Skeda12 Feb 2020

Skeda e pasurisë së deklaruar –Thoma Jano –zv.prokuror i Përgjithshëm

Prokurori Thoma Jano do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2019.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Zv. prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano do të përballet të enjten më 13 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Janon përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.

Thoma Jano ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka punuar fillimisht si hetues dhe në fund të viteve ’90 ka drejtuar Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2002, Jano u emërua zv.ministër i Rendit Publik, detyrë të cilën e ushtroi për dy vjet.

Prej vitit 2004, Thoma Jano ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në dhjetor 2019 u zgjodh në postin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm nga kreu i këtij institucioni, Olsian Çela.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Thoma Jano nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga zv.prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Në deklaratën e parë të pasurisë në vitin 2003, prokurori Thoma Jano zotëronte pasuri familjare me vlerë 6.7 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e subjektit është rritur me pesë herë, duke kapur vlerën e 35.3 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në 25.6 milionë lekë likujditete bankare, 7.5 milionë lekë pasuri të patundshme, automjet me vlerë 1.9 milionë lekë dhe kursime në cash prej 230 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin vlerën e 55.3 milionë lekëve. Rreth 47% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit të Z. Jano, ndërkohë që paga e familjarëve zë gati 48%. Rreth 3% e totalit kanë si burim interesat bankare, ndërsa mësimdhënia ka sjellë rreth 1% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit, nga të cilat njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2016 rezulton e pambuluar shtesa e pasurisë në vlerën e 801 mijë lekëve, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet për konsum familjar. Në kontrollin aritmetik/logjik nuk janë përfshirë gjithashtu të ardhurat dhe shpenzimet e vajzës, e cila deklaron si fëmijë madhor i ndarë nga prindërit.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” deklarimet e kursimeve cash ndër vite nga zoti Jano. Gjatë periudhës deklaruese, subjekti i ka deklaruar likujditetet në cash herë si gjendje në fund të vitit dhe herë si ndryshim nga viti i kaluar, duke krijuar mungesë vijueshmërie në këtë analizë. Për rrjedhojë është përdorur si referencë gjendja cash e datës 31 dhjetor 2017.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al