Skeda30 Nov 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Doloreza Musabelliu –kandidate për SPAK

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, e cila është njëherazi edhe kandidate për Prokurorinë e Posaçme, SPAK do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Musabelliun përbëhet nga Alma Faskaj, Pamela Qirko dhe Firdes Shuli.

Doloreza Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtron funksionin në këtë Prokurori prej 14 vitesh, ndërkohë që Znj.Musabelliu është gjithashtu njëra prej kandidateve për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, nëse kalon me sukses procesin e vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Doloreza Musabelliu nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurorja Doloreza Musabelliu nuk deklaronte asnjë pasuri në vitin 2004, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare llogaritet në vlerën e 17.5 milionë lekësh, me një rritje mesatare vjetore prej 1.3 milionë lekësh.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare ndahet në 10.2 milionë lekë pasuri të patundshme, 3.8 milionë lekë kursime në cash, 2 milionë lekë likujditete bankare dhe automjet me vleë 1.4 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 20.9 milionë lekë. Rreth 83% e të ardhurave kanë si burim pagën e Znj. Musabelliu, ndërsa rreth 16% burojnë nga aktiviteti i bashkëjetuesit si noter.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 13 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Megjithatë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” kursimet në cash përtej vlerave të lejueshme ligjore si dhe blerjen e një apartamenti nga bashkëjetuesi i prokurores përmes një huaje të marrë nga i ati.

Më konkretisht, gjendja e akumuluar e kursimeve të deklaruara në cash rezulton të jetë 3.8 milionë lekë në fund të vitit 2017, ndërkohë që ndryshimet ligjore e vendosin kufirin e lejuar në 1.5 milionë lekë.

Ndërkohë në vitin 2014, bashkëjetuesi i prokurores, Genci Duraj deklaron pasurinë e tij, mes të cilave një apartament të blerë në Tiranë në vlerën e 73,400 euro. Burimi i deklaruar i kësaj pasurie është huaja nga babai. Në vitin 2017, Duraj deklaron se ka shlyer 2.5 milionë lekë hua ndaj babait, ndërkohë që detyrimi për blerjen e apartamentit vazhdon të jetë 55,400 euro.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al