Skeda25 Jun 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar –Fatos Tushe –kryetar i Bashkisë Lushnje

Kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe rezulton me mungesë të ardhurash për të paguar këstet e një kredie bankare; e cila ka shërbyer për blerjen e dy lokaleve, një apartamenti dhe dhënien hua të 70 mijë eurove ndaj të tretëve.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Fatos Tushe drejton Bashkinë e Lushnjes prej vitit 2011 dhe në zgjedhjet e diskutueshme të së dielës kandidon për mandatin e katërt. Në zgjedhjet lokale të 2015-ës, Tushe fitoi me 52.27% të vota në emër të Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Fatos Tushe ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në vitin 1994 dhe në vitin 2009 ka përfunduar studimet për Drejtësi në Fakultetin Juridik të Tiranës. Tushe është zgjedhur për herë të parë kryetar i Bashkisë së Lushnjes në vitet 2007-2009, por e la mandatin për t’u bërë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në vitin 2011, ai dha dorëheqjen nga mandati i deputetit për të kandiduar sërish në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Lushnjes. [Lexo CV-në e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit në fund të mandatit të tyre 4-vjeçar.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Lushnjes nga viti 2010 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga kryetari i Bashkise se Lushnjes, Fatos Tushe per vitet 2010-2018.

Kryebashkiaku Fatos Tushe zotëronte pasuri familjare me vlerë 26.7 milionë lekë në vitin 2010; e përbërë nga një shtëpi dykatëshe, dy apartamente, dy lokale si dhe një sipërfaqe toke në bashkëpronësi.

Ndërsa në vitin 2017, vlera e pasurisë ka pësuar një rënie të lehtë, duke kapur vlerën e 22 milionë lekëve. Pasuria e patundshme përbën zërin kryesor të aseteve me 11.4 milionë lekë. Ai deklaron gjithashtu një automjet me vlerë 850 mijë lekë si dhe hua të dhëna me interes në vlerën e 9.7 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 12.8 milionë lekë. Rreth 57% e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit e Z.Tushe, ndërsa paga e bashkëshortes zë 6% të totalit. Rreth 22% të të ardhurave familjare kanë si burim dietat apo shpenzimet e rimbursueshme të transportit, ndërsa 4% e totalit ka si burim fitimin nga shitja e pasurive të patundshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 7 vite të deklarimit të Z. Tushe, nga të cilat 6 deklarata rezultuan me probleme dhe një pa probleme.

Pasuria e pajustifikuar në 6 vitet e deklarimit është 1.4 milionë lekë. Në këto vite, kryebashkiaku i Lushnjes nuk ka pasur shtim pasurie, por të ardhurat e deklaruara prej tij kanë qenë të pamjaftueshme për të paguar këstet e një kredie bankare me vlerë 185 mijë euro.

BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” dhënien e një pjese të konsiderueshme të kredisë bankare, hua ndaj të tretëve. Më konkretisht, kredia prej 185 mijë eurosh është marrë në vitin 2008 nga Z.Tushe dhe ka shërbyer si burim blerjen e dy lokaleve dhe një apartamenti. Pjesa e mbetur e kredisë prej 70 mijë eurosh është dhënë hua me interes përmes dy kontratash noteriale. Për dy vite të deklarimit, Z.Tushe deklaron ka siguruar 1 milionë lekë të ardhura nga interesi 1.5% i huasë së dhënë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al