Skeda9 Mar 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar- Ornela Naqellari- kryetare e Gjykatës Lezhë

Gjyqtarja Ornela Naqellari do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Ornela Naqellari, kryetare e Gjykatës së Lezhës do të përballet të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Naqellarin përbëhet nga Brunlida Bekteshi, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu.

Ornela Naqellari kreu studimet në Shkollën e Magjistraturës gjatë viteve 2006-2008. Ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Përmetit në vitin 2009, ku e ushtroi funksionin e saj deri në vitin 2016. Përgjatë tre viteve të fundit, Naqellari drejton Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Ornela Naqellari nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së kryetares së Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari për vitet 2009-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Ornela Naqellari zotëronte vetëm pjesë takuese në tokat e familjes në Përmet, të cilat në deklaratën e saj të parë të dorëzuar në ILDKPKI nuk përkthehet në vlerë financiare.

Në fund të vitit 2017, pasuria e Naqellarit kap vlerën e 2.1 milionë lekëve. Pjesa kryesore e pasurise përbëhet nga një automjet Skoda Fabia, e blerë pjesërisht me kredi financiare në vlerën e 1.6 milionë lekëve. Ajo deklaron gjithashtu 400 mijë lekë kursime në cash dhe likujditete bankare prej rreth 118 mijë lekësh.

Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 10.5 milionë lekë. Paga nga funksioni përbën më shumë se 89% e të ardhurave, ndërkohë që mësimdhënia i ka siguruar gjyqtares Naqellari të ardhura në masën 3.3%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 9 vite të deklarimit të gjyqtares Ornela Naqellari, të cilat rezultuan pa probleme.

Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” kontratën e blerjes së makinës Skoda Fabia në vitin 2012, e financuar pjesërisht nga Raiffeisen Leasing dhe bashkëpërdoruesi A.M në vlerën 4600 euro. Shlyerja e kësaj kredie është kryer bashkarisht, pa specifikuar pjesët takuese të secilit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al