Skeda11 Mar 2020

Skeda e pasurisë së deklaruar –Nevrie Duka –Gjykata e Sarandës

Gjyqtarja e Gjykatës së Sarandës, Nevrie Duka (Halo) do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Nevrie Duka (Halo) e Gjykatës së Sarandës do të përballet të enjten më 12 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Duka përbëhet nga Suela Zhegu, Olsi Komici dhe Genta Tafa Bungo.

Nevrie Duka punon në sistemin gjyqësor shqiptar prej vitit 1995. Në dy dekadat e fundit, ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Sarandës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Nevrie Duka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga gjyqtarja Nevrie Duka (Halo) per vitet 2003-2017.

Në deklaratën e parë të pasurisë në vitin 2003, Duka deklaronte pasuri familjare me vlerë 2.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare është 9-fishuar, duke kapur vlerën e 21.2 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në pasuri të paluajtshme prej 6.4 milionë lekësh, likuiditete bankare prej 3.3 milionë lekësh, kursime të akumuluara në cash prej 3 milionë lekësh dhe pasuri të luajtshme prej 2.2 milionë lekësh. Familja deklaron gjithashtu hua të dhëna ndër vite tek të tretët në vlerën e 5.4 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 44.4 milionë lekë. Paga nga funksioni e Znj. Duka zë 33% të të ardhurave, ndërsa paga e bashkëshortit përbën gati 49%. Gjyqtarja deklaron gjithashtu se 15% e të ardhurave kanë si burim shitblerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit, njëra prej deklaratave të pasurisë rezultoi me probleme.

Gjyqtarja e Sarandës rezulton me burime të pamjaftueshme financiare në vitin 2006, në vlerën e 760 mijë lekëve, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Ndërsa nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen kryesisht me burimin e pasurive të deklaruara nga bashkëshorti apo vlerat e konsiderueshme të parave të dhëna hua.

Në vitin 2004, bashkëshorti i subjektit deklaron për herë të parë pasurinë si person i lidhur, por nuk ka të dhëna për burimin e krijimit të saj.

Nga analiza e deklaratave ndër vite rezulton gjithashtu se rreth 40% e pasurisë totale të deklaruar nga subjekti, rreth 40% e saj përbëhet nga likuiditete, gjendje cash dhe hua të dhëna ndaj të tretëve.

Në periudhën 2004-2017 rezulton se subjekti deklaron huadhënie prej 8.9 milionë lekësh ndaj të tretëve, nga të cilat janë kthyer vetëm 3.4 milionë lekë.

Një tjetër “flamur i kuq” lidhet me gjendjen e likuiditeteve në cash. Në vitin 2014, subjekti deklaron gjendje në cash prej 2.4 milionë lekësh të krijuara ndër vite, të cilat nuk ishin deklaruar më parë. Në fund të vitit 2017, gjendja cash rezulton 3 milionë lekë ose dyfishi i vlerës ligjore të lejuar për t’u mbajtur jashtë sistemit bankar.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al