euro, janë shpenzuar për qëllime të tjera.

Modernizimi i këtyre avionëve vijon të figurojë si zë investimi në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017, por Djokic tha se ministria i ka njoftuar BCSP-së se projekti i modernizimit nuk ka nisur për shkak se qeveria nuk e ka miratuar ende atë.

Serbia ndërkohë ka deklaruar plane për të marrë avionë luftarakë MiG nga Rusia, gjë që ka ngritur pikëpyetje të tjera për strategjinë e forcave ajrore të vendit si dhe ka shtruar pyetjen nëse modernizimi i avionëve Supergaleb është apo jo i nevojshëm.

Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por në deklarata të mëparshme ajo ka konfirmuar se Ministria e Financave e Serbisë ka ngurruar të japë fondet për këtë projekt.

“Për shkak se Ministria e Financave nuk qe në gjendje të jepte fonde shtesë nuk kishte mundësi për zbatimin e procedurës së prokurimit për zgjedhjen e një partneri strategjik nga jashtë vendit,” i pati thënë ministria BCSP-së tetorin e kaluar.

Avioni Supergaleb ka kryer fluturimin e parë provë në vitin 1978 ndërsa prodhimi i tij është përfunduar në vitin 1991. Gjithsej janë prodhuar 85 avionë të tillë.