Lajm1 Apr 2021

Shqiptarët do të votojnë në fletë votimi me emrat e kandidatëve (foto)

Pas dy ditësh debatesh, Komisioneri i Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që shqiptarët të marrin një fletë votimi me parti dhe emra kandidatësh, një zgjedhje që la të pakënaqur socialistët, të cilët kërkonin që kandidatët të paraqiteshin vetëm me numra.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Fleta e votimit për Qarkun Tiranë.

Pas dy ditësh debatesh të ashpra, Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi që formati i fletës së votimit të përmbajë jo vetëm partitë dhe numrat e kandidatëve por edhe emër e mbiemër, duke i dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin se kujt prej kandidatëve t’i japin një votë pëlqyese. Ky format i mbështetur nga Partia Demokratike në opozitë u kundërshtua ashpër nga Partia Socialiste, e cila këmbënguli në vijimësi që kandidatët të prezantoheshin në fletën e votimit vetëm me numra.

Menjëherë pas vendimit, Partia Socialiste bëri të ditur se do të ankohet për vendimin e komisionerit. Partia Demokratike njoftoi gjithashtu se edhe ajo do të ankohet, por jo për emrat por për faktin që komisioneri zgjodhi një format të gjerë me dy rreshta horizontalë ku renditen partitë dhe kandidatët. PD kërkon që fleta e votimit të ketë vetëm një kolonë vertikale.

Përgjatë debateve dyditore, Partia Demokratike akuzoi Partinë Socialiste që ajo dëshiron të fshehë kandidatët e saj pas numrave ndërsa PS sugjeroi se formati me emra e bën fletën e votimit të komplikuar.

Kjo është hera e parë që nga zgjedhjet e vitit 2005 kur shqiptarët do të kenë mundësi të shohin në fletën e votimit emrat e deputetëve, ndonëse mundësitë e tyre për të përcaktuar se cili prej tyre do të shkojë në parlament, mbeten shumë të kufizuara.

Sipas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të njëanshme të Partisë Socialiste tetorin e kaluar, partitë politike zgjedhin renditjen e kandidatëve për deputetë si ta dëshirojnë ndërsa qytetarët kanë mundësi të përmbysin renditjen e partisë vetëm në rast se votojnë në masë një ose disa kandidatë në pjesën humbëse të listës. Në këtë mënyrë, në rast se qytetarët zgjedhin kandidatin e 34-ërt në listën e një partie në garën e Tiranës, këtij kandidati do t’i duhet të marrë mbi 10 mijë vota që të mund të zëvendësojë kandidatin e fundit të listës fituese të caktuar nga partia. Rrjedhimisht, vota pëlqyese e qytetarëve me gjasa do të mund të ndryshojë një apo dy kandidatë për deputetë, por pjesa dërrmuese e kandidatëve do të vijojnë të jenë deputetë se i ka zgjedhur partia dhe jo votuesi.

Në fletët e votimit të këtij viti do të jenë edhe disa kandidatë të pavarur, të cilët konkurrojnë në kushte thellësisht të pabarabarta. Sipas ndryshimeve ligjore të Ramës, kandidatët e pavarur duhet të marrin së paku 1% të votave në rang kombëtar, pavarësisht se të pavarurit nuk kandidojnë në rang kombëtar. Për shembull, në rast se në zgjedhjet e ardhshme do të hidhen 1.7 milionë vota, aq sa u hodhën në vitin 2017, të pavarurit duhet të marrin 17 mijë vota, pavarësisht se kandidatët e partive do të zgjidhen me më pak se 11 mijë vota.

Fleta e votimit për Qarkun Durrës.

Fleta e votimit për Qarkun Dibër.

Fleta e votimit për Qarkun Elbasan.

Fleta e votimit për Qarkun Fier.

Fleta e votimit për Qarkun Gjirokastër.

Fleta e votimit për Qarkun Korçë.

Fleta e votimit për Qarkun Kukës.

Fleta e votimit për Qarkun Lezhë.

Fleta e votimit për Qarkun Shkodër.

Fleta e votimit për Qarkun Vlorë.

Fleta e votimit për Qarkun Berat.