Shkrimtari Miroslav Cosoviç – libri i mëparshëm i të cilit zemëroi shumë serbë – po shkakton më shumë telashe me librin e tij të ri, ku pretendon se shkencëtari i famshëm Nikola Tesla e konsideronte veten malazez.
Një libër i titulluar “Nikola Tesla e deklaroi veten malazez”, i publikuar në Malin e Zi, i ka shtuar zjarr mosmarrëveshjes së hershme mbi identitetin kombëtar të shkencëtarit Nikola Tesla, i cili jetoi dhe punoi në SHBA. I lindur nga një familje ortodokse serbe në Smiljan, Austro-Hungari, apo në Kroacinë e sotme, ai vdiq në Nju Jork në 1943.
Autori, Miroslav Cosoviç, tha për BIRN se gazetat amerikane në dekadën e fundit të shekullit 19 iu referuan Teslës “të paktën 100 herë” si malazez. Në atë kohë, shtoi ai, rrallë thuhej se Tesla ishte serb dhe emri i tij ishte përherë i lidhur me Malin e Zi.
“Gazetarët amerikanë nuk mund ta kenë shpikur që Tesla ishte malazez nëse ai vetë nuk e ka thënë këtë. Në libër, kam publikuar 20 faksimilje nga gazetat amerikane… që i referohen Teslës si “malazez i ri” dhe si “malazez nga lindja”, tha ai.
Libri, i publikuar në fund të dhjetorit, ka krijuar debat në median sociale në Malin e Zi, por gjithashtu në rajon, duke tërhequr kritika të forta ndaj autorit i cili është akuzuar për “falsifikim të historisë”.
Por Cosoviç tha se komentet armiqësore në portalet e lajmeve dhe në Facebook nuk llogariten.
“Kritikat në Facebook janë si të ankohesh para televizorit, teksa sheh lajmet,” tha ai me shpërfillje.
“Një historian shovinist, i njohur si një yll televizioni në Beograd, dikur më kritikoi dhe bëri një krahasim pa kuptim. Kisha Serbe gjithashtu më ka kritikuar,” tha Cosoviç.
Nuk është hera e parë që Cosoviç ka zemëruar shkencëtarët dhe historianët në Malin e Zi. Të tjerë artikuj dhe libra të tij mbi origjinën e malazezëve – që hedhin poshtë idenë se ata kanë të njëjtën origjinë me serbët dhe rreth kishës ortodokse serbe, kanë shkaktuar reagime të ashpra.
Në nëntor 2015, ai publikoi disa artikuj ku pretendonte se malazezët nuk janë serbë apo pasardhës të sllavëve që migruan në Ballkan.
Cosoviç pretendoi se malazezët janë në fakt “popull indigjen” i Ballkanit, që e kanë origjinën nga ata që romakët iu referonin si ilirianë apo njerëz të së ashtuquajturës origjinë “e vjetër hercegoviniane”.
Ai tha se nuk ka frikë nga polemikat. “Pas publikimit të artikullit, kushdo mund të të kontaktojë me letër duke mohuar pretendimet e mia, por asnjë s’e bën”, tha Cosoviç me vetëbesim.
Cosoviç gjithashtu njihet si autori i “Shenjtorëve të Çuditshëm të Kishës Serbe”, një libër i promovuar në 2014 nga Kisha rivale Ortodokse Malazeze, të cilën Kisha më e rëndësishme Ortodokse Serbe nuk e njeh.
Kisha Serbe pretendoi se libri i tij fyente mijëra besimtarë në Malin e Zi dhe dezinformonte lexuesit duke pretenduar se kishte prova shkencore që e mbështesnin.