Lajm10 Jan 2019

Shqipëria në krizë kushtetuese, Meta vendos mosdekretim ministri

Kryeministri Edi Rama e konsideroi vendimin e Presidentit Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër "antikushtetues" dhe "të turpshëm", ndërsa Shqipëria hyri në një qorrsokak kushtetues i cili për momentin nuk mund të zgjidhet për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp më 28 dhjetor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Kryeministri Edi Rama reagoi me zemërim në një seri mesazhesh në Tëitter të enjten ndaj vendimit të presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar 28 vjeçarin Gent Cakaj si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Rama e cilësoi vendimin e Metës “antikushtetues’ dhe “të turpshëm”. Në një mesazh tjetër, Rama kritikoi mbështetësit e vendimit të Metës si persona që “jashtëqesin lumë dashurie për kombin”, duke u tallur me sloganin e Metës “me qetësi dhe dashuri”.

Meta njoftoi vendimin për mosdekretim duke i dërguar një letër Ramës. Ai e cilësoi Cakajn, i cili ka lindur më 1990, si person i papërgatitur për detyrën.

“Cakaj nuk plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme pr ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme,” shkroi Meta në letrën e tij.

Meta argumentoi se Cakaj nuk ishte pajisur me certifikatën e nevojshme që ta lejojë atë të lexonte dokumente sekrete të qeverisë pavarësisht se ka shtatë muaj në postin e zëvendësministrit të punëve të jashtme. Sipas Metës, Cakaj e kishte detyrë ligjore të pajisej me një certifikatë të tillë pas marrjes së detyrës së zëvendësministrit.

Sipas letrës së Metës, Cakaj e mori certifikatën e sigurisë më 4 janar 2018, pasi kishte aplikuar më 3 janar 2018, gjë që sipas presidentit, ngre dyshime për mungesë verifikimesh nga ana e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një institucioni nën varësinë e qeverisë, e cila dha certifikatën e sigurisë për Cakajn.

Cakaj refuzoi të komentojë mbi këtë çështje dhe ndërpreu shkurt një bisedë telefonike nga BIRN duke thënë se ishte i zënë.

Kushtetuta e Shqipërisë nuk i jep të drejtë presidentit të refuzojë përzgjedhjet e kryeministrit për ministra, por Shqipëria aktualisht nuk ka një gjykatë kushtetuese funksionale për të zgjidhur konfliktin.

Tetorin e kaluar, presidenti Meta refuzoi të dekretojë ministrin e ri të brendshëm Sandër Lleshaj, por Rama e emëroi atë si zëvendësministër, duke ia ngarkuar de facto rolin e ministrit pa dekret presidencial dhe pa miratim nga parlamenti. Meta dekretoi Lleshajn më vonë.

Situata është paksa më e komplikuar këtë herë për shkak se Meta nuk ka dekretuar ende shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati.

Shqipëria ka parë situata vakancash edhe më parë. Në vitet 2004 e 2005, pas dorëheqjeve të disa ministrave, ish-kryeministri Fatos Nano humbi maxhorancën parlamentare të nevojshme për zëvendësimin e tyre, ndërsa një tentativë e opozitës së kohës për ta rrëzuar me një mocion mosbesimi dështoi pasi disa deputetë të opozitës nuk u paraqitën në parlament. Në pamundësi për të emëruar ministra të rinj, Nano qeverisi për disa muaj me disa zëvendësministra.