Lajm12 Mar 2019

Shkollat në Ballkan pajisen me mikro-kompjuter portabël

Një program ambicioz trevjeçar, i financuar nga qeveria britanike, pritet të pajisë mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe programimit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Ceremonia e lançimit të programit Shkolla e Shekullit 21, në Tiranë | Foto nga : Biritish Council

Të gjitha shkollat e arsimit bazë në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi do të pajisen me pajisje micro:bit (mikro-kompjuterë portabël), të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë aftësi të reja digjitale dhe programimi, në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese.

Në Shqipëri, rreth 1,200 shkolla, më shumë se 4,000 mësues dhe rreth 120,000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në program.

“Po e ndërmarrim diçka të tillë sepse duam ta ndihmojmë rajonin që të bëhet më i begatë dhe i qëndrueshëm. Zhvillimi i aftësive të shekullit të 21 do të ndihmojë në krijimin e brezit të ardhshëm të sipërmarrësve të teknologjisë dhe do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës,” deklaroi në një video-mesazh Sir Alan Duncan, Ministër për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar.

“Dhe ashtu si me shpikjen e internetit, këtu e 30 vjet më parë, jam krenar që Mbretëria e Bashkuar po luan një rol themelor edhe në këtë përpjekje,’ shtoi ai.

Programi ‘Shkollat e Shekullit 21,’ është nisma më e madhe arsimore e ‘British Council’ në Ballkanin Perëndimor dhe financohet me 10 milion paund nga qeveria britanike. Lançimi i këtij projekti për rajonin u bë në një aktivitet në shkollën “Niket Dardani” në Tiranë, gjatë së cilit ishin prezent ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe Drejtori i British Council për Shqipërinë, Angus Bjarnason.

Shahini nënvizoi se ky projekt ka për qëllim të mbështesë dhe t’i pajisë nxënësit me aftësi të rëndësishme për zhvillimin e tyre.

“Ndërkohë që lëndët tradicionale si letërsia, matematika dhe shkenca kanë marrë vëmendjen themelore në përgatitjen e brezave të rinj për të ardhmen, sot me të njëjtin intensitet dhe përkujdes, po mbështesim aftësitë e së ardhmes,” tha ajo.

“Këto aftësi që kanë të bëjnë me nxitjen e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit, janë të rëndësishme jo vetëm në nivel të kurrikulës shkollore, por për çdo gjë në jetë,” përfundoi Shahini.

Micro:bit-i është një mikro-kompjuter i programueshëm, që mbahet në dorë dhe që mund të përdoret për të gjitha llojet e krijimeve moderne, duke fillua nga robotët te instrumentet muzikorë, mundësitë janë të pafundme. Kjo pajisje është e përdorur gjerësisht në shkollat nëpër botë, duke filluar nga Finlanda dhe Islanda deri në Singapor dhe Sri Lanka.