Krishtlindjet dhe Viti i Ri po afrojnë, por gëzimi që ato sjellin këtë vit është ndrydhur si pasojë e distancimit social që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 dhe vala e dytë vdekjeprurëse e saj.
Në prag të këtij sezoni festiv, Suela – pronare e një butiku të vogël në rrugën e Kavajës në Tiranë, vuri pemën e Krishtlindjeve në shtëpi dhe ndezi dritat, edhe pse nuk priste që dikush t’i trokiste në derë.
“Nuk vjen më asnjeri as për vizita, por si e si që të përhap pak frymë pozitive,” shpjegoi gruaja rreth të 50-tave.
2020 nuk ka qenë një vit i mbarë për Suelën, si në aspektin familjar dhe atë të biznesit.
“Burri im e kaloi Covid-in, e pas tij e kalova dhe unë,” tha ajo, ndërsa shpjegoi se i shoqi “e kaloi më rëndë, me ftohje në mushkëri.”
“Na iku truri, por çfarë të bëjmë,” u ankua Suela, me një buzëqeshje të ngërdheshur, teksa pinte kafenë pranë dyqanit të saj.
Ky sezon festash pritet të jetë më pak festiv për familjet shqiptare, për shkak të kufizimeve të vendosura për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 si dhe krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Që nga shpërthimi i epidemisë në muajin mars në vend janë regjistruar 50,637 raste me COVID-19 dhe kanë humbur jetën 1040 persona. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, gjatë tremujorit të dytë të 2020-tës, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit ra me 10.2 përqind.
Emona, një vajzë e re, e cila po dilte nga dyqani i ofertave i hapur rishtazi pranë rrugës së Durrësit – ku çdo artikull shitet me 1 euro, i tha BIRN se shkurtimi nga puna për shkak të pandemisë i kishte kufizuar mundësitë e saj ekonomike për të bërë dhurata këtë vit.
“Po shikoja për disa dhurata për festat… janë kaq shumë njerëz e familjarë që kam në mendje, mirëpo tani kërkoj gjëra të lira pasi dhe fondet tona janë të kufizuara,” tha ajo, ndërsa shtoi se pasi kaloi 4 muaj pa punë tani është punësuar si sekretare.
“Ne jemi 5 veta në familje, dhe vetëm babi dhe motra e madhe vijuan punën gjatë pandemisë,” tregoi ajo. “Tani që më në fund rigjeta punë jam pak më e çliruar,” shtoi Emona.
Aktet normative të qeverisë për masat mbrojtëse nga virusi i Sars-CoV-2 u ashpërsuan përsëri pas muajit nëntor, pas shpërthimit të valës së dytë të pandemisë, duke ndaluar përsëri grumbullimet dhe ceremonitë, mbledhjet me më shumë se 10 persona, si edhe qarkullimi i qytetarëve në fashën orare 22.00 – 06.00 gjatë natës.
Këto kufizime kanë ndikuar edhe në jetën sociale e të rinjve në kryeqytet.
“Më mungojnë daljet, fundjavat, festat dhe mbledhjet me shoqërinë,” tha Emona. “Sigurisht flasim në telefon përditë por nuk është e njëjta gjë, disa shokë e shoqe kam që në korrik që nuk i takoj, a thua se jetojmë në shtete të ndryshme,” shtoi ajo.
Ani, një djalë 23 vjeç nga Tirana, qëndroi 2 javë i mbyllur në shtëpi për shkak se e motra e tij u infektua me COVID-19 dhe familja e u karantinua.
“Në momentin që motra doli pozitive për COVID-19 të gjithë ne nuk dolëm fare as për të shkuar për të blerë bukë, e jo më të takoja shokët, të cilët jam mësuar t’i takoj përditë,” tha 23 vjeçari.
“Më dukej vetja si në burg,” shtoi ai.
Edhe pse familja nuk është më e izoluar dhe e motra është shëruar, Ani i tha BIRN se i merr seriozisht dhe i respekton kufizimet e vendosura nga autoritet për parandalimin e virusit vdekjeprurës.
“Mblidhemi me çunat rreth orës 8-9 të darkës, dhe rrimë duke kontrolluar sa vajti ora,” tregoi Ani. “Na ka zënë frika me dal dhe të rrimë për qejf,” theksoi ai, ndërsa shtoi se “nuk i dihet sa do zgjasë ky stil kështu.”
Ndryshe, Armela Ajdini, ka një arsye më shumë për të qëndruar në shtëpi. Nënë e një djali 3 vjeçar, ajo shprehet se tashmë prej muajsh nuk e nxjerr shpesh të birin nga shtëpia, me frikën se mund të sëmuret.
Për këtë arsye edhe atmosferën e festave Ajdini është mundur ta sjellë vetëm brenda katër mureve.
“Këtë vit jam munduar që atmosferën e festave ta sjell sa më mirë brenda shtëpisë, pasi përveç orarit të punës, rrallë herë dalim diku tjetër siç dilnim dikur,” shpjegoi 31 vjeçarja.
Me gjithë dëshirën për t’iu rikthyer normalitetit, Ajdini i tha BIRN se edhe gjatë periudhës së fundvitit familja e saj do t’i përshtatet kufizimeve të pandemisë dhe nuk do të organizojnë festa të mëdha familjare apo të udhëtojë.
“Në ndryshim nga vitet e tjera, ku djalin e shëtisja çdo ditë dhe fundjavave lëviznim jashtë Tirane me familjen, këtë fundvit nuk kemi asnjë plan,” tha ajo.
“Nuk dua të rrezikoj as djalin, as prindërit e askënd tjetër,” shtoi Ajdini, ndërsa theksoi se “sado të ruhesh jashtë, rreziku ndodhet kudo.”