Lajm11 Sep 2020

Shqipëria dhe Kosova me një ligë basketbolli të përbashkët

Federata shqiptare dhe ajo kosovare e basketbollit të enjten ranë dakord të krijojnë një ligë të unifikuar, një bashkim që kryeministri shqiptar Edi Rama e përshëndeti si një model që duhet ta ndjekin edhe sportet e tjera.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu (majtas) dhe homologu i tij shqiptar, Avni Ponari. Foto: Twitter/ Federata e Basketbollit e Kosovës

Muajin e ardhshëm do të ngrihet dhe do të nisë një ligë e përbashkët basketbolli Shqipëri-Kosovë, me katër skuadrat më të mira shqiptare dhe katër ekipet më të mira të Kosovës që do t’i bashkohen kësaj të fundit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili vëzhgoi ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Tiranë të enjten, tha se ai shpreson që sportet e tjera në Shqipëri dhe Kosovë të ndjekin të njëjtin model.

“Kjo ligë e ngre nivelin e konkurrencës dhe krijon hapësirë ​​për të pasur më shumë cilësi në ndeshje”, tha Rama.

“Duket e çuditshme se përse kjo nuk është iniciuar më herët, ose pse vetëm basketbolli po e bën këtë, por sigurisht që na duhej një periudhë pjekurie për këto ide, këto dëshira, të cilat kanë ekzistuar prej kohësh”, shtoi ai.

Planet për ligën e përbashkët u përmendën fillimisht më herët këtë vit.

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, e përshëndeti këtë si “një projekt të madh” dhe shprehu lumturinë e tij që ajo ishte finalizuar.

“Besoj se kjo do të jetë një ligë speciale dhe do të promovojë basketbollin shqiptar në përgjithësi. Kemi pasur pengesa që nga dita e parë, por nuk u ndalëm dhe i kemi kapërcyer të gjitha”, tha Fetahu.

Homologu i tij shqiptar, Avni Ponari, tha se një ligë e unifikuar basketbolli kishte qenë qëllimi i tij që kur ai mori përsipër drejtimin e federatës shqiptare në 2007.

“Tani kjo ligë ka fituar mbështetje nga të gjitha anët. Unë besoj se kjo ligë do ta çojë basketbollin shqiptar drejt suksesit”, tha Ponari.

Në të njëjtën ditë që u nënshkrua marrëveshja, liga e re zgjodhi një bord dhe një drejtor.

Bashkimi  u mirëprit nga Turgay Demirel, kreu i organit drejtues të basketbollit, FIBA, në Evropë, i cili ishte i pranishëm në ceremoni.

“Basketbolli tani ka nevojë për risi dhe forma të reja bashkëpunimi në mënyrë që të rrisë interesin, por edhe nivelin e garës”, tha Demirel.

Kosova është ndër anëtarët më të rinj të FIBA-s pasi u pranua në të në vitin 2015.