Skeda13 Jun 2021

Skeda e pasurisë së deklaruar –Alketa Zifla –Prokuroria e Tiranës

Prokurorja Alketa Zifla do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja Alketa Zifla e Prokurorisë së Tiranës do të përballet të hënën më 14 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko.

Alketa Zifla e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tepelenës. Në vitin 2008, Zifla u emërua prokurore në Fier, ndërsa në vitin 2013 u transferua në prokurorinë e Tiranës.

Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetor 2017, Zifla u emërua shefe e kabinetit. Pas largimit të Markut, Zifla u rikthye në Prokurorinë e Tiranës, ku vazhdon ta ushtrojë aktualisht detyrën.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurorja Alketa Zifla nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurorja Alketa Zifla për vitet 2004-2017.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2004, prokurorja Alketa Zifla deklaronte pasuri me vlerë 750 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 6.3 milionë lekëve.

Zifla zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 4.2 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë 300 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 20.8 milionë lekë, nga të cilat gati 71% burojnë nga paga e Znj. Zifla si prokurore dhe 26% nga pagat e familjarëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” përfitimin e një kredie të butë bankare si dhe dhuratat në cash nga familjarët për shkollimin e djalit.

Në vitin 2012, subjekti deklaron një apartament banimi me sipërfaqe 59m2 në Tiranë me vlerë  3,452,000 lekë, me burim një kredi me kushte lehtësuese dhënë nga bashkia e Fierit.

Ndërsa në deklaratën e vitit 2017, subjekti deklaron vlerën 4 mijë euro dhënë nga familjarët si ndihmë për arsimin e djalit madhor në Vienë. Në të njëjtin vit, i biri deklaron gjithashtu të ardhura për arsim dhe leje qëndrimi në Austri me vlerë 7,000 euro, me burim hua nga bashkë-studentët shqiptarë.

Në analizën e mësipërme nuk janë llogaritur shpenzime udhëtimesh apo shpenzime shkollimi, pavarësisht se deklarohet që fëmijët kanë ndjekur studimet dhe kanë punuar jashtë Shqipërisë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al