Shqipëria shënoi një tjetër ditë rekord me 82 raste të reja të martën, ndërkohë që numri i viktimave nga koronavirusi shkoi në 37 persona.
Shqipëria shënoi një tjetër ditë rekord me raste të reja të COVID-19 të martën, ku 82 persona rezultuan pozitivë nga 364 testime të kryera gjithsej. Sipas Marjeta Dervishit nga Instituti i Shëndetit Publik, vatrat e infeksionit u zbuluan kryesisht në aktivitete biznesi dhe në institucione publike dhe private –ku mbajtja e maskës dhe masat e distancimit fizik duhet të jenë më rigoroze.
Mes të infektuarve të rinj, një pjesë janë kontakte të rasteve të mëparshme ndërsa pjesa tjetër janë raste të reja në proces hetimi epidemiologjik në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë, Vlorë dhe Durrës. Numri më i lartë i të prekurve u shënua në Tiranë me 28 raste, i ndjekur nga Shkodra me 18 raste dhe Kruja me 10 raste.
Numri i viktimave të COVID-19 u rrit në 37 të martën, pas vdekjes së një 68 vjeçari nga Puka në spitalin Infektiv në Tiranë. Sipas Dervishit, viktima ishte i sëmurë kronik me SPOK.
Aktualisht në Shqipëri ka 571 raste aktive me COVID-19, pesëdhjetë prej të cilëve ndodhen të shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë. Numri i pacientëve në terapi intensive u ngjit në 8, dy prej të cilëve janë të intubuar.